E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanci investitorëve vendas e të huaj

I pranishëm në përurimin e fillimit të punimeve të fabrikës së çimentos në Balldre të Lezhës, një investim italo-shqiptar, Kreu i Qeverisë cilësoi se "do të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri" 

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në përurimin e fillimit të punimeve të fabrikës së çimentos në Balldre të Lezhës, një investim italo-shqiptar. Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri garantoi mbështetjen e tij dhe të qeverisë që drejton për krijimin e një klime sa më të mirë ndaj biznesit vendas dhe investitorëve të huaj.
“Do të bëj të gjitha përpjekjet për të lehtësuar investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri dhe do të fshijnë të gjitha barrierat burokratike". Nuk janë shkresat që japin garanci, por zbatimi i ligjit”, theksoi kreu i qeverisë.
Fabrika e çimentos në Balldre, një investim prej 250 milon eurosh, cilësohet si një nga investimet më të mëdha në vend. Për ndërtimin e fabrikës do të punësohen 400 punëtorë dhe sipas projektit afatet e përfundimit të saj janë dy vjet e gjysmë. Pas përfundimit të fabrikës së çimentos, në të do të punësohen rreth 250 vetë.
Paulo Fassa është një nga lideret e produkteve të ndërtimit në Itali dhe Evropë.
Në përurim ishin të pranishëm ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia, deputetët Preç Zogaj, Aldo Bumçi, investitori italian, Paulo Fassa, dhe përfaqësuesi i palës shqiptare Isuf Berberi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›