Berisha fton opozitën në një konsensus për kryerjen e reformës zgjedhore

Me përfundimin e zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Berisha artikulon zyrtarisht ofertën e mazhorancës për zgjedhjet e reja, duke i lënë asaj sërish primatin e propozimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Kryeministri Sali Berisha përsëriti dje ftesën drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që në interesin e tij më të mirë, por edhe të vendit, të fillojmë sa me shpejt reformën zgjedhore. Gjatë mbledhjes se grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se ky sistem funksionoi, duke kapërcyer me sukses një nga provat më të vështira për çdo vend të zhvilluar, siç është gara kaq e ngushtë. “Dua të ftoj kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, në interesin e tij më të mirë, por edhe të vendit, sigurisht, që të fillojmë sa më shpejtë reformën zgjedhore. Ky sistem funksionoi. Ky sistem kapërceu me sukses një nga provat më të vështira për çdo vend të zhvilluar, siç është gara kaq e ngushtë, por ky sistem mund të përsoset më tej dhe kemi rekomandime për të shqyrtuar”- tha kreu i ekzekutivit, ndërsa përgëzoi vendimin e PS-së për t’iu drejtua Komisionit të Venecias. “Është bërë fjalë se Partia Socialiste do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. E përgëzoj dhe e garantoj që Partia Demokratike dhe koalicioni ynë është i gatshëm që së bashku me ta të kërkojë mbështetjen e Komisionit të Venecias, sikundër dhe mbështetjen e OSBE/ODIHR-it. Kjo është e kuptueshme. Këto dy institucione kanë ekspertizën më të mirë. Këto dy institucione, për dijeninë tuaj, kanë një marrëveshje, kanë një memorandum bashkëpunimi në doktrinën elektorale. Ndaj dhe është një rast që të bëjmë hapin bashkërisht”- nënvizoi kryeministri Berisha.
Ai vlerësoi se të dy këto institucione kanë ekspertizën më të mirë dhe ato kanë marrëveshje dhe memorandum bashkëpunimi në doktrinën elektorale. Kryeministri i përsëriti gjithashtu apelin opozitës për shqyrtimin e ligjeve me 3/5, të cilat presin votën e ligjvënësve. “Ftoj zotin Rama të shqyrtojë bashkërisht ligjet me 3/5 që presin votimin dhe mbetemi të hapur të mirëpresim çdo amendament që Partia Socialiste do paraqesë. Mendoj se Partia Socialiste i ka të gjitha potencialet për të dhënë kontributin që i takon, për të mos përdorur bllokimin për votimin. Dhe jam i bindur se ky është interesi i saj dhe interesi i vendit”- theksoi Berisha.
Kreu i Ekzekutivit u shpreh se PS i ka të gjitha potencialet për të dhënë kontributin që i takon për të mos përdorur bllokimin, por votimin. “Jam i bindur se ky është interesi i saj dhe interesi i vendit, sikundër i garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria mbetet e vendosur në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, në funksionimin e shtetit ligjor, si kushte më themelore për të garantuar liritë e qytetarëve shqiptarë”- tha ai duke shtuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit.