Raporti, hipoteka tre milione pasuri private vendosen ne hetim
Laureta Rryçi
Tiranë - Raporti më i fundit mbi numrin e pasurive në të gjithë vendin ka përcaktuar se shqiptarët aktualisht janë pronarë të 3 milionë pasurive private. Të gjitha këto pasuri do të kalojnë në fazën e regjistrimit fillestar. Sipas drejtuesve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të gjithë ata që nuk kanë bërë regjistrim të ligjshëm të pronës, nuk janë pronarë. Këtë titull do ta humbasin të gjithë ata qytetarë që nuk do të përfitojnë nga procesi i regjistrimit fillestar. “Duhet bërë diferenca mes regjistrimit të pasurisë dhe titullit të pronësisë. Ata që kanë bërë regjistrime të paligjshme në ZRPP, nuk duhet të mendojnë se janë pronarë, derisa të kenë një titull pronësie të ligjshëm dhe të regjistruar në mënyrë të ligjshme”, - thuhet ne raportin për pasuritë e paluajtshme. Ky rregull tashmë është i vlefshëm për të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe pritet të përcaktojë në mënyrë definitive pronarët e rinj për pasuritë private në vend.
Raporti
Raporti më i fundit, i dalë nga Zyra e Përgjithshme e Pasurive të Paluajtshme, ka evidentuar proceset në të cilat po kalon prona aktualisht për të përcaktuar definitivisht pronarin e saj të vërtetë. Sipas këtij raporti, sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka kaluar në një sërë fazash për të mbërritur në formën e tij të sotme. Në të kaluarën regjistrimi i pasurive ka qenë fragmentar dhe me një model krejtësisht të ndryshëm nga koncepti i sotëm i regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Institucionet që administronin informacionin e pasurive kanë qenë Kadastra dhe Hipoteka; e para administronte informacionin e parcelave shtetërore të tokës, ndërsa hipoteka shërbente vetëm për zonat urbane, dhe ku në fokus ishte pronari i pasurisë, madje transaksionet mbi pronën nuk ishte e domosdoshme të kalonin nëpërmjet saj. Në fillim të viteve ‘90 u ndërmorën një sërë reformash në fushën e tregut të tokës. Këto reforma sollën si pasojë fragmentarizimin dhe riorganizimin i kufijve të parcelave të tokës dhe si rrjedhim - krijimin e mbi 3 000 000 pasurive private. Kalimi i të drejtave nga shteti tek privati krijoi në ato kohë mbi 500 mijë pronarë privatë. Të ndodhur në një situatë krejt të ndryshme, u pa e nevojshme fillimi i punës për ndërtimin e një sistemi të ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Sistemi i ri
Sipas raportit, sistemi i ri ka në qendër pasurinë dhe jo pronarin dhe pasuria përbëhet nga disa komponentë, si: akti ligjor i fitimit të pronësisë, harta treguese dhe kartela e pasurisë që përmban të gjithë informacionin mbi pasurinë. Duke qenë se regjistrimi i pasurive më parë nuk kishte qenë prioritet për shkak të mungesës së tregut të tokës, është parë si detyrim i menjëhershëm regjistrimi fillestar i pasurive për t’i përshtatur ato me sistemin e ri të regjistrimit. Shqipëria është e ndarë në afërsisht 3055 zona kadastrale dhe regjistrimi fillestar nuk ka kaluar ende në shumë prej tyre. Gjatë këtyre viteve janë vënë re një sërë problemesh si mungesa e regjistrimit fillestar në shumë zona, mungesa e trajnimit dhe udhëzuesve për stafin e ZRPP-së, koha e dorëzimit të shërbimit e papërshtatshme, rritja e ngarkesës së punës si pasojë e rritjes së numrit të regjistrimeve të pasurive, neglizhimi i azhornimit të informacionit dixhital gjerësisht në zonat kadastrale ku regjistrimi fillestar ka përfunduar, dëmtimi i hartave etj. Për të eliminuar këtë problematikë që nga 2005-a, janë ndërmarrë një sërë masash që kanë të bëjnë me ndryshime legjislative, vendosjen e sistemit të monitorimit të dhënies së shërbimit, kontrollin rigoroz në ZVRPP-të në rrethe etj.
Strategjia 4-vjeçare, ndryshimet për regjistrimin e pronës
Burime pranë Zyrës së Përgjithshme të Pasurive të Paluajtshme pohuan se është hartuar një strategji 4-vjeçare brenda së cilës synohen këto arritje: shërbimet e ofruara të jenë sa më të shpejta dhe të sakta dhe të përmbushin nevojat në rritje të tregut të tokës dhe të atyre që e përdorin dhe varen nga këto shërbime; të nxisë vendosjen e tarifave në nivelet me të ulëta të mundshme për përballimin e shpenzimeve vjetore, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe sigurimin e një shërbimi cilësor në fushën e regjistrimit; të sigurojë vazhdimësinë e integrimit dhe zhvillimit të regjistrit kombëtar të pasurive të paluajtshme gjatë gjithë procesit të regjistrimit fillestar; të zhvillojë dhe sigurojë indeks të azhornuar të të dhënave të hartave për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin; të zgjerohet përdorimi i kompjuterizimit për të përmirësuar mënyrën e mbajtjes së të dhënave, azhornimin dhe aksesin në to; të sigurojë kushte të mira pune për stafin, veçanërisht bazuar në logjistikën e zyrave, për të stimuluar një nivel të lartë motivimi. Për të realizuar këtë strategji është përcaktuar një plan-veprimi që parashikon ecurinë e implementimit të strategjisë ku në qendër është projekti LAMP, projekti më i madh për administrimin e tokës urbane, i financuar nëpërmjet fondeve të Bankës Botërore, që ka për qëllim: Përfundim i regjistrimit fillestar për 500 000 pasuri në zonat urbane të qyteteve kryesore; Përmirësimin e të dhënave të pasurive në zonat më prioritare të tregut të pasurive, azhornimin e informacionit dixhital, dizenjimin, zhvillimin dhe implementimin e Sistemit të Kompjuterizuar të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ndryshimet në legjislacion kanë ndikuar për:
Përcaktimin e procedurave të qarta ligjore për mënyrën e procedimit të zyrave të regjistrimit në rastet e kërkesave për regjistrim të pasurive, në varësi të aktit të paraqitur për regjistrim.
Qëndrimin zyrtar që mbajnë këto zyra në lidhje me regjistrimin apo jo të akteve të paraqitura për regjistrim, në varësi të ekzistencës apo mungesës së elementeve të caktuar, të cilët janë të përcaktuar qartë në aktet nënligjore.
Kontroll i akteve të zyrave vendore në rastin kur ato vendosin të refuzojnë një regjistrim, nëpërmjet miratimit që kërkohet për këto refuzime nga kryeregjistruesi.
Eliminimi i mbivendosjeve, ose më thjesht, eliminimi i 2 apo më shumë regjistrimeve për të njëjtën pasuri.
Fshirja e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin.
21 Mars 2009