E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i zotohet ODIHR-it

Tiranë - Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR, i cili po viziton Shqipërinë për të vlerësuar kuadrin përgatitor të zgjedhjeve ne vend. Kryeministri shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare ndaj procesit zgjedhor.

“Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe çdo përpjekje do të bëhet në këtë drejtim”-theksoi Berisha, duke ftuar përfaqësuesit e ODIHR-it që të dërgojnë një mision vëzhgimi sa më të madh dhe siguroi se ftesa zyrtare për vëzhgim të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR do të prezantohet brenda javës së ardhshme.

Shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, Z.Gerald Mitchel falënderoi për mbështetjen e marrë për këtë mision, dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave, në bashkëpunim me projektin e Prezencë së OSBE-së në Shqipëri, arritje të cilat përmirësojnë rrënjësisht standardet e zgjedhjeve.

Kryeministri vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të listave vazhdon me sukses dhe pa ankesa, në dallim të fortë me të shkuarën kur listat e zgjedhësve, dhe jo alternativat politike, përbënin objekt polemikash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›