E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pas SHBA, Sali Berisha ‘non grata’ edhe nga Britania e Madhe: Të dorëzojnë provat te drejtësia! Do e ndjek ligjërisht

Pas SHBA-së edhe Britania e Madhe e ka shpallur Sali Berishën, kreun e PD i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, si të përfshirë në korrupsion dhe me lidhje te qarta me grupet kriminale duke rrezikuar sigurinë e Shqipërisë. Lajmin e pranoi vetë Sali Berisha gjatë një konferencë për gazetarët, ku thotë se ky njoftim i erdhi nga “Home Secretary” pak orë pasi kryeministri Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e Britanisë së Madhe.

“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e MB, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin se : “Ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje. Si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur kundër tij kanë dalë prova inkriminuese. Ndonëse, ashtu si thotë ky vendim, është konfidencial dhe, ndonëse përfaqësuesit e MB në Tiranë kane deklaruar se nuk do të publikojne emrat, unë kam marrë vendimin t’a bëj publik për qytetarët shqiptarë, para të cilëve unë kam qenë gjithnjë i vërtetë, me të mirat dhe gabimet, kam luftuar gjithnjë në mbrojtje të interesit të tyre, ashtu siç e kam vlerësuar unë”, tha Berisha.

Edhe pse kjo është ‘non grat’ e dytë ndaj tij  vjen po për të njëjta akuza, Berisha i cilëson këto në vazhdën e shpifjeve të të njëjtin grup i lidhur me Sorosin dhe Ramën që ka sponsorizuar edhe vendimin e  SHBA-së. Për Berishën akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin janë gënjeshtra dhe fton   autoritetet britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë çdo provë për akuzat e ngritur ndaj tij. Berisha tha se ashtu si vendimin e sekretarit Blinken dhe këtë të Britanisë së Madhe do e ndjek me ekspertë për hapat ligjorë për të mbrojtur nderin e tij.

“ Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje. Por, një gënjeshtër, sado të përsëritet mund të bëhet e besueshme, por kurrë e vërtetë dhe asnjë fuqi në botë nuk do të jetë në gjendje të më detyrojë që të pranoj gënjeshtrën për të vërtetë, apo t’i nënshtrohem mashtrimit, për të cilin me prova, këto muaj, kam argumentuar se nuk synon skajimin e Sali Berishës, por kthimin e Shqipërisë në një vend pa opozitë, së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Kjo synon mbajtjen në pushtet të një qeverie, me e korruptuara në Europë, e cila, duke dhunuar votën e qytetarëve, ka rivendosur në vend monizmin e plotë dhe vjedh e sakrifikon Shqipërinë e shqiptarët, e çon shtetin në falimentim për të blerë e mbajtur pushtetin. Sikundër ritheksoj edhe një herë, se në momentin e parë që qeveria e MB, ose çdo qeveri tjeter e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime. Në përfundim, ftoj autoritete britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të vendit të tyre, dhe pranë organeve të drejtësisë në Shqipëri, çdo fakt, provë apo dokument që disponojnë, ata ose kushdo tjetër, për akuzat që kanë ngritur kundër meje.  Për të gjitha këto shpifje, unë do konsultohem me ekspertë për hapat ligjorë që do të ndërmarr për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin tim dhe të vendit tim, për aq sa unë e përfaqësoj” tha Berisha.

Sali Berisha është shpallur ‘non grata’ më 19 maj 2021 edhe nga SHBA për akuzat për korrupsion dhe minim të demokracisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›