E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha firmos vendimin për rritjen e rrogave dhe acaron PS

Reagon Rama: Kryeministri në largim sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë

berisha firmosVendimet e marra pas 23 qershorit nga kryeministri në largim, Sali Berisha janë kthyer në qendër të sulmeve nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama. Ky i fundit në nisjen e mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, i ka kërkuar kryeministrit aktual, Sali Berisha që të ndal marrjen e vendimeve të cilat sipas Ramës po e çojnë buxhetin e shtetit drejt një grope të madhe financiare.
Deklarata e Ramës
Në apelin e tij, Rama tha se është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vijojë të marrë vendime njësoj sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Jam i detyruar tu bëj thirrje të gjithë subjekteve që të mos vazhdojnë bashkëpunimin me këtë qeveri, pasi ne do jemi të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vazhdojë sikur ska ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasuritë kombëtare për çështje për të cilat u ndëshkua me votë”, tha kreu i PS-së, Edi Rama. Deklarata e Ramës u bë vetëm një ditë pas mbledhje së qeverisë ku u miratuan rritja e pagave dhe pensioneve dhe pas mbledhjes më të fundit atë të Këshilli Kombëtar i Territorit ku u miratua plani kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, si dhe lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore.
Rritja e rrogave
Vetëm pak orë pas deklaratës së Ramës ku i kërkonte kryeministrit aktual që të mos merrte më vendime, kryeministri Berisha firmosi vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 përqind. Njoftimi për këtë vendim u bë nga vetë kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook, ndërkohë që nuk bëri asnjë koment për deklaratën e bërë nga Edi Rama. Të dashur miq, sot(dje) firmosa vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 %. Kjo është rritja më e madhe që kemi bërë ndonjëherë e rrogave të ulëta. Me këtë vendim rroga minimale në Shqipëri, krahasuar me fillimin e vitit 2006, rritet me 110 %. Ne mbajmë premtimet”, shkruan kryeministri Sali Berisha.

Majko: Të anulohen vendimet e kryeministrit në largim
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko reagoi ndaj vendimit të kryeministrit Berisha për rritjen e rrogave. Në një postim në rrjetin social Facebook, Majko e quan të paprecedentë vendimin e kryeministrin në largim Sali Berisha në një kohë që situata e borxhit publik sipas paralajmërimeve të FMN dhe BB është alarmuese. Sot (dje) mësova që qeveria në detyre (humbëse e zgjedhjeve të 23 qershorit) ka marrë vendimin për rritjen e rrogave. Ky është një gjest i paprecedentë. Në kushtet ekonomike të vendit ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë. A ka ministër financash ky vend?! A ka Guvernator të Bankës së Shqipërisë ky vend që pak ditë më parë kërkoi rikthimin e FMN-së për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike?! Çfarë janë duke bërë me financat e vendit këta qeveritarë të përkohshëm?! Pse nuk u kujtuan këta qeveritarë për premtimet e mbajtura të rritjes së rrogave para datës së zgjedhjeve (23 qershor) por kujtohen tani pasi i kanë humbur ato?! Media njofton me shqetësim se Ministria e Financave sapo ka shpallur ankandin e radhës për bono thesari me afat 12-mujor dhe 6-mujor maturimi, në total 25.4 miliardë lekë të reja. Ky ankand do të zhvillohet ditën e martë, më 9 korrik, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, ku do të shiten përkatësisht 16.4 miliardë lekë bono 6-mujore dhe 9 miliardë bono me afat njëvjeçar maturimi. Kjo praktikë është e zakonshme në të gjithë muajt e vitit, por kurrsesi në periudhën, gjatë së cilës qeveria konsiderohet si qeveri në detyrë. Banka Botërore dhe FMN kanë shprehur alarm për nivelin e borxhit publik të Shqipërisë dhe stabilitetin financiar të saj. Pyetjet janë shumë dhe të hidhura. Disa prej tyre janë: Sa është borxhi i Shqipërisë? Si është bilanci i pagesave të shtetit shqiptar aktualisht?! Kush do përgjigjet para ligjit në se situata ekonomike e vendit po shkon drejt një paralize financiare?! Kush mendon se luan të zgjuarin dhe burrin e mirë të premtimeve të mbajtura e ka gabim! Shpresoj që Kuvendi i ri të mos fillojë me hetimin për falimentim me dashje të financave të shtetit! Vendimet e premtimeve të mbajtura duhet të pezullohen! Shqipëria është në krizë dhe nuk ka kohë për humor! Tallja nuk është virtyt! Ka ende kohë për reflektim për ata që e duan këtë vend edhe kur nuk janë në pushtet!, shkruan Majko në Facebook.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›