Berisha i tregon nënkryetarit të parlamentit norvegjez: Sapo u arrit marrëveshje në Shqipëri, opozita u kthye në realitet
Gjatë vizitës që po zhvillon në Norvegji, Kryeministri Berisha takoi Zëvëndëspresidentin e Parlamentit, zotin Per-Kristian Foss, të cilit i tregoi për marrëveshjen e arritur në Shqipëri.
Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe procesin e integrimit europian. Kryeministri u shpreh se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian. Kryeministri nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit. Ai siguroi bashkëbiseduesin se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.