E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Vizat’, PS: Qeveria jo serioze

Tiranë -Duke komentuar procesin e liberalizmit të vizave, Partia Socialiste ka akuzuar edhe një tjetër qeverinë Berisha si të korruptuar dhe si përgjegjëse kryesore për tragjedinë e Gërdecit, tragjedi e cila duket se do të jetë motiv gjatë këtyre zgjedhjeve nga opozita. Deputeti Taulant Balla, i cili shquhet për akuza, theksoi gjatë një konference për shtyp, se Sali Berisha e ka kthyer qeverinë në një mjet pasurimi për veten dhe familjen e tij.

“Qeveria duhet të kishte ardhur në Kuvend brenda muajit Shkurt, sipas ligjit për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë, për të informuar Kuvendin, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto katër vjet. Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe axhendave turistike të Jozefina Topallit, është shmangur plotësisht nga roli drejtues që duhet të ketë në procesin e integrimit. Më lejoni t’ju informoj se në takimin e fundit të Task-forcës konsultative Shqipëri-BE, pala shqiptare u kritikua sërish”-tha ndër të tjerash Balla, duke nënvizuar se kritikat e BE-së erdhën në drejtim të sistemit gjyqësor, në luftën ndaj korrupsionit, vizat, kontrolli kufitar, migracioni, lufta kundër krimit të organizuar, policia, pastrimi i parave, etj.

Sipas tij, është sabotim i drejtpërdrejtë i procesit të integrimit fakti që qeveria nuk ka bërë asnjë hap në adresimin e këtyre prioriteteve. “Është mungesë e theksuar serioziteti në marrëdhënien tonë kontraktuale me Bashkimin Evropian, që Qeveria sot katër muaj pas Raportit, nuk ka raportuar në Kuvend dhe nuk përgatitur një plan pune”-vijoi më tej deputeti socialist Taulant Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›