Berisha i dorëzon pasaportën Elizës
Pasi kërkesa e saj për nënshtetësinë shqiptare është firmosur nga Presidenti i Republikës, aktorja hollivudiane Eliza Dushku është pajisur edhe me pasaportën shqiptare biometrike. Dokumentin dhe kartën e identitetit ia ka dorëzuar kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë ka shfrytëzuar ditët e qëndrimit të aktores në vendin tonë, për ta pritur atë në zyrën e tij. Eliza ka folur me Kryeministrin për udhëtimin e saj nga veriu në jug dhe për njohjen më të mirë të vendit të origjinës, ndërsa zoti Berisha i ka shprehur artistes mirënjohjen për promovimin që po i bën turizmit shqiptar. “Aktorja Eliza Dushku u shpreh se ndihej krenare që tashmë zotëronte edhe pasaportën shqiptare, ndërsa më pas e njohu Kryeministrin me vizitat që ajo kishte zhvilluar në disa qytete të vendit, nga jugu në veri dhe impresionet e saj gjatë këtij udhëtimi, të cilin ajo e cilësoi mbresëlënës dhe që i mundësoi të njihej me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Më tej njoftimi vazhdon se “kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që aktorja e mirënjohur ishte pjesë e projektit për realizimin e dokumentarit që promovon Shqipërinë turistike, historinë, traditat dhe potencialet e saj”. “Shqipëria, me peizazhin e saj unik, ku ndërthuren malet me detin dhe liqenet, po bëhet një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turistët e huaj, që edhe këtë vit kanë vizituar në një numër shumë të lartë Shqipërinë. Ne kemi bërë investime të mëdha për të mbështetur zhvillimin e turizmit në infrastrukturën rrugore, sikundër po ndërtojmë impiante të fuqishme për pastrimin e ujërave, kemi ndërmarrë nisma fiskale për përjashtimin nga taksat për një periudhë disavjeçare për ata që investojnë në zonat turistike malore dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që bukuritë shqiptare të bëhen gjithnjë e më të prekshme për këdo” , tha Berisha gjatë takimit me aktoren.
Festa në Prishtinë
Ashtu siç kishte lajmëruar, Eliza Dushku ka vijuar vizitën e saj në Tetovë e më tej në Prishtinë. Të gjitha takimet e saj janë filmuar dhe do të jenë pjesë e dokumentarit të saj kushtuar promovimit të Shqipërisë. Por përpos të tjerave, Eliza ka festuar edhe me personazhe të ndryshëm që kanë mbërritur në pub “Duplex” në Prishtinë. Kështu përmendim boksierin Luan Krasniqi, balerinin që jeton në SHBA, Tony Dovolani, këngëtarët Vesa Luma, Tuna Sejdiu e Labi. Ndërsa si gjithmonë krah saj ka qenë fotografi Fadil Berisha, aktori Blerim Destani, vëllai i aktores Nick, si dhe I dashuri Rick Fox, i cili mbërriti të premten që lamë pas në Shqipëri. Por në festë nuk ka munguar as ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Christopher Dell, i cili e shfrytëzoi rastin të dalë pak e të “dalldiset”. Ai është parë duke hipur në kolltukët e “Duplexit” së bashku me Eliza Dushkun e Blerim Destanin, duke e ndezur atmosferën së bashku. Si duket jeta e natës në Prishtinë është gjëja që po pëlqehet më shumë edhe nga yjet e njohura që vizitojnë Kosovën. Edhe ambasadori Dell ka shfrytëzuar këtë rast të dalë pak për relaks pas zhvillimeve të fundit në vend.