Rama: Liberalizimi, jo peng i krizës
Aristir Lumezi
Komiteti i Internacionales Socialiste të Europës Lindore, i cili u mblodh dje paradite në Tiranë, i bën apel Qeverisë ndërmarrjen e hapave për zgjidhjen e krizës, e cila rrezikon integrimin e BE. Të pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Luis Ajala Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales dhe ish kryeministri bullgar Sergei Stanishev, bashkëpresident i Komisionit të Internacionales Socialiste. Kryetari i PS-së, i cili është njëkohësisht dhe bashkëpresident i këtij komisioni, u shprehu mirëseardhjen të pranishmëve dhe duke u përcjellë situatën aktuale në Shqipëri, nënvizoi se kriza politike nuk duhet të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, si një çështje që duhet të jetë e të tashmes e jo të ardhmes. “Konferenca zhvillohet në kushte ku Shqipëria kalon një periudhë të ngarkuar, ku Shqipëria ndodhet në barrën e një krize të gjithanshme të demokracisë dhe ekonomisë.... megjithatë Shqipëria duhet të ecë sa më parë drejt integrimit dhe liberalizimi i vizave nuk duhet të jetë një çështje e të ardhshmes, por i të tashmes” - tha Rama, duke përshëndetur rekomandimin e KE. “PS ka qenë këmbëngulëse për ta ndarë fatin e integrimit të Shqipërisë me krizën politike, si dhe për Bosnjën e konsideruam të padrejtë lënien e Shqipërisë jashtë liberalizimit të vizave vitin e kaluar”, nënvizoi Rama.
Bashkëpresident i Komisionit të Internacionales Socialiste të Europës Lindore, Rama tha se mbështet vizionin e qeverisë greke të Papandreut që “Ballkani Perëndimor të ishte në familjen e BE brenda 2014” dhe se bashkëpunimi rajonal është mjaft i rëndësishëm. Ai shtoi se PS bëri të pamundurën që një gjë e tillë të mos ndodhte dhe se prova më e mirë e vjedhjes së votës është pikërisht kjo zgjatje krize. “Bojkoti ynë nuk solli krizën, por kriza solli bojkotin” - nënvizoi Rama, duke sqaruar se greva e urisë që PS ndërmori ishte e vetmja zgjedhje në një demokraci të marrë peng që me vjedhjen e votave.
Rezoluta
Në fund të takimit, Internacionalja socialiste ka miratuar një rezolutë të përbashkët, ku kërkohet hetim i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit, me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik. Përmbajtja e rezolutës është bërë e njohur nga Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala, ku theksoi se ngërçi politik po pengon integrimin drejt BE, për qytetarët shqiptarë.
“Sot kemi dëgjuar, kemi biseduar dhe arritëm në një rezolutë të miratuar njëzëri. Pozicioni i shprehur nga Internacionalja Socialiste, për nevojën e riformimit të demokracisë, për një transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Komiteti thekson thirrjen e një komisioni hetimor që ka të bëjë me materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit. Pranojmë se ngërçi po dëmton qytetarët dhe po pengon Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave”, theksohet në rezolutë. Një pikë tjetër referuese e kësaj rezolute, sipas Ajalës është përpjekja e opozitës për të ofruar rrugën e zgjidhjes së krizës, ndërsa shton se në vend duhet të punohet për forcimin e institucioneve.
Luis Ajala: PS e bëri hapin e saj
Sekretari i Përgjithshëm, Luis Ayala theksoi se PS e bëri hapin e saj në përpjekje për të gjetur gjuhën e kompromisit. “Kërkesat objektive procedurore janë në diskutim. Ato kanë të bëjnë me regjistrat në kutitë e votimit, kanë të bëjnë me të gjitha ato aspekte të diskutuara, por mbi të gjitha kanë një mangësi në ndjesinë që është shkaktuar në njerëzit tanë dhe këtë unë e shoh në fytyrat e atyre që kam takuar. Nuk kemi ende një përgjigje për zgjedhjet që janë zhvilluar vitin e kaluar; këto janë përgjigje të mbajtura pezull që kërkohet të jepen dhe ne jemi këtu që të shoqërojmë jo vetëm socialistët në Shqipëri, por edhe popullin shqiptar për të përfituar të drejtën bazë, në momentin kur ne e ndjejmë që ka një vetëdije në këtë proces se kush janë fituesit dhe kush humbësit. Jam vërtetë i inkurajuar nga përgjegjësia e treguar nga zoti Rama dhe socialistët”, u shpreh Ajala.
