E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i Leskajt, PS bashkim votash me të pakënaqurit e PD

SHKRUAN: Fejzi Braushi 14-12-2011 11:53

Grupi i PS-së ka vendosur dje pjesëmarrje maksimale në seancën e së premtes dhe votim unik kundër për të shpresuar rrjedhjen e votave të disa deputetëve të PD-së që kanë shprehur pakënaqësi

Socialistët shpresojnë se jo të gjithë deputetët demokratë do ta votojnë kandidaturën e Bujar Leskajt për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndaj kërkojnë të përfitojnë nga ky rast dhe kanë marrë masa që vota e tyre të jetë e unifikuar kundër tij, si dhe në seancën e së premtes të ketë një prezencë maksimale nga ana e grupit të tyre. Çështja është diskutuar dje gjatë mbledhjes së grupit, ku ndërmjet të tjerave është vendosur që qëndrimi për çdo projektligj apo vendim politik të mos merret më tani nga kryesia e grupit, por të votohet paraprakisht nga të gjithë deputetët.

Leskaj për KLSH

Pavarësisht se vendimi kundër kandidaturës së Bujar Leskajt ishte bërë i ditur shumë kohë më parë nga kreu socialist Rama, që e ripërmendi atë sërish dje, deputetët socialistë kanë diskutuar për të edhe gjatë mbledhjes së grupit. Më shumë ka qenë diskutim i karakterit organizativ për të bërë të mundur vënien në vështirësi të mazhorancës për miratimin e kësaj kandidature. Duke pasur shpresë se deputetë të ndryshëm demokratë mund të mos e votojnë ose në rastin më të mirë të mos marrin pjesë fare në votimin e kësaj kandidature, grupi parlamentar socialist e ka parë me interes këtë situatë duket shpresuar që ta shfrytëzojë për të “rrëzuar” mazhorancën në parlament. Kështu, me shpresën e rrjedhjes së votave nga deputetët e djathtë, të cilët janë të pakënaqur nga kandidatura e Leskajt, socialistët janë angazhuar që të jenë jo vetëm unikë në votën e tyre në seancë, por edhe që të kenë një pjesëmarrje maksimale. Kështu, burime pranë grupit kanë bërë të ditur se është urdhëruar që në seancë të eliminohen mungesat e paarsyeshme, ndërkohë që vota e të gjithë deputetëve do të jetë kundër. Natyrisht, socialistët do të luajnë edhe me mundësinë e mospjesëmarrjes në votim, në rast se mazhoranca nuk ka shumicën e duhur për të realizuar kuorumin në sallë.

Vendimet

Nisur nga ky diskutim, grupi ka diskutuar edhe për vendosjen e një praktike të përhershme që për çdo qëndrim që do të shprehet në seancë për çdo çështje, të ketë më parë një votim brenda grupit, nëse do votohet pro, kundër apo do abstenohet. Tashmë, kryesia e grupit nuk do ketë mundësi të vendosë në mënyrë arbitrare për qëndrimet që do të mbahen nga grupi, pasi ato do të përcaktohen me anë të votës në mbledhjen e të gjithë deputetëve. Madje, kjo ka nisur të zbatohet që nga dita e djeshme, ku për një projektligj fare të parëndësishëm siç është ai për uljen e TVSH-së për disa produkte importi, për shembull qepujka. Grupi është ndarë në votë për këtë projektligj, ku deputetët Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj kanë qenë për ta votuar pro atë me argumentin se këto janë rregulla që i ka vënë BE-ja, ndërkohë që pjesa tjetër ka vendosur të votohet kundër, duke e konsideruar këtë si nismë në favor të disa bizneseve të qeverisë. Diskutime ka pasur edhe për ndryshimin e paraqitur në ligjin “Për arsimin e lartë” dhe atë “Për noterinë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›