Berisha inauguron aksin Levan- Damës: Opozita deshi të bllokojë këtë rrugë. Po bëhemi vend i zhvilluar
Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot një pjesë të superstradës Levan- Tepelenë, pjesë e korridorit veri- jug. Berisha inauguroi pjesën prej 38 kilometrash nga Levani në Damës. Duke folur në ceremoninë e inaugurimit, Berisha sulmoi opozitën, duke e akuzuar se pati si qëllim të bllokojë këtë rrugë.
Ata nuk votuan në Parlament shtesën që u kërkua për ndërtimin e kësaj rruge. Ata nuk votuan sepse donin të bllokonin përfundim e saj para zgjedhjeve. Zoti Rama donte me çdo kusht që të shkonte në Vlorë me rrugën e vjetër. Kishin problemin që ne të mos i inaugurojmë rrugët para zgjedhjeve por ne do të vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin e rrugëve. Jo bllokimi, por zhvillimi ajo që kanë nevojë jetike shqiptarët dhe brezat e këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka për të zhvilluar Shqipërinë, tha Berisha.
Rrugët janë punësim, sepse ato janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por nxjerrja e prodhimeve në treg më parë ishte e pamundur, distanca që shkurton rruga është punësim, se çdo investitor që ka ndërmend të investojë jashtë Tirane përzgjedh qytete të tjera të jugut në të cilat arrin në një shpejtësi e transport shumë të mirë. Kjo është leva e Arkimedit për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të bërë të vlefshme tokën e tyre, që të punojnë e të prodhojnë. Sot ne jemi një vend që ecim me shpejtësi drejt nivelit të vendeve të zhvilluara sepse zhvillimin tonë ne e bazojmë tek liria. Shqipëria renditet e 12-ta për sa i përket lirisë ekonomike. Kjo fton investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, vijoi kryeministri.