E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në kuvend do dalin shumë të vërteta për Taulant Ballën”

Rrahim çota, deputet i PD-së për Librazhdin

Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Rrahim çota, i është drejtuar dje publikisht rivalit të tij të drejtpërdrejtë elektoral, deputetit socialist, Taulant Balla, duke i apeluar që të heqë dorë nga fushata e shpifjes dhe trillimeve, pasi siç tha ai, nga salla e parlamentit, mund të lindin shumë të vërteta për të, nëse do përdorej e njëjta “armë” sulmi. Nga foltorja e Kuvendit, çota u shpreh se opozita ende s’ka kuptuar parimet bazë të shoqërisë demokratike dhe se kryetari i saj, frymëzon zellin e deputetëve, profesionalizmin e tyre të dezinformimit dhe më pas i shpërblen, siç bëri para dy ditësh, duke i atashuar kuvendit xhaketat e vjetra të monizmit dhe ngritjen në detyrë të deputetëve shpifës si në rastin e deputetit Balla.
Deputeti Rrahim çota akuzoi kundërshtarin e tij, për një numër të konsiderueshëm abuzimesh, prej të cilave ai ka përfituar postin e deputetit dhe shuma të majme të hollash, burimi i të cilave nuk është deklaruar asnjëherë. Pavarësisht se Librazhdi është një nga zonat më të varfëria të Shqipërisë, tha çota, deputeti Balla s’e ka vënë ujin në zjarr të kujdeset për nevojat më minimale të komunitetit atje.
“Deputetët më të zellshëm të cilët kanë fituar profesionin e dezinformuesit në PS, kryetari i tyre i shpërbleu dje, me çka iu kërkohet që ata të kenë më shumë vullnet dezinformues dhe më shumë komoditet në këtë profesion. Konkretisht, njëri prej tyre është deputet i qarkut të Elbasanit i njohur si dezinformuesi dhe zhurmuesi më i zellshëm i këtij Parlamenti. Dje kryetari i dha diçka që i kishte premtuar. Me këtë rast unë ia uroj detyrën e re, por i bëj thirrje dhe i kërkoj që të mos praktikojë dezinformimin për të akuzuar të tjerët vetëm për të qenë më i zellshmi dhe në vëmendjen e kryetarit të tij dhe të medias. Desha t’i them atij sot se vetëm ti nuk duhet dhe nuk mund të flasësh për abuzim dhe korrupsion, pasi fillimisht për të ardhur në këtë Parlament u keni dhënë drejtuesve të Partisë Socialiste në vitin 2005, 100 mijë euro, për të qenë vetëm kandidat i PS-së, para këto që janë nxjerrë nga lidhja e ngushtë me grupin e drogës së Librazhdit të arrestuar para disa kohësh dhe të mbetur në burg”, u shpreh çota, duke shtuar se deputeti Balla i ka marrë një biznesmeni 100 mijë euro për fushatën elektorale të 2009-s dhe 100 milionë lekë për protestat e PS-së, ndërsa vetëm në datën 30 prill 2010 ka shpërndarë 100 milionë lekë të mbledhura nga tregtarët e Elbasanit duke dhënë 5 mijë lekë të reja për secilin person që vinte në Tiranë, për të protestuar kundër Berishës.
Deputeti çota shtoi më tej se ““ministri i Jashtëm” i Librazhdit njihet si njëri nga klientët më të rregullt të kazinosë së Tajvanit, po ashtu njeriu që administron tri kazino në Elbasan, nga të cilat merr fitime dhe ky është një korrupsion i pastër dhe njëherazi abuzim i rëndë. Balla, tha çota, është një nga deputetët më të korruptuar të parlamentit shqiptar.
“Të akuzosh Kryeministrin e vendit dhe familjen e tij duhet të mos abuzosh ashtu siç përmenda më lart, të jesh jo vetëm djalë i ri, por pa u bërë pis. Të akuzosh kryeparlamentaren për gjëra të cilat nuk ke asnjë fakt, atëherë edhe mua më lind e drejta të bëjë të njohur publikisht se sa i korruptuar je ti. Ti, more zotëri, flet me një telefon, që e ke në xhep, të larë në flori që kushton 12 mijë euro. Besoj se një takëm të tillë nuk e ka asnjë parlamentar evropian. Ashtu si kryetari yt u kujtove si kofini pas të vjelave për të dërguar e denoncuar në prokurori Kryeministrin e Kryetaren e Kuvendit. Ke pasur dy vjet kohë për ta bërë këtë, por ke pasur frikë, se ato që të kanë thënë nuk janë të vërteta. Zoti deputet, të jesh i bindur se sa herë të dezinformohesh dhe të abuzosh me pa të drejtë ndaj të tjerëve, mua më lind e drejta të them edhe shumë të vërteta”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike për qarkun Elbasan, Rrahim çota.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›