E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadon edhe mandati i kryetarit, pas 7 qershorit bllokohet Gjykata Kushtetuese



Aristir Lumezi

Bllokohet puna në Gjykatën Kushtet-uese pas 7 qershorit. Në fund të javës së parë të qershorit mbaron mandati i kryetarit aktual të saj, Vladimir Kristo, i cili qëndroi në krye të saj për tre vjet. Me largimin e tij nga kreu i gjykatës, por jo si anëtar i saj dhe moszgjedhjen e kryetarit të ri, Gjykata Kushtetuese pritet të hyjë në një kolaps të vërtetë, pasi pa prezencën e kryetarit gjykata nuk mund të zhvillojë asnjë aktivitet. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 12 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", "përgatit, thërret dhe drejton seancat plenare të kësaj gjykate, bashkërendon punën mes gjyqtarëve, përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët si dhe nënshkruan aktet e saj, por dhe drejton punën e administratës së saj". Mungesa e kryetarit të gjykatës e bën këtë institucion të pa drejtueshëm dhe në mungesë të plotë të vendimmarrjes. Kjo situatë pritet të zgjasë deri në emërimin e katër gjyqtarëve të rinj që pritet të dekretohen nga Presidenti i Republikës. Pa plotësimin e të gjithë vendeve vakant, të cilët janë pothuaj gjysma e trupës së gjyqtarëve, nuk mund të zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Por ndryshe nga anëtari i kësaj gjykate, i cili mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij, ligji për organizimin e Gjykatës Kushtetuese nuk përcakton këtë të drejtë dhe për kryetarin. Por sipas po këtij ligji, Kristo ka të drejtë të rizgjidhet sërish në krye të këtij institucioni. Kristo mori mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007 dhe në qershor të po atij viti u zgjodh kryetar i saj. Kryetari aktual do të vazhdojë të jetë pas 7 qershorit anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të kësaj gjykate është e njëjtë me atë të zgjedhjes së anëtarit të saj, pra "Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh, me të drejtë riemërimi brenda mandatit të gjyqtarit", përcaktohet në nenin 7 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Por koha e shkurtër, vetëm një javë e mandatit të kryetarit aktual, nuk premton një zëvendësim të tij në kohë, pasi ende nuk janë dekretuar katër anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe dhënia e pëlqimit për to nga ana e Parlamentit. Precedenti i fundit i zëvendësimit të kryetarit të kësaj gjykate, është ai i Gjergj Saulit, i cili menjëherë sapo mbaroi mandatin e tij si kryetar, u largua nga ky pozicion dhe qëndroi si anëtar i thjeshtë i saj, ndërsa gjykata për rreth dy javë nuk zhvilloi asnjë aktivitet deri në zgjedhjen e kryetarit aktual të saj, Vladimir Kristo i cili sapo ishte emëruar në këtë institucion. Dy javë më parë Parlamenti miratoi dy nga tre kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Vangjel Kostës, pasi sipas shumicës, Kosta kishte dhënë para viteve '90 vendime politike. Ky votim ka sjellë vonesa dhe në zëvendësimet e tjera në këtë gjykatë, pasi janë dhe tre gjyqtarë të tjerë të cilëve u ka mbaruar mandati pak ditë më parë.

Sokol Sadushi
Nga viti 1998 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Sadushi ka lindur më 27.07.1963 në Vlorë dhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986. Ka kryer studimet pasuniversitare në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe është titulluar "Master në Drejtësi". Në vitin 2006 merr gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike". është autor i shumë punimeve dhe artikujve me karakter studimor.

Xhezair Zaganjori
Anëtari i Kushtetueses, Prof.As.Dr. Xhezair Zaganjori ndodhet në këtë detyrë që nga viti 2003. I lindur në 1957 në Shkodër, Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë më 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë Lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë.

Admir Thanza
Gjyqtari Kushtetues Admir Thanza, 41 vjeç, është anëtari më i ri aktual i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, ai zëvendësoi ish-anëtarin Gjergj Sauli, i cili u largua nga detyra për shkak të daljes në pension. Thanza është diplomuar për Drejtësi në Tiranë më 1992. Nga kjo kohë deri më 2006 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërkohë në periudhën 1999 - 2006 ka qenë edhe Kryetar i kësaj gjykate, por dhe anëtar i KLD-së.

Petrit Plloçi
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi ka lindur më 1958 në Mat. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1983. Pas kësaj ka punuar në Gjykatat e Shkallës së Parë të rretheve Dibër, Shkodër e Mat, si dhe në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë periudhës 1993-2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Plloçi ka dhënë kontributin e tij në hartimin e Kodit Civil.

ligji per gjykaten kushtetuese

Neni 12
Kompetencat e Kryetarit
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka këto kompetenca:
a) Përgatit, thërret e drejton seancat plenare të Gjykatës Kushtetuese.
b) Përfaqëson Gjykatën Kushtetuese në marrëdhënie me të tretët.
c) Bashkërendon punën midis gjyqtarëve.
ç) Nënshkruan aktet e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të vendimeve që nënshkruhen nga të gjithë gjyqtarët.
d) Emëron dhe largon nga detyra personelin administrativ, si dhe merr masa disiplinore ndaj tij.

“Rrëzimi i Kostës i çuditshëm”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs e cilësoi pak ditë më parë rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës nga ana e maxhorancës si politik. "Disa ditë më parë, Parlamenti refuzoi emërimin e z. Vangjel Kosta në një votim thuajse partiak. Sinqerisht, këtë vendim e gjeta befasues, në mos të pakuptueshëm. Qartësisht, vendimi nuk bazohej mbi kualifikimet e z. Kosta, përderisa përvoja dhe aftësitë e tij qëndrojnë përtej dyshimit dhe emri i tij si jurist është në nivelet më të larta, përfshi në nivel ndërkombëtar. Dhe, arsyet e dhëna për votimin e Parlamentit dukeshin politike deri në shqetësim", është shprehur Uidhërs.

