Liria fton shtatë juniorë
Liria e Prizrenit i ka filluar përgatitjet për sezonin e ri të hënën. Klubi bardh e zi ka ftuar shtatë futbollistë nga skuadra e juniorëve, të cilët mund të inkuadrohen në skuadrën e parë sezonin që vjen.
“Do t’i nisim përgatitjet sot. Kam ftuar shtatë futbollistë nga skuadra e juniorëve. Nuk e di se sa lojtarë do t’i përgjigjen ftesës për stërvitje, por gjithçka rreth skuadrës do të dihet javën që vjen, kur kryetari i klubit do t’i ftojë lojtarët një nga një për t’u ofruar kontratat e reja”, deklaroi trajneri i Lirisë, Behajdin Gjinali për Express.
Klubi prizrenas ka vendosur që t’ua zvogëlojë rrogat lojtarëve. Tash ka mbetur që të vendosin këta të fundit nëse do të vazhdojnë të luajnë për ekipin prizrenas apo jo. Derisa të marrë përgjigje nga futbollistët kryesorë, trajneri Gjinali për çdo rast i ka ftuar në përgatitje futbollistët juniorë.