E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanton ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë

16-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri priti në takim kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar, Selim Muça

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar, Selim Muça, i cili i prezantoi kryeministrit Projektin e Xhamisë më të madhe të Kryeqytetit.
Projekti është hartuar nga arkitekti i njohur Muharrem Hilmi Senalp i studios "Hassa", e cila ka hartuar projekte të ngjashme në Turqi, Japoni, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
Duke e cilësuar projektin e Xhamisë një kryevepër arkitekturore, kryeministri Berisha, i cili është njohur nga afër me projektin e saj nga vetë arkitekti Senalp, u shpreh se kjo xhami vjen si një ndërtim madhështor dhe dinjitoz, i cili do të zbukurojë edhe më shumë kryeqytetin.
Ndërsa prezantonte projektin madhështor të xhamisë së Kryeqytetit, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça theksoi se ky projekt, që integrohet më së miri me traditën shqiptare, i jep fund edhe praktikave dhe tendencave dashakeqëse të bllokimit apo hartimit të projekteve farse e të tipit bunker, me të cilat Bashkia e kryeqytetit mbajti zvarrë për vite me radhë ndërtimin e Xhamisë.
Kryeministri Berisha theksoi se ishte një padrejtësi tendencioze, zemërligë dhe ateiste bllokimi 11 vjeçar që ju bë ndërtimit të xhamisë së Kryeqytetit. 
Ndërsa shprehu vlerësim dhe respekt për qëndrimin e matur, të urtë e të duruar të komunitetit mysliman dhe për familjet tiranase, që me mirësi arritën marrëveshje me Komunitetin Mysliman, Kryeministri Berisha theksoi se xhamia e madhe do të pasurojë më tej kryeqytetin, sikurse u pasurua  me Katedralet e bukura Ortodokse e Katolike. Kryeministri theksoi se bukuria dhe magjia e shpirtit shqiptar ekspozohet qartë te toleranca fetare që manifestojmë, tolerance kjo e konsoliduar ndër shekuj.
Në fund të takimit, kryeministri Berisha garantoi së menjëherë do t’i hapet rrugë ndërtimit të xhamisë, ndërtim që do të zbukurojë shumë kryeqytetin e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›