E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia ka rënë në prehrin e pushtetit, por një ditë do përgjigjen të gjithë

Share

Kreu i PS, Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur para grupit parlamentar, ka akuzuar drejtësinë se po përpiqet që tu mbyllë gojën deputetëve të opozitës me anë të gjobave, vetëm pse këta të fundit po denoncojnë korrupsionin qeveritar. Rama ka thënë se të gjithë këta gjyqtarë, që janë vënë në shërbim të pushtetit, një ditë do të mbajnë përgjegjësi, pasi sipas Ramës, do të vijë ajo ditë kur në Shqipëri të vendoset drejtësia.

Situata në të cilën ka rënë drejtësia në Shqipëri është e turpshme. Sa ndëshkime janë dhënë nga ana e gjykatave për oborrin e Familjes? Asnjë. E kundërta ka ndodhur me deputetët tanë, të cilët janë gjobitur me shuma të majme, pse kanë bërë detyrën e tyre. Çjanë këta zotërinj dhe zonja që marrin guximin të dënojnë deputetët tanë, madje pa i dëgjuar fare për argumentet që ata kanë pasur, vetëm pse po ushtrojnë detyrën e tyre? Ku e gjejnë këta tokëzinj guximin që të shkelin Kushtetutën dhe të japin drejtësi me standarte të kundërta? Kjo ka një qëllim të vetëm, që ti mbyllet goja opozitës për të denoncuar korrupsionin qeveritar. Dua ti bëj apel edhe presidentit, pasi edhe KLD-ja ka rënë në dorën e pushtetit të Familjes, duke parë që Sashenka Jonuzit ju zgjat mandati edhe dy vite të tjera. Të jeni të sigurtë se drejtësia një ditë do të vihet dhe do të vihet shumë shpejt. Dhe do të vihet me ndarjen e pushteteve dhe me ndëshkimin e gjyqtarëve që kanë bërë që mijëra qytetarë të jenë viktima të tyre. Gjobat e vendosura ndaj deputetëve socialistë janë gjoba ndaj gjithë opozitës. Askush nuk e blen dot heshtjen tonë. Deputetët e gjobitur kanë thënë vetëm të vërtetat për korrupsionin e Familjes. Madje, i kanë thënë me kurajo me emra dhe mbiemra. Këta emra dhe mbiemra që sot kanë mbështetje të fuqishme, nesër nuk do ta kenë. Në emër të të gjithë popullit, ne jemi ndeshur dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, ka thënë Rama gjatë fjalës së tij.

Ai ka denoncuar gjithashtu edhe ‘maskaradën dhe përpjekjet kriminale të Berishës dhe Metës për të blerë votat e disa socialistëve për krerët e Qarqeve’.

Dua ti bëj thirrje Saliut dhe Ilir Metës që të ndalin hordhitë për të blerë votat, për të përmbysur rezultatet e votimit në Qarqe. Në Berat dhe Vlorë morën votat që nuk u takonin, duke gjetur disa fukarenj dhe i blenë me lekë. Në Fier dhe Gjirokastër nuk ja dolën dot. Ne i bëjmë apel ndërkombëtarëve që të ndalojnë këtë barbari që është duke u bërë, pasi në vend nuk ka drejtësi, nuk ka gjykata, tha kreu i selisë rozë.

Ai përshëndeti edhe marrëveshjen e arritur dje PD-PS, duke thënë se reforma zgjedhore duhet të kryhet deri në mars. Rama tha se PS është e angazhuar që të plotësojë kërkesat e partive të vogla.

Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi edhe ngritjen e një komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për Avokatin e Popullit, ndërsa ka përsëritur faktin se kriza ekonomike tashmë është një realitet i hidhur për 95% të shqiptarëve.

Në fund të fjalës së tij, Rama ka uruar për ditëlindjen edhe dy deputetët socialistë, Pandeli Majko dhe Asllan Dogjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›