Berisha inauguron unazën e Laçit
Ministria e Punëve Publike merr porosi të prerë për të ndërtuar hyrje daljet e qytetit dhe ndërtimin e stadiumit
TIRANE - Në vijim të vizitës së tij në rrethin e Kurbinit, kryeministri Sali Berisha, inauguroi edhe përfundimin e punimeve në unazën e Laçit. Berisha u shpreh në fjalën e tij para banorëve se Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi të prerë të ndërtojë hyrjen dhe daljen e qytetit; Ministria e Kulturës dhe e Sportit ka ndarë fondin dhe shpejt inaugurojmë fillimin e punimeve në stadium, sepse i japim fund një diskriminimi që ju bëhej ju nëpërmjet stadiumit.
“Qeveria është e vendosur të financojë në të gjitha shërbimet në qytetin e Kurbinit. Ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën tuaj. Sot unë po vij nga Patoku, inauguruam rrugën që hap, rikthen një nga plazhet më të bukura të vendit për ju dhe mbarë Shqipërinë. Pra fitoren tonë, ne jemi të vendosur ta kthejmë atë në vepra konkrete”, tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë katër vitet në vijim, do të jenë vitet e përmirësimit të infrastrukturës, shërbimeve moderne, të ujësjellës, kanalizimeve, të sistemeve të vaditjes, të shkollave më të mira për fëmijët, për shërbimin shëndetësor modern; e investimeve të mëdha, për të krijuar në këto 4 vite 160 mijë vende pune të reja.