Rama: Të ndalim rrokopujën, qeveria po e trajton krizën financiare me verbëri

Edi Rama
Edi Rama kryetari i Partisë Socialiste ka folur lidhur me paktin mes dy partive kryesore për nisjen e reformave të përbashkëta në parlament. Në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama u shpreh se është rënë dakord për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, ku do të jenë pjesë të gjitha partitë, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave.
Reformë zgjedhore deri në fund të marsit, gjithëpërfshirëse për të gjitha partitë që kanë mbi 1%. Të harmonizojmë një zgjidhje jo vetëm për dy partitë kryesore, duke bërë të ditur se do të diskutohet mundësinë për ndryshimin e sistemit zgjedhor që aktualisht është proporcional rajonal.
Për dy reformat e tjera atë për funksionimin e parlamentit dhe ligjet që kërkojnë 3/5, Rama tha se do të punohet për ligje shtet-formuese dhe parlament ku sigurohet një bashkëjetësë evropiane.
Gjatë fjalës para deputetëve të PS-së, Rama foli edhe për buxhetin e vitit 2012 që së shpejti do të nisë të diskutohet në parlament. Për këtë bëri të ditur lideri i opozitës, PS do të bëjë propozime konkrete. Ai kritikoi sjelljen e qeverisë duke nënvizuar se nuk po merr masa ndaj krizës financiare. Deklarata vjen në një kohë kur një raport i Bankës Botëroe jep alarmin për nivelin e lartë të borxhit të Shqipërisë – duke bërë të ditur se ka nivelin më të lartë në rajon.
Jemi në prag të diskutimit madhor në parlament. Ndryshe nga vjet apo parvjet kemi nisur punën për të dal me një paketë propozimesh për të cilat jemi gati të japim konsensus. Kriza tanimë e ka cekur kockën ekonomike të familjeve shqiptare, për 95% të shqiptarëve ajo po bëhet akute dhe 99% mbartin në kurriz një sistem abuziv. Nuk ka asnjë përpjekje për të ndritur mure mbrojtës për krizën financiare. 2012 duhet të jetë një vit për të ndalur degjenerimin financiar. Të ndalim rrokopujën, që stuhia të mos ngrejë zgupthi çatinë e familjeve. Qeveria po e trajton krizën me verbëri, u shpreh ai.
Rama ceku edhe vendimet e fundit të gjykatës për dënimin e një sërë deputetësh të PS-së për shpifje. Ai e cilësoi një gjë të tillë sulm mafioz ndaj opozitës pasi nga dhjetëra padi të bëra nga deputetët e PS-së, asnjë dënim nuk është dhënë për deputetët e PD-së.
Drejtësia ka rënë në batakun e Saliut. Sa padi janë ngritur në vite nga ana jonë për të vënë në vend dinjitet nga banditë dhe kanakarët e Saliut? Nuk numërohen. Sa ndëshkime janë dhënë? As edhe një. Madje është thënë se zotëria dhe zonjat e oborrit të tij paskan qenë në krye të detyrës kur paskan shpifur dhe dënimi do ishte kërcënim i lirisë për tu shprehur. Këto janë gjoba mafioze për deputetët e opozitës për fjalën e lirë, u shpreh kreu i PS-së.
Ai paralajmëroi gjykatësit e këtyre vendimeve se togat e zeza nuk do u mbrojë gjithë jetën nga padrejtësitë. Drejtësia në Shqipëri do vihet në një ditë jo të largët.
Kreu i PS-së në fund bëri të ditur se do të ngrihet një grup punë për të përzgjedhur kandidatura për Avokatin e Popullit. Pjesë e grupit që do të bëjë propozime brenda 30 ditëve do të jenë deputetët Gjermeni, Bare, Beci si dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare Hafizi dhe Tushi.
Redaksia OnLine Florenc Stafa