E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë z.Widhers!

Edmond Arizaj

Në shqip kjo shprehje zakonisht përdoret për ata që mund të mos i shohësh më apo që shpreson të mos i shohësh më. Në prag të zëvendësimit tuaj z.Widhers, shumë shqiptarë nuk do të donin që pasardhësi të kishte sadopak ngjashmëri me ju. Sepse ju keni pak ngjashmëri me vendin që përfaqësoni, me ëndrrën që vazhdon të ushqejë ai vend tek shqiptarët.
Z.Widhers, megjithëse përfaqësues diplomat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka folur si prokuror i Shqipërisë, jo rrallëherë. Z.Widhers, megjithëse ambasador, ka folur edhe si gjykatës në Shqipëri. Z.Widhers ka folur edhe si President i shqiptarëve. Z.Widhers ka folur edhe si Kryeministër. Z.Widhers ka folur edhe si gazetar. Ambasadori Widhers ka hyrë aq thellë në jetën shqiptare sa mund të jetë ndjerë pjesë e saj, qoftë edhe e problemeve dhe shqetësimeve të saj. Por nuk ka marrë pasaportë shqiptare. Së shpejti do të largohet. Mund të ketë një kujtim nga Shqipëria, ashtu si edhe nga vende të tjera të kategorisë sonë. Kujtim që mund të vijë duke u zbehur. E, në prag të largimit z.Widhers ndërmori edhe hapin e fundit që i kishte mbetur, foli edhe si deputet dhe si opozitë shqiptare. Po, po. Në seancën kur votohej për gjykatësin e Kushtetueses, opozita nuk ishte e pranishme. Ishte ambasadori që u vu në këtë rol, duke rivalizuar me opozitën e vërtetë dhe legjitime shqiptare, të zgjedhur nga populli shqiptar dhe jo të emëruar nga ndonjë administratë. "Vendim politik" e quajti ambasadori, a thua se në Kuvendin tonë merren vendime sportive-kulturore. "Jo transparent" e quajti ambasadori, a thua se nuk ishte LIVE e gjithë seanca. Vallë nuk e kupton ambasadori se në gjithë botën partitë që hyjnë në zgjedhje kërkojnë shumicën-maxhorancë pikërisht për të marrë vendime që ata i mendojnë si më të përshtatshme?! Apo bën sikur? Vallë nuk e di ambasadori se edhe në vendin e tij me demokracinë më të lartë, rrëzohen dekrete të Presidentit?! Apo edhe ato janë vendime politike dhe jo transparente. Vallë nuk e di ambasadori që nxitoi të flasë se në radhë të parë duhej të shprehej kryetari i vendit, Presidenti Bamir Topi, të cilit edhe iu rrëzua dekreti, më pas të shprehej opozita, e cila ka edhe 64 deputetë të paguar pikërisht për t'u shprehur, dhe në fund dhe jo publikisht, por me anë të kanaleve të quajtura rëndom diplomatike, mund të shprehej edhe ai. ç'është kjo dëshirë e këtij ambasadori kalimtar për të marrë atribute që nuk i takojnë në një vend sovran, me Kushtetutë 12- vjeçare, me institucione të konsoliduara, dhe anëtar në shumicën e organizmave europiane dhe botërore. Mos është një rudiment i të shkuarës princërore? Mos ka "detyrë" të dualizojë çdo institucion shqiptar? Mos po i bën "nder" ndokujt dhe shqiptarët nuk e dinë? Le ta bëjë transparencën ambasadori që edhe ne të jemi të qartë dhe ta mirëkuptojmë sa herë ai është shprehur me gjuhën anti-diplomatike.
Shqipëria ka një President legjitim. Ka një Parlament legjitim, me një Kryetare legjitime. Ka një Qeveri legjitime, me një Kryeministër legjitim. Ka një opozitë legjitime, me një kryetar legjitim. Ka dhe prokurori e gjykata, po legjitime. Asnjë institucion shqiptar nuk është i kundërligjshëm. Asnjë institucion shqiptar për vendimet e tij nuk jep llogari askund, përveçse në një institucion tjetër shqiptar. Dhe të gjithë bashkë japin llogari para popullit shqiptar, një herë në katër vjet. Vitin e kaluar zgjedhjet ishin po legjitime. Pse atëherë në një vend me institucione më se legjitime dhe secila në vendin e vet, duhet të replikojë një ambasador për çdo vendim të tyre. Kaq vend çokollatash dhe çamçakëzësh dukemi?! Po, ne ishim një vend përafërsisht anormal, me vetëm gjysmë Parlamenti, por për nëntë muaj rresht nuk u dëgjua ambasadori Widhers. Kanalet diplomatike të tij mund të kenë punuar, por publikisht ishte shumë i zbehtë. Mos vallë në statusin e tij si ambasador, përfaqësues i përkohshëm i një vendi, ka ndonjë pikë ku shkruhet se ai duhet të japë mendimin e tij për çdo situatë, edhe pa ia kërkuar?
Shumë pikëpyetje ka ngritur z.Widhers te shqiptarët, në prag të largimit të tij. Të paktë janë ata që mund të mendojnë se gjith' çka folur ai në këto vite, janë edhe fjalët e Departamentit të Shtetit. Nëse ai bën transparencën e pohimeve të tij dhe është veçse ambasadori që ka folur, atëherë edhe ne mund të ulim kokën përpara shtetit të madh që i kemi shumë borxhe. Por nëse është e kundërta, atëherë lamtumirë z.Widhers!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›