E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush dhe Scheffer firmosin sot anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO

Ceremonia zyrtare sot në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti amerikan George W. Bush, do të firmosë sot, rreth orës 18.00 (me orën lokale), gjatë një ceremonie zyrtare në Rose Garden, të Shtëpisë së Bardhë, ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Në ceremoninë zyrtare që sot Presidenti amerikan George W. Bush, organizon në Shtëpinë e Bardhë për firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO, do të marrë pjesë edhe një delegacion i lartë i Aleancës së Atlantikut të Veriut, i kryesuar nga Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Pjesëmarrësit
Burimi nga Brukseli, bëjnë të ditur se, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer do të shkojë në Washington si i ftuar special nga Presidenti i SHBA-ve George W. Bush. Mësohet se Scheffer do të asistojë edhe në këtë ceremoni e cila mbahet sot në Rose Garden, të Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë, ka thënë midis të tjerave se, Aleanca Veriatlantike vazhdon të mbetet e përkushtuar për vendet të cilat janë aspirantë të NATO-s, duke konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, kur Presidenti amerikan George W. Bush, do të firmosë ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Në ceremoninë e nënshkrimit, mësohet se do të jenë të pranishëm, veç Presidentit të SHBA-ve George W. Bush, Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të komisionit të jashtëm të Senatit të SHBA-ve, përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadorët e Shqipërisë e Kroacisë, përfaqësues të diasporës, miq dhe dashamirës të të dy vendeve.

Ceremonia
Nënshkrimi i Presidentit amerikan, vjen pas vendimit të rreth një muaji më parë që mori Senati i SHBA-ve, i cili ratifikoi me votë unanime Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Një ceremoni e tillë, është e para që zhvillohet nga Shtëpia e Bardhë, dhe se herë tjetër, nënshkrimi i protokolleve, janë bërë, larg ceremonive zyrtare. Një zgjedhje e tillë e Presidentit amerikanë George W. Bush, veç një akti simbolik, është edhe një vlerësim dhe mbështetje për Kroacinë dhe Shqipërinë, në përgjithësi, por edhe për qeveritë e tyre, në rrugën e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior edhe me vendet të gadishullit të Ballkanit.
Rreth një muaj më parë, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikoi Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-të, i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Deri tani parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Senati i SHBA-ve,
kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO. Nënshkrimi nga gjithë vendet anëtare pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›