E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, fundjavë në Dajt pas negociatave me ekspertët e KE



Pas negociatave me ekspertët e Komisionit Evropian që u paraprinë nga darka e Strasburgut, kryeministri Berisha zgjedh Malin e Dajtit për të kaluar fundjavën. Kreu i Qeverisë ka udhëtuar mëngjesin e djeshëm drejt pikës më të lartë të kryeqytetit, ku ndryshe nga herët e tjera, në Dajt e prisnin një grup të rinjsh, me të cilët diskutoi që nga liberalizimi i vizave, te roli i opozitës dhe reforma në sistemin arsimor. Sipas kreut të ekzekutivit, vendit i duhet një opozitë e fortë. "Shqipëria është një vend që ka vuajtur për opozitë. Gjenerata ime, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka vuajtur për opozitë. Dhe do të them një gjë: ne në vitet që qëndruam në opozitë, dua tu rrëfej me shumë sinqeritet, kemi qëndruar shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Opozita duhet ndërtuar. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin. Në këtë aspekt, opozita është pushteti moral i vendit". Kreu i maxhorancës ka komentuar edhe vendimin e tre ditëve më parë të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave mes vendeve të hapësirës Schengen dhe Shqipërisë. Sipas Berishës, ndryshe nga 20 vjet më parë, kur shqiptarët u dyndën nëpër anije për të kaluar Adriatikun, tani do të udhëtojnë drejt vendeve të Unionit si qytetarë të ligjshëm. "Asnjë qytetar nuk do të ketë më vonesë për t'u nisur drejt destinacionit të tij. Liberalizimi është dhe një lehtësim real financiar. Pra, u arrit një ëndërr e vërtetë. Imagjinoni, ata që u nisën me anije 20 - vjet më parë ishin moshatarët tuaj, ndërsa ju, shumë shpejt, do të niseni më me dinjitet dhe do të keni mundësinë të njihni hapësirën Evropiane, një hapësirë e krijuar mbi bazën e një mrekullie njerëzore, sepse Evropa nuk ka krijuar asnjë mrekulli më të madhe se sa Bashkimin Evropian", u shpreh Berisha. Një tjetër çështje e diskutuar në takimin me të rinjtë në Malin e Dajtit ishte edhe procesi i integrimit, ku hapi i radhës është pikërisht marrja e statusit të vendit kandidat. Kreu i Qeverisë tha se në të gjitha takimet e nivelit të lartë ka kërkuar që ky proces të vlerësohet mbi bazën e meritës. Ndërsa për reformën në sistemin arsimor ai deklaroi se "ne jemi përqendruar shumë në reformën në universitete. Nuk ka reformë më të rëndësishme, sepse si do të shkolloheni ju, ashtu do të shkruhet edhe libri i së ardhmes. Ju do ta shkruani atë. Ne i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe reformës në universitete. Prapë ka punë për t'u bërë, sepse nga ana sasiore ne kemi ecur shpejt, por po kaq shpejt duhet të ecim edhe në cilësi. Duhet që, ashtu siç rritëm me shpejtësi numrin e studentëve, të rrisim dhe numrin e pedagogëve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›