E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha homazhe për policin e vrarë

“Oficeri Zabit Caka ka rënë në krye të detyrës me një trimëri dhe vetëmohim të paparë. Ngushëlloj familjen, qytetarët e Peqinit, kolegët e tij në Komisariatin e Policisë së Peqinit, dhe të gjithë efektivat e Policisë së shtetit”, tha në fjalën e tij kryeministri, pas zhvillimit të homazheve në ambientet e Qendrës së Kulturës  "Ferdinand Deda” të qytetit të Peqinit.

Duke ngushëlluar familjarët e efektivit të rënë në krye të detyrës, kryeministri shtoi se, “ai ra në betejë me armikun më të egër të çdo qytetari të këtij vendi, që është krimi i organizuar". "Humbja është shumë e madhe, por qëndresa dhe burrëria e tij dhe e shokëve të tjerë është frymëzuese për të gjithë shërbëtorët e zbatimit të ligjit në çdo detyrë që ndodhen”, përfundoi Berisha.

Trupi i pajetë i 50 vjeçarit, Zabit Caka do të prehet në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Elbasanit. Babai i katër fëmijëve, tre vajzave dhe një djali 17 vjeçar u vra dje gjatë një operacioni për të kapur shtetasin, Leonardo Tabaku i cili tentoi të vidhte transformatorin e ujit të pijshëm në fshatin Gryksh të komunës Shezë, në rrethin e Peqinit. 

Ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të patrullës së Policisë, ku dy plumba i morën jetën oficerit të Policisë, Zabit Caka. Më pas 40 vjeçari, Leonardo Tabaku i dha fund jetës duke u vetëvrarë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-02 17:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›