E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti Prokurori-Doganë, hetim për kontrabandën

Nga Artur Korriku
Prokuroria ka nisur hetimin ndaj Doganës së Durrësit, pasi dyshohet se gjatë këtij viti të kenë kaluar nëpërmjet portit një sasi e madhe kamionësh me mallra të pazhdoganuara. Gjykata lë të lirë dy doganierët e arrestuar. 

DURRES- Lajmi është bërë dje i ditur nga burime zyrtare të organit hetimor të këtij qyteti. Mësohet se hetimi ka marrë shkas pas arrestimit tri ditë më parë të doganierëve Ilir Mujani dhe Dashamir Leka, të cilët dje, Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit i liroi në sallën e gjyqit. Burime pranë grupit hetimor që kryesohet nga prokurori Sokol Nishani, pohojnë se bëhet fjalë për kalimin e 100 kamionëve me mallra të pazhdoganuara. Sipas prokurorisë, kalimi i automjeteve me mallra është bërë pas orës 22:00, kur kontrollet në doganë janë më të pakta. Kanë qenë përgjimet e bisedave telefonike të dy doganierëve që kanë çuar në zbulimin e kontrabandës së mallrave gjatë harkut kohor të 11 muajve. I kontaktuar nga Gazeta në linjë telefonike, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për fillimin e hetimeve nga prokuroria e Durrësit. "Unë nuk di gjë nëse ka nisur ndonjë hetim për doganierët e Durrësit. Dua të them se dogana është krejt në rregull", - ka deklaruar Dervishi.
ARRESTIMI
Prej disa kohësh, midis policisë dhe doganës në Portin e Durrësit ka pasur disa përplasje lidhur me ndërhyrjet në kompetencat funksionale mes këtyre institucioneve. Këto përplasje u reflektuan dhe në arrestimin e dy doganierëve. Të shtunën, policia arrestoi 47-vjeçarin Ilir Mujani, lindur në Durrës e banues në Tiranë dhe Dashamir Lekën, lindur në Elbasan e banues në Tiranë. Burime nga dikasteri i Rendit pohuan se dy doganierët përfunduan në pranga, pasi më 12 nëntor ata nuk lejuan që të dalë nga territori doganor një automjet tip "Audi" me targë BV399NT, në pronësi të R.K. Ky i fundit është ankuar në polici. Ndërkohë, policia dhe prokuroria arrestuan Mujanin e Lekën për akuzën "shpërdorim detyre". Nga ana tjetër, drejtori i Doganës së Durrësit, Arben Ibro deklaroi se dy doganierët zbatuan urdhrin, pasi personi që solli automjetin me targa të huaja, dyshohet se është trafikant makinash (pohohet se në tre muaj, R.K. ka sjellë 6 autovetura, të cilat i ka kaluar pa doganë).
LIRIMI
Dje Gjykata e Durrësit liroi dy doganierët. Në një seancë që zgjati pak minuta, gjyqtari i gatshëm ka shpallur vendimin sipas të cilit, masa e arrestit ndaj doganierëve ishte në kundërshtim me ligjin. Kreu i Doganës së Durrësit pohoi se tashmë nga ana e tyre do të bëhet kallëzim penal si për shtetasin që iu bllokua automjeti, ashtu dhe ndaj atyre që arrestuan dhe zbatuan ndalimin e dy punonjësve të doganës në detyrë. Masa e sigurisë për doganierët e arrestuar Ilir Mujani dhe Dashamir Leka të akuzuar për "shpërdorim detyre", u shqyrtua pasditen e djeshme nga gjyqtari Markelian Koçi. Pas vendimit të Gjykatës, po dje dy doganierët janë rikthyer në detyrë. Kreu i doganës, Arben Ibro shtoi se "tani fjalën e kemi ne. Do të bëjmë kallëzim penal në ngarkim të R.K., të cilin do ta akuzojmë për trafikim automjetesh".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›