Kushtetuesja, Topi gati 4 emra të tjerë

Erald Kapri

Presidenti i Republikës Bamir Topi pritet që të dekretojë edhe 4 emra të tjerë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në një kohë kur zëra nga maxhoranca, konstitucionalistë etj, kanë sugjeruar që Topi të presë dhe të interpretojë nenin 125 të Kushtetutës, mësohet se kreu i shtetit do të zëvendësojë anëtarët që u ka mbaruar mandati. Nga stafi në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj, mësohet se po vijon puna për gjetjen e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore e profesionale. Neni 125 i Kushtetutës parashikon që rinovimi i Gjykatës Kushtetuese ndodh njëherë në 3 vite, dhe jo më shumë se një e treta e anëtarëve, pra jo më shumë se 3 anëtarë gjithsej mund të ndërrohen njëherësh. Në këtë pikë, zëvendësimi i 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të menjëhershme është cilësuar si jokushtetues nga shumë prej konstitucionalistëve. Edhe maxhoranca e djathtë nuk ka dhënë një qëndrim të saj në lidhje me këtë debat, por vetëm pak ditë më parë, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj hodhi idenë që Presidenti mundet që të presë në emërimet e reja. Sipas tij, mund të jetë një interpretim që anëtarëve që u ka mbaruar mandati, mund të vijojnë detyrën deri në zëvendësimin me të tjerët. Një pikë tjetër e diskutuar mbetet edhe çështja e rrotacionit në Gjykatën Kushtetuese. Por stafi i përzgjedhjes së kandidaturave e interpreton në formën e tij këtë pikë. Sipas tyre, rrotacioni në Gjykatë është bërë duke iu referuar ndërrimit të krerëve të Gjykatës nga Rustem Gjata, tek Fehmi Abdiu. Sipas tyre, për derisa mandati u ka mbaruar anëtarëve, ata duhet të zëvendësohen.
Neni 125 i Kushtetutës, në pikën 4 të tij thotë shprehimisht: "Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh". Por aktualisht duhet të ndërrohen 6 anëtarë, ndonëse kushtetuta parashikon vetëm 3 prej tyre. Kjo situatë ka ndodhur për shkak se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, e Sokol Sadushi kanë marrë një mandat 12 vjeçar në vitin 1998. Anëtarët pas tyre morën mandat 9 vjeçar, sipas Kushtetutës që u miratua me referendum në 28 nëntor 1998. Nga ana tjetër, pika 5 e nenit 125 të Kushtetutës thotë se "Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij". Kjo pikë interpretohet si mundësi që Topi të mos dekretojë 6 anëtarë njëherësh. Në këtë mënyrë, sugjerohet që anëtarët e tjerë të qëndrojnë në detyrë edhe 3 vite të tjera.

Godo: Topi t’i referohet Kushtetutës,të mos ndërrohen 6 anëtarë njëherësh

Bashkëhartuesi i Kushtetutës, Sabri Godo, në një intervistë për gazetën "Panorama" dy ditë më parë, tha se Presidenti i Republikës Bamir Topi nuk duhet të zëvendësojë 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Godo tha se Kushtetuta parashikon që anëtarët të zëvendësohen njëherë në 3 vite, dhe jo më shumë se 3 anëtarë. "është dashur prej kohësh që të përgatitet një paketë për të gjitha rastet kur Kushtetuta krijon një vakum. Ka edhe çështje të tjera që janë të diskutueshme në Kushtetutë, që i nxori koha. Këtë e ka bërë edhe Kroacia, madje e shpalli si republikë të dytë ribërjen e Kushtetutës. Ne nuk kemi nevojë ta ribëjmë Kushtetutën, kemi një Kushtetutë të mirë të niveleve evropiane", tha Godo i cili pyetjes nëse Topi duhet të dekretojë edhe 3 anëtarë të tjerë të Gjykatës, ai iu përgjigj:" duhet t'i referohet Kushtetutës". Bashkëhartuesi i Kushtetutës, duke folur më shumë për këtë çështje, tha se kreu i shtetit nuk mund të shkojë përtej Kushtetutës. Sipas tij, anëtarët e vjetër mund të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin me anëtarë të rinj. "Presidenti nuk duhet të bëjë asgjë përtej Kushtetutës. Paragrafi i parë, sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zëvendësohen një herë në tre vjet tre anëtarë është kategorik. Ndërkohë që kryhet procesi, mund të shkojë një javë, mund të shkojë një muaj zëvendësimi i tyre. Gjatë kësaj kohe që të mos mbetet Gjykata Kushtetuese bosh, ai qëndron në detyrë. Kjo është njësoj edhe për ministrat, shkarkohet një ministër, por qëndron në detyrë deri sa vjen ministri tjetër. Ky është kriter i përgjithshëm i administratës", u shpreh Godo. Duke e cilësuar si një ngërç kushtetues, Godo u shpreh se duhet parë mundësia e zgjidhjes, por sipas tij, Kushtetuta nuk duhet prekur. "Unë e thashë që Parlamenti nuk mund të vërë dorë në Kushtetutë, kjo u përsërit dhe jemi duke e bërë Kushtetutën si defter bakalli. Kjo nuk është serioze, kjo është vërtetuar në vitet e fundit, por duhet të ndalet një herë e përgjithmonë", tha më tej Sabri Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›