Miratohet ligji për Gjykatën Administrative

Komisioni i ligjeve ka miratuar në tërësi ligjin për Gjykatën Administrative.Ligji u miratua me konsensus duke marrë parasysh të gjitha amendimet e Partisë Socialiste.
Të dyja palët kanë rënë dakord gjithashtu që në shkallë vendi të jenë 6 gjykata rrethi administrative, duke marrë si formë organizimi atë të gjykatave të apelit.
Sipas ligjit të miratuar veprimtaria e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë do të zhvillohet në selinë e saj ndërsa gjykata mund ta zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson eksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale.
Gjithashtu Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen së paku në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit të zakonshëm në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Sipas ligjit të miratuar Gjykatat administrative të apelit organizohen së paku në Tiranë.
Gjithashtu kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe organizimi gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr. 9877, date 18.02.2008 “për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim të rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
Ligji pritet të kalojë në votim në seancën plenare të javës që vjen ndërsa me miratimin e tij do kërkohet edhe ngritja e strukturave të kësaj gjykate.
Gjykata Administrative pritet të çlirojë një herë e përgjithmonë biznesin dhe qytetarët nga procedurat e tejzgjatura për zgjidhjen në marrëdhënien me shtetin.