E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Mishto: Me këtë nënshkrim, reformat e qeverisë Berisha marrin edhe njëherë vlerësimet e Presidentit Bush

Flet ekskluzivisht për gazetën “55”, Dritan Mishto, përfaqësuesi shqiptar, i ngarkuar me çështjet e NATO-s, në misionin diplomatik shqiptar në Uashington

Në ceremoninë e sotme në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë, do të marrë pjesë edhe Dritan Mishto, përfaqësuesi shqiptar i NATO-s në Washington. Në një intervistë të tijën për gazetën “55”, Mishto bënë të ditur se, “Reformat qeveritare marrin kësisoj edhe një herë vlerësimet e presidentit të vendit më të fuqishëm të botës, duke riafirmuar se Shqipëria, ndonëse një demokraci e re, por që funksionon, e ka merituar vendin e saj krah shteteve të zhvilluara perëndimore, në tryezën e NATO-s”.
Lidhur me ceremoninë ai sqaron midis të tjerave se, Presidenti Bush do të firmosë aktin që deklaron se SHBA-ja miraton Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Sipas Kushtetutës amerikane, vendimet e Senatit firmosen nga Presidenti. Edhe ky akt është i tillë, pra firmoset vendimi i Senatit i para rreth katër javëve, që miratoi ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, sqaron më tej Mishto.

ǒpërfaqëson ceremonia e sotme në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkrimi i këtij dokumenti nga Presidenti Bush?
Më lejoni paraprakisht të sjell në vëmendje se, SHBA-të dhe Presidenti Xhorxh W. Bush kanë luajtur rolin kryesor mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Deklaratat kulmore të Presidentit Bush gjatë vizitës së tij historike në 10 qershor 2007 në Tiranë dhe në qëndrimet e shpeshtuara pozitive të Kongresit dhe qeverisë amerikane në vijim, dëshmojnë jo vetëm për aleancën e pakthyeshme mes dy vendeve tona, por dhe për pozicionin tashmë të merituar të Shqipërisë në tryezën e organizatës më të fuqishme globale.

Si përfaqësuesi shqiptar i NATO-s në Washington, si e vlerësoni ju këtë ceremoni, e cila duhet thënë se nuk është e zakonshme?
Në të tilla situata nuk mund të thuash asgjë më shumë se sa falënderime të pamasa për SHBA-të, për mbështetjen e hapur dhe të pakufishme të dhënë për anëtarësimin tonë në NATO, si dhe për faktin që reformat e suksesshme të qeverisë Berisha janë konstatuar si një element që e ka përshpejtuar këtë proces. Nënshkrimi nga Presidenti Bush i aktit të miratuar pak ditë më parë edhe nga Senati, përveç anës së tij ligjore, mund të thuhet se është një histori suksesi e vetë aleancës, që zgjerohet dita-ditës me demokraci të reja. Por, nga ana tjetër mendoj se kjo ceremoni shërben edhe si një sinjal për përshpejtimin e miratimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë nga vendet e tjera anëtare...

... Pra sipas jush kjo ceremoni është një certifikim i reformave të qeverisë Berisha, nga Presidenti amerikan?
Në përgjigje të pyetjes suaj, më lejoni të bëjë një parantezë. Ceremonia në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë, përbën për nga momenti që zhvillohet, një krah miqësor më shumë në rrugën tonë të reformave qeverisëse. NATO vërtet është aleancë e lirisë, e paqes dhe e vlerave të larta demokratike, por është edhe aleancë e meritës. Me këtë dua të them se që në aktin e themelimit të saj, sanksionohet se anëtarësimi në aleancë bëhet vetëm mbi bazën e performancës së vendeve aspirantë. Duke u kthyer te pyetja juaj, nuk mund të rri pa thënë se, reformat qeveritare marrin kësisoj edhe një herë vlerësimet e presidentit të vendit më të fuqishëm të botës, duke riafirmuar se Shqipëria, ndonëse një demokraci e re, por që funksionon, e ka merituar vendin e saj krah shteteve të zhvilluara perëndimore, në tryezën e NATO-s.

Në këtë ditë historike, sa dhe ku shkon mirënjohja shqiptare?
Me zgjerimin e saj vitet e fundit, NATO-ja e feston 60-vjetorin, prillin e ardhshëm, si një aleancë e gjallëruar me kapacitete të reja, si një aleancë me një ekspansion demokratik, duke demonstruar se vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë ruhen e respektohen gjithnjë e më shumë. Natyrisht, në tërë këtë proces, Presidenti Bush ka luajtur rolin e tij historik, për të cilin mendoj se jo vetëm shqiptarët, por edhe vetë Aleanca i është mirënjohës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›