E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inaguron hidrocentralin e Sasaj: Rrit furnizimin me energji

Kryeministri Berisha deklaroi sot se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e tregut shqiptar, Leva e Arkimedit për të ecur me shpejtësinë më të madh në synimin e shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale. Këto komente ai i bëri në Lukovë të Sarandës, teksa ka inaguruar përfundimin e punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit Sasaj.

Berisha nënvizoi se Qeveria ka firmosur me sektorin privat 104 kontrata për ndërtimin e 327 hidrocentraleve,ndërsa i ka cilësuar keqdashëse, ziliqare dhe meskine që frymëzohen nga interesa politike, ose interesa të bizneseve të ngushta, komentet që shoqëruan garën koncensionare.
 

Ndërkaq Kryeministri kujtoi se deri më sot janë ndërtuar 47 hidrocentrale, ndërkohë që janë në proces 100 të tjerë. Shefi i qeverisë, bëri të ditur se së shpejti do të hyjë në treg edhe kaskada e Vjosës.
Ky projekt u realizua me një investim prej 8.5 milionë Euro nga shoqëria koncesionare "Energo-SAS" shpk, si dhe me mbështetjen financiare të Raiffeisen Bank.
 

Hidrocentrali Sasaj ka një fuqi të instaluar prej 8.6 MW, e cila realizohet nëpërmjet dy agregateve Pelton vertikal. Prodhimi mesatar vjetor i energjisë, parashikohet 35 milion kwh. Hidrocentrali është i lidhur me sistemin e transmetimit nëpërmjet Linjës 35 Kv, Sasaj-Sarandë.
 

Impaktet e këtij hidrocentrali janë pozitive veçanërisht në Zonën e Bregdetit, të cilat pritet të sjellin furnizim më të mirë me energji elektrike, punësim dhe cështë më e rëndësishmja ndërtimi i tij është konform standarteve europiane mjedisore.
 

Të pranishëm në këtë inaugurim ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço, deputetë të kësaj zone, drejtues dhe përfaqësues të shoqërisë ndërtuese, aksionerë të kësaj vepre, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›