Kolegji zbardh vendimin e 8 Korrikut, që la në fuqi Bashën kryebashkiak

Kolegji Zgjedhor ka zbardhur sot vendimin e tij të datës 8 korrik, me anë të të cilit rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve vendore në Tiranë. Ky vendim me anë të të cilit Kolegji Zgjedhor la në fuqi rezultatin e nxjerrë nga KQZ për Tiranën, automatikisht shpalli kandidatin e Aleancës për Qytetarin Lulzim Basha, fitues të garës për kryetar bashkie në kryeqytet. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i datës 8 korrik 2011 me firmat e relatores Sashenka Jonuzi dhe 4 gjyqtarëve të tjerë, është i formës së prerë, përfundimtar dhe ndaj tij nuk mund të ketë më asnjë ankimim.
Ky vendim erdhi 2 muaj pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit, kohë kur Partia Socialiste dhe kandidati i saj për bashkinë e Tiranës, Edi Rama u përpoqën me të gjitha format të zvarritnin procesin e shpalljes së rezultatit për kryetar bashkie, duke iu drejtuar 3 herë me kërkesa ankimore Kolegjit Zgjedhor.