E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rriten eksportet, bien importet

25-05-2012 / Gazeta 55

Muaji prill ka shënuar nivelin më lartë të eksportit për këtë vit. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme nga INSTAT, në prill u eksportuan rreth 18 miliardë lekë mallra shqiptarë, me rritje 7.9 përqind në krahasim me një muaj me pare dhe me rritje me 27.1 përqind në krahasim me Prill 2011. Veçoria e tregtisë  së jashtme për muajin e katërt të këtij viti është se importet janë me ulje, duke shënuar kështu një nga të paktat herë, kur trendi i eksporteve është në epërsi. Sipas INSTAT, në prill u  importuan 40 milardë lekë mallra me ulje 9 përqind në krahasim me mars 2012 dhe ulje 12.4 përqind në krahasim me një vit më parë. Këtu ka ndikuar ndjeshëm rënia e kërkesës për karburant. Sipas INSTAT, për muajin prill, importi i mallrave me akcizë ka patur ulje prej 24 përqind, ku peshën më të madhe e zënë nënproduktet e naftës, me 73.4 për qind.
Si rrjedhojë, gjatë këtij muaji është reduktuar edhe defiçiti tregtar, duke shënuar një rënie prej 19.2 përqind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 30.1 përqind krahasuar me një vit më parë.
Për sa i përket grupmallrave, rritje më të lartë të eksportit ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i cili u rrit 37.1 përqind e më pas grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”  që u rrit 18.1 përqind”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›