Braçe: Po zvarritet mandati i deputetit. Topalli: Konomi ka dy mandate

Rikthehet në sallën e Kuvendit debati për mandatin e deputetit të ri socialist Edison Konomi. Që në fillim të seancës, deputeti Erion Braçe ka akuzuar mazhorancën se po zvarrit futjen në sallë të deputetit të ri.
“Me mandatin e deputetit kujtuam se me vendimin e KQZ u zgjidh çdo gjë, nuk arrij ta kuptoj pse shtyhet kur edhe KQZ-ja ka marrë vendimin për t`i dhënë mandatin e deputetit. Ende nuk po mblidhet këshilli që e drejtoni ju për t`i dhënë rrugë kësaj çështje”,i është drejtuar Braçe kryeparlamentares Topalli.
Kryeparlamentarja Topalli tha se deputeti i ri ka edhe një mandate, sipas saj antikushtetues si anëtar i këshillit bashkiak të Durrësit.
“Administrata i ka dërguar letër Këshillit Bashkiak të Durrësit që Edisoni të dorëzojë mandatin si anëtar i këtij këshilli. Pasi të dorëzojë ai këtë mandate do mblidhet Këshilli i rregullores dhe pastaj sipas procedurave do ulet në sallën e Kuvendit”, tha Topalli.
Gjithashtu Braçe kërkoi që të hynin në kalendarin dhe programin e Parlamentit disa nisma të Partisë Socialiste, që kanë disa muaj që janë depozituar si ndryshimi i ligjit për kufijtë dhe ndryshimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).