Inflacioni i ftesave ndërkombëtare
Nga Fatos Hodaj
(Drejtor Ekzekutiv i SHBSH)
Kohët e fundit në institucionet shqiptare të pavarura si dhe veçanërisht në njësitë e qeverisjes vendore si bashkitë , komunat, qarqet po vërehet një lumë ftesash nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, kryesisht organizata jo qeveritare. Ftesat zakonisht janë me logo, të bukura dhe me ngjyra vezulluese. Ato janë kryesisht institucionale por edhe nominale për drejtuesit e tyre. Vijnë me zarfe me logo mbresëlënëse e me ngjyra apo edhe me email. Qëllimet e tyre janë nga më të ndryshme, thjesht pjesëmarrje në aktivitet , pjesëmarrje për të folur, pjesëmarrje për të prezantuar institucionin, pjesëmarrje për panair apo për të marrë një trofe që mund të jetë një certifikatë , vërtetim etj. Këto institucione ftojnë drejtuesit e institucioneve të marrin pjesë në ceremoninë e organizuar në kryeqytete e qytete tepër të njohura si Londër,Paris , New York, Bruksel etj. Të gjitha të marra së bashku, ftesa, institucioni i huaj, qyteti me reputacion ndërkombëtar , dëshira për të promovuar institucionin, krijojnë një efekt magjik te drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe akoma më tepër kur këta janë të rinj . Duke përdorur fondet e institucionit, kushdo do të dëshironte të shkonte shpesh pa llogaritur përfitimet apo humbjet. Që institucionet e huaja të ftojnë institucionet shqiptare, kjo është normale në këtë botë që po globalizohet me një shpejtësi përtej imagjinatës apo sic thotë Tomas Friedman në “një botë që është e sheshtë” nga përdorimi i internetit. Janë për tu falenderuar ato institucione të huaja që me dashamirësi dhe humanizëm për të ndihmuar demokracinë e brishtë shqiptare ndihmojnë duke mbuluar pjesërisht apo plotësisht shpenzimet e aktivitetit. Por anormaliteti fillon kur këto ftesa kanë qëllime përfitimi duke mashtruar drejtuesit e institucioneve. Problemi nuk mbaron këtu, mashtrimi përshkallëzohet sipas sistemit zinxhir. I mashtruari mashtron dhe vetë pa e kuptuar. Drejtuesi i mashtruar fillon të besojë te procesi i përzgjedhjes dhe mashtron qytetarët e vet dhe në disa raste dhe gazetarët që në emisione televizive thonë që drejtuesi filan është aq i mirë sa që ka marrë edhe certifikatë nga filan shtet apo qytet perëndimor. Pra mashtrimi i një organizate merr emrin e shtetit apo qytetit të famshëm duke e përkeqësuar më keq situatën. Kjo shpesh herë bëhet kur autori për të vërtetuar drejtësinë e kauzës së tij e mbështet më fuqishëm lajmin. Por jo çdo gjë që shndrin është ar. Adhurimi për perëndimin duhet bërë në mënyrë të diferencuar. Të ndajmë vlerat nga antivlerat, grurin nga urthi. Po marrim një shembull, Bashkia kushdoqoftë: “Institucioni ” i huaj informon se kryetari i bashkisë X apo bashkia Y është përzgjedhur nga komisioni prestigjioz si një nga më të mirët, më novatorët, apo shembuj pozitivë në botë, Europë ose rajon në trashëgimi kulturore, turizëm, qeverisje të mirë apo në fusha të tjera të mbuluara nga qeveria vendore. Komisioni –nënvizon ftesa- mbasi hulumtoi me kujdes dhe maturi morinë e madhe të bashkive Ju ka përzgjedhur Ju , si bashkia më e mirë . Me këtë rast Ju do te merrni një Certifikate, vërtetim, promovim, shpërblim etj; të cilat do të shoqërohen me reklama dhe mediatizim për ju apo bashkinë tuaj në botë, Europë apo rajon. Në fund fare si për ta mbyllur, për ta bërë ftesën më të besueshme Ju si bashki, duhet të paguani një shumë të caktuar parash. Ja pra ku fle lepuri. Ky është qëllimi i vërtetë i Ftesës! Te marrin para nga institucionet e “pavarura” shqiptare dhe sidomos njësive vendore të cilat shpesh herë nuk bëjnë dallimin midis pavarësisë dhe autonomisë. Organizatorët e këtij mashtrimi synojnë të përfitojnë nga “mosnjohja” nga ana e institucioneve shqiptare e “institucioneve” të huaja, si dhe nga debulesa e përhershme njerëzore për tu dukur apo shfaqur në publik. Gjithashtu shumë kryetarë nuk bashkëpunojnë me homologët e tyre në shoqatat e bashkive. Ky fenomen nuk është as i ri e as i panjohur për shoqatën e bashkive. Ka vite e vite qe ndodh dhe për fat te keq “viktimat” ose nuk tregojnë, ose i përdorin “Certifikatat” e huaja si dokument vërtetimi se bashkia e tyre ka bërë një punë të lavdërueshme. Shpesh këta kryetarë mendojnë se të huajt dallojnë më mirë se shqiptarët se kush është më i miri dhe se sigurisht “ata” janë më të pavarur dhe më të drejtë se vendalitë. Shumë kryetarë mendojnë se do të impresionojnë qytetarët e tyre kur tu thonë që bashkia apo kryetari ka marrë certifikatë nga filan institucion i famshëm ! Pra kemi një ngjashmëri me diplomat universitare të cilat po blihen me shumicë. Dhe për fat të keq kjo ka ndodhur disa herë në Shqipëri. Nga ana tjetër, për fat të mire, shumë kryetarë bashkie nuk kanë rënë në rrjetën e mashtrimit. Ata kanë informuar institucionet shtetërore apo shoqatën e bashkive dhe çështja është zgjidhur. Për tu përzgjedhur bashkia apo kryetari më i mirë në një fushë të caktuar si rregull duhet të ndjekë minimumi këto hapa: Institucioni i huaj bën publik e në mënyrë transparente; Qëllimin e kompeticionit; ngritjen e Komisionit të vlerësimit me emër dhe mbiemër; kriteret e përcaktuara në mënyrë tepër të saktë që duhet të përmbushë bashkia për tu përzgjedhur; përcaktimin e formularit dhe afatin limit të dërgimit të tij, si dhe kohën që që i duhet komisionit për të përcaktuar bashkitë fituese; eventin dhe qytetin ku do të organizohet takimi i shpalljes së fituesve; dërgimin e një formulari, bashkisë përkatëse si dhe plotësimin nga ana e bashkisë e formularit dhe dërgimi i tij drejt institucionit që bën ftesën. Ftesa ku ftohet bashkia për të marrë çmimin e cila zakonisht mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit.