Berisha firmos draftin e 26 partive, bëhet 2% pragu elektoral

Nismetari i draftit, Paskal Milo
Luis Tanushi
Partitë e vogla kanë dorëzuar dje në Kuvend draftin ku propozojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kryeministri Berisha edhe pse është kundër ndryshimit të sistemit, ka firmosur nga Amerika dokumentin që i hap rrugë korrektimit të sistemit dhe uljen e pragut elektoral në 2 për qind. Përballë presionit të partive të vogla aleate, kreu i mazhorancës ka shprehur parimisht dakord vullnetin për të biseduar për ndryshimin e sistemit, ndonëse ka shumë pak gjasa që të ndryshojë. Edhe në bisedimet paraprake me socialistët, demokratët e kushtëzuan Reformën Zgjedhore me sistemin zgjedhor i cili i ka favorizuar ndjeshëm në dy zgjedhjet e fundit. Firmosja e dokumentit nga krerët e dy partive më të mëdha, ka lënë të kënaqur aleatët e vegjël të PD-së dhe të PS-së të cilët shpresojnë për korrektimin kombëtar, çka do ti favorizonte për të fituar mandate në Kuvend. “Fakti që u firmos nga Rama dhe Berisha është një fakt që propozimet tona do të shqyrtohen me seriozitet nga Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe shpresojmë që të japë një produkt serioz, që do të garantojë barazinë e votës dhe përfaqësimin e të gjitha forcave politike që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, deklaroi një prej nismëtarëve të hartimit të këtij drafti, Paskal Milo.
Propozimi
Partitë e vogla i kanë propozuar grupit të punës që po merret me Reformën Zgjedhore opsion për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Të vegjlit kërkojnë sistem proporcional brenda koalicionit në nivel rajonal, ose korrigjim kombëtar. Sipas variantit të parë, 26 partitë propozojnë aplikimin e një formule që realizon një ndarje të plotë proporcionale brenda koalicionit në nivel rajonal. Ky variant merr parasysh përllogaritjen e shpërndarjes së mandateve për çdo Zonë Zgjedhore, duke ruajtur formulën e ndarjes së mandateve sipas koalicioneve, por duke sjellë ndryshime në formulën e ndarjes së mandateve brenda koalicionit. Më konkretisht partitë e vogla propozojnë që llogaritja e mandateve që do tu shpërndahen partive politike brenda një koalicioni në nivel rajonal të përcaktohet duke u nisur nga numri mesatar i votave që i takon një mandati të fituar nga koalicioni në qark. Më pas, hapi i dytë që do të ndiqet do të jetë pjesëtimi i votave të vlefshme të fituara nga partia politike në rajon, me kuotën për një mandat. Në variantin e dytë, i cili preferohet më shumë nga partitë e vogla propozon korrektimin për ndarjen e mandateve në nivel kombëtar. Sipas kësaj formule, fillimisht do të përcaktohet kuota e votave që i takon një mandati në nivel kombëtar dhe më pas përcaktohet numri i mandateve që fiton çdo parti politike në nivel kombëtar duke pjesëtuar numrin e votave të vlefshme që ka fituar secila parti, me kuotën e votave që i takojnë një mandati në nivel kombëtar. Në rast se pas shpërndarjes së mandateve të plota për çdo parti politike, mbeten pa u
shpërndarë një a më shumë mandate, ato do ju ndahen partive politike që kanë numrin mesatar më të lartë të votave për një mandat. Partisë që ka fituar numrin më të madh të votave do ti jepet fillimisht një mandat nga mbetja e mandateve të pa shpërndara dhe përllogaritet mesatarja e votave të kësaj partie për të gjithë mandatet e fituara prej saj duke përfshirë dhe mandatin shtesë. Në përfundim, do të krahasohen rezultatet e mesatareve të votave për çdo parti duke caktuar dhe numrin e mandateve shtesë që ato fitojnë. Nga numri i mandateve që përfiton një parti politike, i zbritet numri i mandateve të fituara prej saj drejtpërdrejtë në rajon dhe mandatet e mbetura do të ndahen nominalisht nga KQZ-ja.
Sistemi aktual zgjedhor
Sistemi aktual është proporcional rajonal i cili favorizon Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Pas ndarjes së mandateve sipas koalicionit brenda një qarku, mandatet fillojnë të ndahen më pas brenda koalicionit sipas partive politike. Sipas partive të vogla, sistemi aktual favorizon padrejtësisht partitë më të mëdha politike brenda koalicioneve duke sjellë uljen e pamerituar të numrit të mandateve që u ndahen partive të treta. Ekspertët dhe krerët e partive të vogla shprehin shqetësimin për sistemin aktual duke theksuar se sistemi aktual nuk inkurajon pluralizmin politik duke dëmtuar demokracinë dhe përfaqësimin e të gjitha shtresave të shoqërisë në Kuvend.
Edi Rama
Partia Socialiste firmosi dje draftin e partive të vogla për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kryesocialisti Edi Rama deklaroi se pavarësisht vullnetit të deputetëve të majtë, sistemi është në dorën e mazhorancës. Pas nënshkrimit, Kreu i PS-së, mblodhi në selinë rozë krerët e partive pjesë të koalicionit opozitar. Në takim morën pjesë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, Paskal Milo i Demokracisë Sociale, Nard Ndoka i Partisë Demokristiane, si dhe kreu i PSV 91, Petro Koçi.
Sali Berisha
Kryeministri Berisha ka firmosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës propozimet e partive të vogla. Ajo që bie në sy është që firma e kreut të qeverisë është hedhur e para në draft. Dje në ambientet e Kuvendit, përfaqësuesi i PR-së, Arjan Madhi kërkoi që të dorëzonte te Kryetari Rusmali kërkesën , por ky i fundit i sugjeroi që ta dërgonte te Partia Demokratike.
Pragu elektoral
Partitë e vogla kërkojnë uljen e pragut elektoral në 2% të partive që konkurrojnë më vete dhe 4% për koalicionet. Ato argumentojnë se në periudhën e pluralizmit demokratik, ligjet zgjedhore tradicionalisht kanë përcaktuar një prag elektoral prej 2.5% për partitë politike që konkurrojnë më vete dhe 4% për partitë në koalicione.
Sistemi Zgjedhor
Partitë e vogla propozojnë ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor i cili, sipas tyre, është diskriminues. Në variantin e parë propozohet sistemi proporcional me korrigjim rajonal, ndërsa në variantin e dytë propozohet sistemi proporcional me korrigjim kombëtar. Për të dy variantet, partitë e vogla shpresojnë që të përfaqësohen në Kuvend.