E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha heq kompensimin e energjisë për 2009-n

Nga Genc Kondi
Në tabelat e Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2009, shifra e fondit, parashikuar nga qeveria për kompensimin e shtresave në nevojë për shpenzimet e rritura për energjinë elektrike është zero 

TIRANE-. Ndryshe nga gjithë vitet e fundit, duke përfshirë edhe vitin në vazhdim, ku parashikohen për këtë qëllim 1.4 miliardë lekë të reja. Madje, edhe në kundërshtim me sa kanë sugjeruar vazhdimisht ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilëve tarifat duhen rritur, për të ndjekur çmimet ndërkombëtare, por duke ndihmuar shtresat me të ardhura më të pakta. Duke folur për këtë problem, kryeministri Berisha, ditën e djeshme ka deklaruar publikisht se qeveria është e vendosur të ndihmojë shtresat më të varfra të popullsisë, por kjo do të bëhet duke rritur pagat e pensionet. Pra, në rritjen e pagave e të pensioneve është “strukur” edhe një fond i konsiderueshëm, që jepej nga shteti për kompensimin e energjisë deri tani. Kjo bëhet, dukshëm, për të krijuar përshtypjen e një rritjeje më të madhe nominale të pagës apo të pensionit, të cilët zhvlerësohen nga tarifat më të larta të energjisë, që do të rriten më tej vitin e ardhshëm.
Duke folur dje për problemet energjetike të vendit, ministri Ruli, nga ana e tij deklaroi se Shqipëria vazhdon të ketë probleme në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. “Mungesa e burimeve primare të energjisë, e burimeve dhe rrjeteve të gazit, kapacitete të kufizuara në prodhimin e energjisë elektrike dhe në lidhjet ndërsistemore, si dhe varësia e plotë e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat ne po ballafaqohemi”, - tha ministri i Energjetikës. Ai ka pranuar, në këtë mënyrë, dështimin e politikave qeveritare në këtë drejtim.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›