Berisha flet për ekonominë me superlativa. Bode rrudh buzët: Do ndryshojmë sërish buxhetin
Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e sotme të qeverisë me superlativa për ekonominë shqiptare. Por pak më herët, ministri i tij i Financave, Ridvan Bode, pranoi se do ketë sërish ndërhyrje në buxhet siç është bërë zakon së fundmi për të shkurtuar ato parashikime të fryra.
Në rast se vështrojmë raportin e Shqipërisë me krizën e egër europiane dhe jo vetëm europiane rezulton se Shqipëria është ndër të paktat vende në planet që nuk njohu recesionin, gjatë këtyre viteve të një krize të shumëfishtë, por që tani në Europë është konsoliduar në krizën e borxheve dhe krizën e euros. Ekonomia shqiptare është një ekonomi hiperglobale. Kjo është ekonomi me një dinamizëm shumë të madh të shkëmbimit të mallrave, të importeve dhe eksporteve. Ndofta si në asnjë vend tjetër, eksportet në këtë ekonomi janë dyfishuar në harkun kohor 2009-2011. Ekonomia shqiptare në 5 vitet e fundit të krizës së egër ka realizuar një rritje ekonomike prej 22 përqind. Kjo ekonomi, sipas Komisionit Europian, 4 vitet e fundit të krizës së thellë u rrit 4 herë më shumë, se mesatarja e rritjes së rajonit. Me funksionimin e saj, kjo ekonomi bëri të mundur krijimin e dhjetëra mijërave vende të punës dhe që Shqipëria të jetë ndër të paktat vende, në të cilën jo vetëm nuk u rrit, por është ulur papunësia. Funksionimi i kësaj ekonomie ka bërë të mundur rritjen nga viti në vit të të ardhurave nga taksat e doganat. Unë dua tu rikujtoj shqiptarëve se nga rreth 130 miliardë lekë që ishin këto të ardhura në vitin 2004, ato u rritën në 283 miliardë lekë në vitin 2011, tha Berisha.
Kurse Bode deklaroi se do vijohet njësoj si vitet e tjera me ndryshimin e buxhetit për shkak të problemeve me rritjen ekonomike.
Siç kemi bërë për gjithë këto vite, vijojmë edhe këtë vit të rishikojmë kuadrin tonë makro-ekonomik, objektivat për vitin 2012 në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare. Të gjitha këto janë elementë për t’u vlerësuar konkretisht dhe në përputhje me zhvillimet aktuale të ekonomisë dhe perspektivën e gjashtëmujorit të dytë të mund të formulojmë një objektiv që të jetë sa më i përputhur, thotë Bode.
I pyetur nëse vendi do ketë rritje ekonomike, Bode tha: Sigurisht çdo gjë është e mundshme. Ekonomia shqiptare nuk është një ekonomi që zhvillohet në eter është një ekonomi konkrete që operon në një rajon konkret. Ajo që duhet përshëndetur është dinamizmi më i lartë në krahasim me vendet e tjera. Kemi një rritje ekonomike pozitive, kur dihet që deklarimet për ekonominë e Eurozonës janë për vijimin e një rënieje ekonomike.