Stanishev: S´ka BE pa bashkëpunim
I pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Internacionales Socialiste të Europës Lindore ish-kryeministri bullgar, Sergei Stanishev, e vuri theksin te puna që duhet të bëjë klasa politike me qëllim integrimin në BE. Duke marrë si shembull vendin e tij, Bullgarinë, Stanishev foli për punën e madhe dhe të palodhur që vendit iu desh për t’u bërë pjesë e BE. “Institucionet të bëjnë punën e tyre e të përmbushin standardet europiane, nuk mund të ëndërrohet BE pa bashkëpunim. Shqipëria përballet me shumë kriza, në Shqipëri ka krizë institucionale dhe politike”, deklaroi Stanishev. Duke i bërë thirrje Qeverisë se pa bashkëpunim nuk mund të arrijë integrimin, Stanishev nënvizon se “Partia në qeveri ka nevojë për opozitën në qeveri, për bërjen e reformave duhen dy palë. Qeveria duhet të reagojë ose të mbajë përgjegjësitë për dështimin, në fund do jenë ata që do paguajnë koston politike”.
Nastase: PD të reagojë, PS bëri lëshime
Ish-kryeministri i Rumanisë, Adrian Nastase, pjesëmarrës në mbledhjen e komitetit të IS për Europën Juglindore, gjatë një prononcimi për mediat lëshoi apelin për zgjidhjen e krizës, që vendit të mos i pengohet liberalizimi i vizave. Duke propozuar një tryezë të përbashkët për palët, Nastase theksoi se kjo është rruga më e mirë për t’i treguar Brukselit gatishmërinë për të qenë pjesë e Europës. “Po diskutojmë për kompromis, forcat politike duhet të ulen në një tryezë dhe të dalin me një dokument të përbashkët, ku të zgjidheshin problemet e së shkuarës por edhe ato që shqetësojnë të ardhmen. Ne kemi ardhur jo si mbështetës të PS por edhe të popullit shqiptar, nëse mbeten me të shkuarën nuk mund të shikojnë të ardhmen. Partitë politike duhet të mblidhen së bashku dhe t’i përcjellin Brukselit mesazhin se janë gati të bëhen pjesë e Europës”, theksoi Nastase.
Rezoluta e Internacionales Socialiste
Apel autoriteteve shqiptare që të lejojnë një hetim parlamentar tërësor dhe të plotë. Për të parë dhe trajtuar çështjet e ngritura, si ato që kanë të bëjnë me materialet zgjedhore dhe me fletëve të votimit
Komiteti pranon se bllokimi në politikën shqiptare po dëmton qytetarët e vendit dhe po kërcënon përpjekjet për integrim
Komiteti njeh faktin se mungesa e transparencës dhe neglizhenca e procesit zgjedhor ka qenë një faktor kyç që ka kontribuar në përkeqësimin e situatës politike në një nivel të tillë.
Internacionalja mbetet e angazhuar të mbështesë kërkimin e një zgjidhjeje aktuale në Shqipëri. Duke mobilizuar jo vetëm lëvizjen tonë, por edhe aktorë të ndryshëm në bashkësinë ndërkombëtare, deri në arritjen e një rezultati të kënaqshëm.
Internacionalja Socialiste dhe anëtarët e këtij komiteti mbështet Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe aleatëve të saj në përpjekjet e tyre aktuale, duke përfshirë dhe vëzhgimet e nevojshme të fazave të ndryshme të përgatitjes për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme duke garantuar ndershmërinë dhe transparencën e tyre.