Rama me kryebashkiakët: Largoni zyrtarët që s’u gjenden qytetarëve

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryetarët e bashkive në Pogradec, ku u ka bërë thirrje që të mos bëjnë sikur nuk dinë gjë kur zyrtarët ‘lënë nam dhe nuk u përgjigjen nevojave të qytetarëve’, por të kërkojnë largimin e tyre. Rama tha se ata nuk duhet të pranojnë asnjë drejtor që nuk di të sillet me qytetarët.
“Kjo është A-ja dhe raporti me qytetarët është baza. Çfarë vlere ka ti shkosh kur je në fushatë kur je kryetar bashkie dhe nuk garanton që çdo ditë t’ju hapet dera njerëzve? Nuk pranon të kesh zyrtar që A dhe Zh është respekti dhe sjellja ndaj qytetarëve. Jo vetëm zyrtarëve por ti si kryetar duhet të jesh i alarmuar nëse një zyrtar lë kokrrën e namit dhe e mbron partia. Duhet të thuash o unë o ky këtu se i ka dalë boja, sepse të jesh kryetar bashkie do të thotë të jesh avokati nr.1 i njerëzve dhe mbrojtësi nga të gjithë xhagajdurët që vijnë me lloj lloj pozicionesh shtetërore në pozicionet tuaja”, tha Rama.
Në fokus të takimit ka qenë pastërtia e qyteteve. Kritikat kryeministri i ka pasur ndaj kryetarit të Bashkisë Vlorë, Dritan Leli. Teksa e cilëson atë si kryetar “i fjetur”, Rama thotë se Vlora duhet të ishte një qytet tepër i pastër pasi i ka të gjitha mundësitë dhe mbështetjen e qeverisë.
“Kemi bashki si Vlora që ka pasur një vëmendje të veçantë me të drejtës nga qeveria por që ka një kryetar bashkie që fle gjumë. Vlora me gjithë potencialin dhe mbështetjen nuk duhej ta diskutonte të qenit xixë nga mëngjesi në mbrëmje”, tha Rama.
Ndërsa me superlativa Rama foli për bashkinë e Shijakut, ku tha se falë lidërshipit Elton Arbana pastrimi dhe rregulli në atë zonë funksionon si të ishite një institucion perëndimor. Bashkitë model për Ramën ishin edhe Lezha, Mati dhe Pogradeci.
“Kemi Shijakun që përgjigjet për pastërtitë sikur të jenë një institucion perëndimor. Po çfarë ndryshoi me Shijakun? Ndryshoi lidershipi dhe ja ku është sot është bashki kampione, ndërsa Tirana dhe Durrësi edhe pse kanë problematika shumë më komplekse kanë se çfarë të mësojnë nga bashkia e Shijakut. Në të gjithë fushat e qeverisjes vendore kemi shembuj për të qen krenar. Është krenari që PS sot drejton Lezhën po të shohim nivelin e higjienës në plazh dhe kënaqësisë të atyre që pushojnë në këtë vijë bregdetare. Pogradeci tani po hyn në një fazë që po merr mbështetje që po vitalizohen disa projekte të mbështetura nga donatorët. Me mjetet e kufizuara që ka bashkia dhe falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë, qyteti merr frymë lehtësisht sot. Shkoni shikoni Matin. Një tjetër shembull i mirë. Po i marr këto shembuj për të thënë që roli i çdo individi është vendimtar”, tha Rama
/rtsh.al/