Po digjen dokumentet e Bashkisë, shkatërrohet serveri elektronik

Me zyrtarizmin e humbjes, Edi Rama lëshon kushtrimin për zhdukjen e gjurmëve komprometuese të aferave korruptive. E gjithë praktika që kasnecët e Edvinit ndiqnin me firmat e ndërtimit dhe klientët e tjerë po digjej dje gjatë të gjithë ditës, ndërkohë që zhdukja e gjurmëve është shtrirë edhe tek serverat qendrorë të institucionit. Situata e rëndë po rrit nevojën e një investigimi ndërkombëtar për përgjegjësit e kësaj masakre
“Zhdukni të gjitha gjurmët”
Ky është “kushtrimi” që Edi Rama ju ka dhënë vartësve të tij në bashkinë e Tiranës.
Nën thirrjen e këtij kushtrimi, jo aq për bindje, se sa për të shpëtuar edhe veten, nëpunësit e bashkisë së Tiranës u janë vërsulur praktikave të ndryshme, duke i eliminuar ato, si dokumente që komprometojnë sjelljen abuzive me tenderët për punët publike në bashkinë e Tiranës. Dosje të shumta voluminoze, në inventarin e të cilave ndodhen dokumente pjesëmarrësish në tenderët e sajuar për punët publike, kanë filluar të nxirren e të asgjësohen, jashtë dhe larg godinës së bashkisë së Tiranës.
Pjesë e këtij operacioni të nëpunësve në ikje të bashkisë së Tiranës, janë edhe të tjera dokumente që kanë lidhje me projekte të ndryshme, pjesëmarrësish në konkurse fiktive, të organizuara në emër dhe për llogari të bashkisë së Tiranës.
Ndërsa identifikimi dhe asgjësimi i pjesës së dokumentuar, në letra të printuara, përbën një pjese operacionit të eliminimit të gjurmëve komprometuese, një interesim të madh, nëpunësit e bashkisë së Tiranës, po tregojnë edhe për zhdukjen e gjurmëve elektronike. Në këtë kontekst, korrespodencat e shumta të realizuara nga bashkia e Tiranës, nëpërmjet adresave elektronike të e-maileve, apo edhe serveri elektronik dhe dokumentet e ndryshme e të shumta të gjendura nëpër kompjuterë, po pësojnë të njëjtin fat, po asgjësohen.
Ndërsa Edi Rama është angazhuar në këto ditë të post konfirmimit të humbjes së bashkisë së Tiranës, për të zhdukur gjurmët komprometuese të aferave abuzive dhe korruptive, ai harron se në 11 vjet që ka “mbretëruar” në bashkinë e Tiranës, gjurmët komprometuese, janë aq të shumta e të dukshme, sa nuk ka nëpunës bashkie, që ti identifikojë të paktën dhe jo më të mendohet e besohet se mund të zhduken të gjitha. Jo vetëm kaq, por shembulli i Dritan Priftit, që ia futi vetes me lap-topin e tij, është aq i freskët sa, të besohet se një “select all” dhe një “delete” në kompjuter, nuk mjaftojnë për të zhdukur gjurmët abuzive dhe komprometues, të aferave të Edi Ramës, në bashkinë e Tiranës. Dhe atëherë, pas rikuperimit të “delete”-ve të pretenduara, afera e 70 mijë eurove e Dritan priftit, “do të duket lule”, para aferave abuzive dhe korruptive, që fshehin, por nuk i zhdukin, kompjuterët dhe serveri i bashkisë së Tiranës.