E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata urdhëron: Durrës-Kukës, stop hetimeve

Nga Klodiana Lala
Gjykatësi Sokol Tona pranoi kërkesën e Armand Telitit dhe Andi Tomës për mbylljen e hetimeve për dosjen e shumëpërfolur Durrës-Kukës. Vendimi anulon urdhrin e kryeprokurores për zgjatje të afateve. 

TIRANE- Gjykata e Tiranës urdhëroi dje mbylljen e hetimeve për dosjen e shumëpërfolur Durrës-Kukës, ku ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve dyshohet se kanë abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Gjyqtari Sokol Tona vendosi të pranojë kërkesën e dy ish-zyrtarëve të kësaj ministrie, Armand Teliti dhe Andi Toma, për shfuqizimin e vendimit të zyrës së prokurorit të përgjithshëm për zgjatjen e afateve të hetimit dhe për një muaj tjetër (6 nëntor-6 dhjetor). Dy të akuzuarit për "shpërdorim detyre", vepër penale e kryer në bashkëpunim, u ankuan në gjykatë për zvarritjen pafund të hetimeve, duke i cilësuar veprimet e prokurorisë si tendencioze, të qëllimshme dhe të ndikuara politikisht. Sipas verdiktit të gjykatës, prokuroria e Përgjithshme nuk mund të kryejë asnjë hetim të mëtejshëm për tre të pandehurit, Armand Teliti, Andi Toma, Lejla Saraçi (ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve), si dhe ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, ndaj të cilit ende nuk është ngritur një akuzë. Gjithashtu të gjitha veprimet hetimore të kryera pas datës 6 nëntor 2008, ditë kur është vendosur për zgjatjen e afateve, do të konsiderohen të pavlefshme. Prokurori Arben Kraja tha se do ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit.
Vendimi
Afro dy vite pas nisjes së hetimeve për segmentin Rrëshen-Kalimash, gjykata vendos në vend të prokurorisë duke e urdhëruar atë të mbyllë dosjen dhe të vendosë për fatin e të pandehurve. Gjyqtari Sokol Tona shfuqizoi dje urdhrin e prokurorit Arben Kraja për zgjatjen e hetimeve edhe për një muaj dhe mbylljen e hetimeve të mëtejshme. Pas tri seancash gjyqësore, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi ta cilësojë të drejtë kërkesën penale të dy të pandehurve Armand Teliti, ish-zv/ministër i Transporteve dhe ish-drejtori Juridik i këtij dikasteri, Andi Toma, të cilët kundërshtonin zgjatjen e afateve, ku sipas tyre po zvarriteshin pa fund pas asnjë shkak, por në mënyrë të qëllimshme. Në fillim të seancës gjyqtari rrëzoi dhe kërkesën e prokurorit për mosshqyrtimin e kësaj ankese nga kjo gjykatë, por nga Gjykata e Lartë, për shkak se person nën hetim është edhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Por pasi saktësoi faktin që Basha, aktualisht ministër i Jashtëm është ende person nën hetim, gjyqtari Tona pranoi ta shqyrtojë kërkesën e Telitit dhe Tomës dhe vendosi në favor të tyre. Në këtë mënyrë, Prokuroria e Përgjithshme duhet t'i japë fund sa më shpejt procesit hetimor dhe të dërgojë dosjen në gjykatë. Nga ana tjetër, të gjitha veprimet hetimore të kryera pas 6 nëntorit e deri dje, do të konsiderohen të pavlefshme në gjykatë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›