Berisha garanton biznesin: S’do ketë rritje taksash

Jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, por kryeministri Sali Berisha i premtoi komunitetit të biznesit se janari i vitit 2013 do t’i gjejë me një barrë fiskale edhe më të ulët. Kreu i qeverisë paralajmëroi organizimin e një takimi të gjerë për të eksploruar hapësira të reja veç disiplinës fiskale për nxitjen e rritjes ekonomike.
“Shpejt do të hapim debat të gjerë me ju, me rrethet akademike, specialistë të ekonomisë e financave për të gjetur stimujt dhe masat e nxitjes së rritjes. Nuk ka diskutim se dispilina fiskale është kryesore, por duhet marrë çdo masë për të nxitur rritjen. Nuk do të rëndojmë me rritje taksash. Ata që kërkojnë të kthejnë kohërat e taksave, që i lamë mbrapa, ata bëjnë mullinjtë e erës, ato nuk kthehen më. Viti që vjen me një barrë më të lehtë fiskale për ju”, vlerësoi Berisha, gjatë tryezës për integrimin në BE dhe pozicioni i biznesit shqiptar.
Premtimi i Kryeministrit Berisha erdhi në konferencën e organizuar nga Komisionin Europian dhe Unioni i Dhomave të Tregtisë, mbi integrimin e Shqipërisë në BE dhe mundësitë për biznesin shqiptar në këtë kuadër. Kryeministri tha se Shqipëria shkëmbimet tregtare në masën 70% i ka me vendet e Bashkimit Europian. Ka një rritje të ndjeshme të eksporteve “Made in Albania” edhe këtë vit, por ka një rënie të atyre që kanë si lëndë të parë materialet e importit.
Ambasadori i Komisionit Europian Ettore Sequi u shpreh se do të vijojë mbështetja ndaj Shqipërisë në fushën e biznesit.
“Pikërisht sepse ne na intereson perspektiva evropiane e Shqipërisë jemi të angazhuar ta mbështesim atë në rrugën e saj drejt Europës. Taksapaguesit evropiane kanë akorduar 470 milion euro në 5 vitet e fundit për të ndihmuar Shqipërinë në përmbushjen e sfidave të integrimit evropian”, vlerësoi ambasadori Sequi.
Ndërsa kryeministri Berisha ftoi Komisionin Europian që ndihmën financiare ta orientojë drejt fuqizimit të fermerit shqiptar.
“Imagjinoni çfarë vështirësish kanë të konkurrojnë me fermerin që merr 3 euro në ditë për lopën. I kërkoj Komisionit Evropian që në ndihmat që akordon, një pjesë të ndihmave ta ketë për fermerët. 44% e popullatës është rurale. Qeveria po përpiqet dhe kurrë ndonjëherë nuk është investuar më shumë, ato shkojnë 60-70% sepse kanë qenë në stad mesjetar nga pikëpamja infrastrukturore. Do të vlerësonim shumë një mbështetje nga KE, ndonëse duhet të theksoj se eksportet e zarzavateve janë trefishuar dhe kanë cilësi e shije shumë të lartë”, nënvizoi Berisha.
Zoti Berisha inkurajoi anëtarët e dhomave të tregtisë që të vënë ura komunikimi më investitorët europianë, pasi ata janë më të interesuar për këtë lloj marrëdhënieje për biznesin e tyre në Shqipëri, se për një marrëdhënie me qeverinë. Ministrja Bregu dhe përfaqësues të tjerë të ekzekutivit bënë një ekspoze të asaj çfarë është arritur deri tani në kuadër të marrëveshjes së stabilizim-asociimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se çfarë pritet të përfitojë biznesi në të ardhmen.