Kolegji Zgjedhor përmbylli fitoren e koalicionit të djathtë në Tiranë, i dha leksion Edi Ramës

Berisha: Fitorja e 8 majit, po aq e thellë sa e 92-shit
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi dje nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat se “me vendimin e fundit, Kolegji Zgjedhor shënoi dhe mbylljen përfundimtare të zgjedhjeve të 8 majit”, ndërsa u shpreh se “ky vendim përmbylli fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin””. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha garantoi të gjithë të zgjedhurit, kryetarët e Bashkive dhe komunave të Shqipërisë se “do të kenë te qeveria një partner të vërtetë dhe të vendosur për të punuar intensivisht dhe bashkarisht në projektin më të madh të të gjitha kohërave, Shqipëria vend i zhvilluar”. Duke vënë në dukje se me besimin që qytetarët shqiptarë vendosën mbi ta duhet të ndjehen shumë të privilegjuar, kreu i ekzekutivit tha se “do bëhet çdo përpjekje për ti dhënë vendit një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme”. Më tej, kryeministri u ndal tek koalicioni “Aleanca për qytetarin”, i cili sipas tij, hyri në këto zgjedhje, si koalicioni më i gjerë, më serioz, më i strukturuar dhe më i madhi në tërë historinë e pluralizmit shqiptar. “Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” doli nga këto zgjedhje si koalicioni më i fuqishëm elektoral që vendi ka njohur që nga viti ‘92”- tha Berisha duke shtuar se qytetarët shqiptarë në të katër anët e vendit votuan me rezultatin më të thellë se në të gjitha garat elektorale këtë koalicion, i cili mori 140 mijë vota më shumë se koalicioni tjetër”. “Mori 17% vota më shumë se koalicioni rival opozitar, rreth 43 mijë vota më shumë në të gjitha qytetet e vendit, 41 mijë vota më shumë për të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, 10 mijë e 909 vota më shumë në 4 gara të marrë së bashku të kryeqytetit të vendit”- deklaroi kryeministri. Sipas tij, ky është rezultati më i thellë dhe më shumë planësh, që një koalicion ka marrë në zgjedhjet elektorale të këtij vendi ndonjëherë, por edhe nga më të thellët në Europë. Për kreun e ekzekutivit, koalicioni mori këtë vlerësim nga qytetarët shqiptarë mbi të gjitha për shkak të performancës së qeverisë. “Me votën dhe me besimin e tyre të madh qytetarët dëshmuan se ata kanë vlerësuar dhe vlerësojnë përpjekjet e kësaj qeverie dhe mazhorance për zhvillimin e këtij vendi, ndjeshmërinë ndaj problemeve të tyre të përditshme, afatmesme dhe afatgjata, dëshmuan përpjekjet e kësaj qeverie për një rol stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe një progres të saj në proceset integruese euroatlantike dhe evropiane”- deklaroi Berisha. Sipas tij, qytetarët shqiptare kanë vlerësuar dhe vlerësojnë, transparencën dhe standardet transparente të vendosura nga kjo qeveri. Kryeministri Berisha vuri në dukje se ishin qytetarët ata që udhëhoqën fushatën më të bukur elektorale të vendit, ata që ndërtuan fitoren më të thellë dhe procesin zgjedhor dhe zgjedhjet më të bukura por edhe historike në disa aspekte të datës 8 maj. Duke vënë në dukje se, përpjekjet e këtij koalicioni qeverisës janë të një rëndësie kapitale, Berisha ritheksoi se “për çdo qytetar shqiptarë, modeli ynë ekonomik ia doli të funksionojë, të ketë mbidyfishim të bizneseve dhe të rriten investimet e huaja në vend”. Vendimet e Kolegjit pasuruan doktrinën elektorale shqiptare dhe dëshmuan funksionimin e shtetit ligjor/Kryeministri Berisha deklaroi dje se gara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës rezultoi e ngushtë, por Kolegji Zgjedhor i dha një leksion politikës, duke mos pranuar shkeljet e afateve ligjore për të paraqitur ankimimet. Duke vijuar analizën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të 8 majit, Berisha e cilësoi atë si një fitore të madhe, por njëherazi edhe më shumë përgjegjësi për koalicionin qeverisës. Kryeministri u shpreh se qëndrimi ynë ishte kryekëput i bazuar në moralin, germën dhe frymë e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. “Strukturat tona kërkuan që të identifikohej çdo votë e hedhur në kutitë e tjera, pasi në kodin e vendit ato ishin vota të vlefshme. Dhe nuk ka autoritet që ato vota mund t’i përjashtojë nga numërimi në një vend të lirë, në diktatura çdo gjë dënohet”- nënvizoi ai. Berisha vlerësoi se këto zgjedhje janë zgjedhje të historisë, sepse Kolegji Zgjedhor pasuroi në mënyrë thelbësore doktrinë elektorale shqiptare. “Nuk ka ligj që të përshkruajë gjithçka. Në një garë të ngushtë, siç ishte kjo e Tiranës, ishin të ligjshme diskutimet dhe kundërshtitë, por çdo votë u lexua para gjithë shqiptarëve. Pas disa veprimeve absurde palët i thirrën mendjes dhe iu drejtuan organeve kompetente për shqyrtimin e ankesave. PS dhe forcat e tjera, që kishin kundërshtitë e veta, ndërmorën një seri padish, duke dëshmuar gjithashtu vlerësimin e tyre në thelb për institucionet kushtetuese”- tha Berisha. Duke u ndalur në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, kreu i Ekzekutivit tha se “Kolegji ka 8 gjykatës të emëruar në trupën e tij”. “Është në nderin, dinjitetin e tij, që në dy vendimet e marra së bashku, të tetë gjykatësit kanë votuar për legjitimitetin e numërimit të këtyre votave dhe vlerësimit të tyre”- tha kryeministri. Sipas tij, Kolegji i tretë mbrojti në mënyrën më dinjitoze sistemin zgjedhor të vendit. “Parimi i zgjedhjeve të lira kërkon që ti të mos tërheqësh zvarrë procesin, askush nuk ka të drejtë për këtë. Kolegji përcaktoi me vendimin e tij të fundit se askush nuk mund të shkelë afatet ligjore për të paraqitur animimet”- theksoi Berisha. Ai vuri në dukje se këto tre vendime ishin një pasuri e madhe e doktrinës elektorale të Shqipërisë, ishin dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor. Gjithashtu, Berisha falenderoi dhe u shprehu mirënjohje qytetarëve shqiptarë që morën pjesën në këto zgjedhje, anëtarët dhe simpatizantët e PD-së dhe gjitha forcat politike të koalicionit për mbështetjen dhe besimin plebishitar që i dhanë “Aleancës për Qytetarin”.
...