E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajçak: Beogradi dhe Prishtina në samitin e Bratislavës sipas parimit Gymnich

BEOGRAD- Zëvendëskryeministri sllovak, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajçak konfirmoi sot se presidenti serb, Tomislav Nikoliç kishte pranuar ftesën e pjesëmarrjes në një takim me krerët e shteteve të Evropës Qëndrore, që zhvillohet në Bratislavë javën e ardhshme.
"Edhe Kosova do të marrë pjesë në samit, por ashtu si pjesëmarrësit e tjerë pa flamur dhe emër, sipas formulës Gymnich", u shpreh Lajçak.
Pas një takimi me kryeministrin serb Ivica Daçiç, ai theksoi se qëndrimi i Sllovakisë ndaj pavarësisë së Kosovës njihet gjerësisht dhe nuk do të ndryshojë.
Sllovakia është një prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Lajçak shtoi se Sllovakia e mbështet integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe se nuk është në interesin e askujt që Kosova të përjashtohet nga ligji evropian.
Ai tha se 22 presidentë janë ftuar në samitin e Evropës Qëndrore ku do të jetë i pranishëm presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›