Berisha i përgjigjet Ramës për rezolutën: E deklarova votën time pro, por s’mund të isha gjatë votimit

Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi si pseudo-patriotë dhe të neveritësh faktin që Berisha nuk votoi rezolutën në Kuvend kundër Dick Marty. Berisha tha se ai e kishte deklaruar votën e tij pro rezolutës, por që nuk mund të ishte i pranishëm në Kuvend gjatë votimit.
“Për një arsye pune nuk isha, por deklarova votën po në parlament. Thashë që do miratojmë këtë rezolutë. Kjo është kryesorja për pozicionin që unë kam. Ishte e vendosur që ne ta votojmë rezolutën. Obligimet e tjera nuk më lejuan të isha në parlament në kohën kur u votua. Por vota ime ishte pro. Unë e kam denoncuar raportin e Dick Marty në aulën e Kombeve të Bashkuara. E kam denoncuar në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës”, tha Berisha.
Berisha ka sqaruar se rezoluta në Kuvend u përdor nga Rama që sipas tij doli si vasal mjeran i Vuçiçit.
“Ajo ishte një seancë për të mbuluar gjithashtu implikimin direkt të Edi Ramës në procesin e arrestimit të udhëheqjes politike të Kosovës. Pse, do thoni ju? Sepse duke pretenduar të bëhet lider rajonal dhe global, ky lidhi proceset në mënyrë fatale. Procesin e Hagës me atë të ndryshimit të kufijve. Nëse kontrolloni kronikat, do gjeni atë duke deklaruar se ajo gjykatë nuk na duhet gjë. Rama sponsorizoi një fushatë kundër Gjykatës së Hagës, duke dëshmuar jo solidaritet me udhëheqjen politike të Kosovës, por vullnetin e keq për të fshehur nëse kishin ndodhur krime, në një kohë kur Kosova e kishte votuar gjykatën. Këto janë motivet e vërteta që e shtynë Ramën në atë seancë të turpshme si ajo e djeshmja. Ai aty doli i vërtetë siç është. Një vasal mjeran i Vuçiçit”, tha Berisha.
/rtsh.al/