Presidenti, zbardhet lista me emrat e mazhorancës

Kryeministri Berisha ne foltoren e Kuvendit
Mazhoranca do ti paraqesë opozitës emrin e Xhezair Zaganjorit në takimin që do të zhvillohet sot në orën 09:00 në mjediset e Kuvendit. Burime të sigurta nga e djathta bëjnë të ditur se fillimisht do të garantohet përmes grupit negociator, nëse PD dhe PS do të bien dakord ose jo, por pa e futur në votim. Qëllimi është që të mos digjet si kandidat që në raundin e parë. Në takimin midis Astrit Patozit dhe Edmond Spahos nga PD-ja me Gramoz Ruçin dhe Saimir Tahirin, do të diskutohet për mundësinë e gjetjes së një emri të përbashkët për dy raundet e tjera që të përcaktohet një kandidat konsensual. Kjo taktikë u pranua edhe nga dy aleatët e PD-së, Shpëtim Idrizi dhe Fatmir Mediu në një prej emisioneve televizive dje në mbrëmje. Mazhoranca gjatë bisedimeve intensive me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka diskutuar për disa nga emrat të cilët mund të arrijnë të marrin konsensusin edhe të opozitës në parlament. Ashtu siç kryeministri Berisha dhe kryetari i LSI-së kanë deklaruar emrat që po diskutohen në tryezë i përkasin drejtësisë, diplomacisë dhe politikës. Mimoza Halimi, Xhezahir Zaganjori, Ferit Hoxha, Dashnor Dervishi, Ledi Bianku, Kristaq Traja janë disa nga emrat që diskutohen si kandidaturat më të mundshme për tiu paraqitur edhe Partisë Socialiste gjatë negociatave për raundet e tjera. Ajo që bie në sy është se emri i kandidatit Fatos Nano nuk figuron, pavarësisht takimeve intensive që ky i fundit zhvilloi me liderët e të gjithë partive politike në vendin tonë duke u shfaqur si një kandidat mbi palët. Në listë mungojnë edhe emrat e Partisë Demokratike të cilët do të nxirren vetëm në dy raundet e fundit. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se një nga emrat që qarkullon përveç, Fatos Bejës dhe Jozefina Topallit, është edhe emri i Lajla Përnaskës, pasi mazhoranca po mendon se nëse do të jetë kandidaturë nga PD-ja, ajo do të jetë femër.
Negociatat
Dita e djeshme u karakterizua nga negociatat intensive ndërmjet Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Rreth orës 18:12 në Kuvend, kryeministri Berisha u takua me aleatët ku bisedoi rreth kandidaturave të mundshme dhe procesit që do të ndiqet në ditët në vijim Kryetari i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se mazhoranca do të dalë me një listë emrash për të cilët do të tentohet të arrihet një konsensus i gjerë. Disa kritere të konsoliduara tashmë janë bërë publike në takimin e parë dhe besojmë se në orët në vijim do të ketë një listë me emra përfaqësues, e cila natyrisht do të komunikohet dhe do të diskutohet me përfaqësuesit e opozitës në Parlament, tha Meta. Më herët, PD mblodhi kryesinë e saj për të diskutuar për kriteret që do të ketë presidenti i ri. Burime nga kjo mbledhje thanë për Shekullin se nuk është folur për emra konkretë, por theksi është vendosur te kriteret. Duke sulmuar kryesocialistin Edi Rama, kryeministri Berisha deklaroi se në takimet me aleatët mazhoranca do ti japë vendit një President me integritet të lartë. “Rama flet për kriza, për ekzekutime politike të të gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paçka se ata janë votuar nga i gjithë spektri politik, duke dhënë kështu shembullin jashtëzakonisht të papranueshëm për këtë kohë. Ai ngrihet kundër të gjithë anëtarëve të KQZ-së, i shpall ata armiq dhe kërkon largimin e tyre të menjëhershëm, në një kohë që ne ftojmë të zgjedhim Presidentin e Republikës me një proces me konsensus”, tha Berisha.
Legjitimimi i kandidatëve
Rregullorja e Kuvendit përcakton se Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të shqyrtojë nëse kandidatët i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe do ti paraqesin raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve. Pas ndryshimeve kushtetuese të realizuara me pëlqimin e PD-së dhe të PS-së, Presidenti zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit, dhe në rast se në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të dytë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të parë. Për votimin e dytë dhe sipas pikës 2 të këtij neni mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që skanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë është tërhequr.
Lista e kandidatëve PD LSI:
Mimoza Halimi, ambasadore në Bruksel, në misionin e Shqipërisë pranë BE-së
Xhezair Zaganjori, pedagog i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe shkollën e magjistraturës
Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në OKB
Dashnor Dervishi, ambasador i Shqipërisë në Greqi
Ledi Bianku, anëtar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg
Kristaq Traja, jurist, ish-anëtar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg
Limiti i kandidatëve
Me numrat që ka në Kuvend, mazhoranca mund të paraqesë vetëm tre emra. Kushtetuta përcakton se kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh dhe se një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
Ilir Rusmali
Konferenca e kryetarëve ka përcaktuar si afat për depozitimin e nënshkrimeve mbështetëse të kandidatura orën 9 të ditës së nesërme (sot). Deri në orën 09 të ditës së mërkurë procedura është e hapur për të paraqitur kandidaturat. Nga ora 09:00 fillon detyrimi për të marrë në shqyrtim kandidaturat që do të depozitohen dhe për të bërë verifikimin e kriterit formal kushtetues lidhur me to. Është detyra jonë që nesër në orën 9.00 të mblidhemi dhe të shqyrtojmë kandidaturat eventuale dhe ti paraqesim raportin përkatës seancës plenare që do të mblidhet në orën 10.00
Berisha -Dule
Kryeministri Berisha u takua në dje me Kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule për të negociuar për gjetjen e një emri konsensual. Në takimin e shkurtër, kryeministri Berisha u shoqërua nga dy negociatorët Astrit Patozi dhe Edmond Spaho. Kreu I PBDNJ-së është një nga mbështetësit kryesorë të kandidaturës së Fatos Nanos për President, edhe pse kryeministri Berisha nuk ka shprehur simpatinë.
Zaganjori, gjyqtari që rrëzoi Paktin detar me Greqinë
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese është i njohur për arsyetimin që i ka bërë vendimit për rrëzimin e Paktit Detar me Greqinë. Është një prej tre anëtarëve të Kushtetueses që i ka mbaruar mandati. I lindur më 09.03.1957 në Shkodër, ai do të diplomohej në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë, Zaganjori ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitra