Skema e ngjarjes - Masakra, Dritan Dajti vret 4 oficerë policie
Nga Durrësi, Ferdinand Dervishi
I superkërkuari i policisë shqiptare, Dritan Dajti, bëhet sërish protagonist i një ngjarjeje nga ato që ndodhin mbase njëherë në 6 vjet. Në 6 vjet, pasi ishte ai që la të habitur një opinion të tërë, në nëntor të vitit 2003, kur u arratis në mënyrë spektakolare nga Gjykata e Tiranës. Ndërsa dje, pas gjashtë vjetësh, me një pistoletë pesëmbëdhjetëshe në duar, ai u konvertua sërish në kryelajm të mediave, duke pushkatuar katër oficerë të lartë policie që tentuan ta prangosnin. Drama shokuese është luajtur në pak minuta rreth orës 13:45 të ditës së djeshme në plazhin e Durrësit, pranë një hoteli shtatëkatësh, që gjendet përballë pistës së vjetër “Iliria”. Ku, sipas hetimit të mëtejmë të policisë, Dritan Dajti dhe dy miq, shoqërues apo bashkëpunëtorë të tij, kishin marrë të paktën dy ambiente, në dy kate të ndryshme, të cilat shërbenin si vendstrehim i Dajtit. Pikërisht kjo strofull e fundit, e njeriut mbase në majë të listës së më të kërkuarve shqiptarë, ishte nuhatur nga policia, e cila ka gabuar në finalizimin në mënyrën më shembullore të mundshme. Duke shkaktuar, me anë të një operacioni të dalë jashtë kontrollit, vrasjen e katër oficerëve të lartë.
Krismat e para
te makina e Dajtit
Nuk dihet se në çfarë rrethanash, por pikërisht në kohën kur kanë nisur të shtënat, Dritan Dajti dhe dy të tjerët që e shoqëronin, ishin duke u larguar nga hoteli. Dajti sapo kishin hipur në bordin e makinës së tij të tipit “Wolkswagen Tuareg”, parkuar rreth 50 metër larg hotelit, në një rrugicë, madje e kishte ndezur atë, por duke u rehatuar në sediljen e prapme, në pritje të një prej shokëve, kur ka parë të parkohet me shpejtësi në krah, një makinë e tipit “Ford Fiesta”, pa targa. Prej saj, sipas dëshmive të banorëve të zonës, kanë zbritur dy oficerë policie të veshur civilë, por me maska të zeza, të cilët ishin pjesë e Skuadrës Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, një sektor i krijuar këto kohë të fundit. Nuk pohohet nëse janë i prezantuar njeriut në fuoristradën “Tuareg” si policë, por konfirmohet se menjëherë pasi ata kanë zbritur në tokë, janë qëlluar nga brenda. Njeriu që qëlloi nga brenda, nga sediljet e pasme të makinës, pa humbur kohë të ulte xhamin, duke e thërrmuar atë, pohohet të ishte pikërisht i superkërkuari Dritan Dajti. Një burim policor konfirmoi se viktima e parë e plumbave të Dajtit ka qenë pikërisht oficeri me gradën më të lartë, drejtuesi Fatos Xhani, që është rrëzuar përtokë pa frymë. Në të njëjtën kohë një tjetër oficer i policisë ka qëlluar në drejtim të xhamave të makinës, por pa mundur të neutralizojë Dajtin. Këtu nis edhe katrahura. Dajti zbret nga makina dhe e qëllon edhe oficerin tjetër duke i marrë jetën. Ndërkohë, pasi zbret, Dajti ka parë në afërsi mikun e tij, të njëjtin që priste në makinë të merrte timonin, të vënë me shpatulla përtokë nga dy policë të tjerë, edhe këta me maska në kokë. Pa u menduar dy herë Dajti qëllon dy policët, duke lënë të vrarë edhe një të tretë dhe duke plagosur të katërtin. Një plumb i pakontrolluar, i qëlluar po nga pistoleta e tij, i merr jetën edhe shokut të tij, Ledion Marës, 23 vjeç, nga Lushnja. Duke u acaruar edhe më shumë se qëlloi shokun e vet, Dajti ndjek nga pas policin që plagosi, e mbërrin në afërsi të hotelit ku strehohej, përballë një lokali. Aty ai i afrohet dhe pa iu dridhur dora, e qëllon me një plumb në kokë. Në një vendngjarje të tretë, një grup tjetër policësh kishin prangosur, ndërkohë pa ndonjë kundërshtim Erges Xhaxhin, kunatin e Dritan Dajtit. Policët e kishin parë në rrugë dhe e kishin goditur me parakolpin e makinës, duke e prangosur pa shumë zhurmë.
Dajti merr peng
një adoleshent
Skena e fundit, që është paksa e mjegullt, luhet përballë fasadës së hotelit, pranë tavolinave të një lokali veror. Pikërisht në këtë pozicion, pasi e ka parë veten të qarkuar nga policë të shumtë, që të gjithë të maskuar me kokore të zeza, Dritan Dajti ka gjetur një zgjidhje nga ato që u shkojnë shumë keqbërësve të kalibrit të tij. Të paktën nga tre dëshmitarë okularë të ngjarjes, pohohet se në afërsi të lokalit veror, Dajti ka marrë para vetes, si peng, një adoleshent duke bërë që policia të mos guxojë të qëllojë më drejt tij. Por kjo stepje e policisë nuk e ka ndaluar aspak Dajtin që të mos qëllonte. Duke përdorur adoleshentin F.Sh., si mburojë, ai qëllon, duke stepur policët e shumtë që ishin afruar në vendngjarje. Gjithsesi dikur policët acarohen duke nisur të qëllojnë në drejtim të Dritan Dajtit, por duke shënjestruar këmbët e tij, me qëllim që të ruanin adoleshentin e marrë peng. Në këtë kohë Dajti pohohet të ketë marrë një plagë të tretë në këmbë, veç një tjetre në krah, që duket e kishte marrë që pas krismave të para pranë fuoristradës “Tuareg”. Pikërisht këtu, më në fund, ai është rrëzuar, fare pranë shkallëve të hotelit ku banonte.
Bilanci i frikshëm
i viktimave
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, Dajti ishte rrëzuar përtokë bashkë me pengun e tij, edhe ky i plagosur lehtë në këmbë, mbase nga një plumb i policisë. Pikërisht në këtë çast, mbase i mbetur pa asnjë fishek në pistoletën e tij të tipit “Glock”, dhe në pamundësi të përdorte një tjetër pistoletë me mulli, që i kishte rënë nga duart pranë makinës “Tuareg”, Dritan Dajti ka kërkuar ndihmë me zë të lartë. Në të njëjtën kohë, në drejtim të tij janë afruar tyta të shumta armësh të policisë dhe kanë kërcitur prangat. Nëna e adoleshentit të plagosur, që duket banonte aty pranë, ka tentuar ta shkelmojë të plagosurin, por është ndaluar në kohë nga policia, ndërsa pohohet se një grua tjetër, duke parë hemorragjinë të madhe nga krahu i Dajtit, ia ka fashuar duke përdorur një mjet rrethanor.
Teksa Dritan Dajti mezi merrte frymë nga plagët, shtrëngimi i prangave pas shpine, por edhe nga pamja kërcënuese e një grumbulli të madh tytash të armëve të policisë, që i rrinin si re e zezë mbi kokë, bilanci i ngjarjes për policinë ishte katastrofik. Me dorën e vet, duke përdorur vetëm një pistoletë, Dritan Dajti sapo kishte ekzekutuar katër oficerë të lartë të policisë. I pari në radhë kishte dhënë shpirt pranë fuoristradës “Tuareg”, Drejtuesi Fatos Xhani. Ndërkohë që edhe për tre të tjerët, të qëlluar po nga Dritani, kryeinspektorët Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj, nuk kishte pasur asnjë shans mbijetese. I dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit, Dritan Dajti pohohet të ketë adresuar një breshëri sharjesh në adresë të policisë, që kishin si refren: “Herë tjetër do të vras edhe më shumë se sot”.
“Dajti mbante peng një fëmijë”
ETLEVA DELIA
Një 18-vjeçar nga Podujeva e Kosovës, rastësisht ndodhej në shtëpi, ndryshe nga familjarët e tij, që ishin në plazh dhe ka parë Dritan Dajtin teksa mbante peng një fëmijë dhe qëllonte mbi policët. Pushuesi nga Kosova Besar Bahtiri, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej vetëm disa metra larg vendit ku super i kërkuari Dajti, po bënte kërdinë mbi oficerët e policisë. Pa dashur ai është bërë dëshmitar i ngjarjes më të rëndë të këtij viti dhe nuk nguron të na tregojë gjithçka që ka parë dhe ka dëgjuar aty rreth orës 14:00, pranë kompleksit “Iliria” në Durrës.
Ku ndodheshit në momentin që dëgjuat të shtënat?
Isha në shtëpi, sapo isha kthyer nga plazhi dhe po bëja dush. Dëgjova disa të shtëna dhe fillimisht nuk iu vura shumë rëndësi, pasi tani jemi mësuar që të dëgjojmë krisma të tilla çdo natë, më ngjante si fishekzjarr. Por më pas fillova të dëgjoj një rrëmujë nga dritarja dhe krismat afroheshin më shumë afër shtëpisë time, kështu vendosa të dal jashtë për të parë se çfarë po ndodhte.
Çfarë patë kur dolët jashtë shtëpisë?
Fillimisht ngrita kokën lart dhe pashë një njeri që kishte hipur në tarracën e hotelit dhe bërtiste me të madhe, “policia, policia”. Nuk e di se kush ishte ai, a ishte në anën e policisë, apo në anën e vrasësit. Kur pashë se nga po shikonte personi në tarracë, hapa portën në oborr dhe vetëm disa metra larg meje, mund të them 2-3 metra, pashë një djalë që ra në tokë i gjakosur. Nuk arrita ta dalloja se çfarë ishte, sepse kishte një kapuç në kokë. Kisha frikë t’i afrohesha më shumë, nuk e di ishte i vdekur apo jo, sepse në një moment po lëvizte. Mbase ka qenë duke ndërruar jetë.
Ai ishte personi i vetëm që patë nga gjithë ajo ngjarje?
Jo ai ishte personi i vetëm që unë pashë të gjakosur dhe të shtrirë në tokë. Por vetëm disa momente më pas, pashë një njeri të armatosur, që ishte kthyer nga disa djem të tjerë, që atëherë s’e dija, por tani mendoj se ishin policë dhe në krah mbante një djalë rreth 13-14 vjeç, ndërsa me dorën tjetër qëllonte në drejtim të policisë me pistoletë. Kisha frikë të qëndroja më shumë jashtë, u futa brenda dhe nuk e di çfarë ndodhi më tej.
VIKTIMAT
1. Drejtues, Fatos Xhani, 31 vjeç
2. Kryeinspektor, Altin Dizdari, 32 vjeç
3. Kryeinspektor, Saimir Duçkollari, 32 vjeç
4. Kryekomisar, Kastriot Feskaj, 42 vjeç
5. Ledion Mara,
23 vjeç, kunati i Dritan Dajtit
TE PLAGOSUR
1. Dritan Dajti, 38 vjeç
2. Fatjon Shamku, 19 vjeç
Polica: Dritan Dajti qëlloi drejt policëve, arrestuam mikun e tij
Disa orë pasi ndodhi ngjarja e rëndë në Durrës, ku mbetën të vrarë katër oficerë policie, Policia e Shtetit doli në një konferencë për shtyp dhe njoftoi qytetarët paraprakisht për ngjarjen e rëndë. Në deklaratën për shtyp të policisë mësohet se ishin marrë disa informacioneve për lëvizjet e personit shumë të kërkuar, Dritan Dajti, i cili strehohej në një banesë në afërsi të pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit. Me t’u njoftuar Sektori i Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në moment organizoi shërbime në këtë territor për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij. “Rreth orës 13:45 nga shërbimet e vendosura është konstatuar se personi shumë i kërkuar është afruar me një makinë “Wolkswagen” tip “Tuareg”, me ngjyrë të errët, me targa të huaja CR 535 FR”, deklaroi policia. Më pas shpjegohet se kur makina kishte ndaluar, trupa e Operacioneve Speciale e ngarkuar me këtë detyrë ka bërë rrethimin e mjetit për të mundësuar arrestimin tij. Gjatë ndërhyrjes, i shumëkërkuari Dritan Dajti në mënyrë të menjëhershme ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë dhe si pasojë kanë mbetur të vrarë 4 oficerët, është plagosur rëndë i shumë-kërkuari Dritan Dajti, si dhe ka mbetur i vrarë Ledion Mara, kunati i Dajtit, person me precedentë kriminalë, si dhe është arrestuar drejtuesi i mjetit të lartpërmendur Erges Xhaxhi, 22 vjeç. E.D.
Jeta mes krimit e studentit të Juridikut
Fatos Mahmutaj
Emri i Dritan Dajtit do të bëhej i njohur në botën e krimit në kryeqytet pas arratisjes spektakolare nga Gjykata e Tiranës mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 2003. Para kësaj ngjarjeje ai njihej si një nga të fundmit e bandës së “Rrugës së Kavajës”, e cila prej vitit 1999 nuk funksiononte më. Por, ndryshe nga shokët e tjerë, keqbërës të rëndomtë, që u vranë njëri pas tjetrit në përplasje me bandën e “Rrugës së Durrësit”, Dajti mbijetoi pasi roli i tij në bandë ishte mjaft i vogël dhe për më tepër ishte distancuar nga ata. Gjatë kësaj kohe, Dajti, i vitlindjes 1971 kishte nisur studimet e larta për juridik në një universitet privat në Itali. Por kjo gjendje nuk do të vazhdonte gjatë. Dajti konfliktohet me dy vëllezërit Agim dhe Besnik Beqja, të cilët kishin nisur të ndërtonin një pallat në rrugën “Haxhi Dalliu”, shumë pranë banesës së Dritanit. Shkak për konfliktin bëhet rrethimi me llamarina i sheshit të ndërtimit. Dajti pretendonte se i pengonin hyrje-daljet për në garazhin e makinës së tij. Në janar të vitit 1999 Dajti i maskuar dhe i armatosur kërcënon dy vëllezërit ndërtues, të cilët e lëvizin rrethimin deri në vendin e caktuar prej Dritanit. Por edhe pas kësaj gjërat nuk qetësohen derisa më 17 shkurt, Dajti së bashku me dy persona të tjerë, të armatosur, maskuar dhe veshur me antiplumb vranë Agim Beqajn. Një javë pas kësaj ngjarje Dajti arrestohet, por dy javë më vonë lihet i lirë për mungesë provash. Por edhe pas kësaj Dajti bëhet protagonist i dy ngjarjeve të rënda kriminale në Tiranë. Më 17 nëntor 1999 në rrugën “Muhamet Gjollesha” te pallati 215, përpara një lokali plagosen me pistoletë Adnand Derraj, dhe Ergys Ferhati. Derraj menjëherë pas ngjarjes akuzoi Dajtin për krimin, i cili i kishte kërkuar llogari për konfliktin që ka pasur me Edmond Sulën, një nga shokët e Dritanit. Për t’u hakmarrë Dajti i kishte qëlluar të dy, por dy vite më vonë gjatë gjykimit të Dajtit, Derraj i pyetur në cilësinë e dëshmitarit dhe të dëmtuarit në gjykatë e ka përjashtuar Dritanin, duke detyruar gjykatën t’i jepte pafajësi për këtë akuzë, megjithëse prokuroria pretendoi se në plagosjen e dy të rinjve është përdorur e njëjta armë me të cilën u vra biznesmeni Beqaj. Mbrëmjen e 14 prillit të vitit 2000 grabitet një shumë prej 55 milionë lekësh të vjetra në njërën nga shoqëritë e lotove sportive, ndërsa ngrihet akuzë për Dajtin. Gjatë kësaj kohe policia e kryeqytetit nis hetime për të riun nga lagjja “Brakë”, por pa kërkuar masë sigurie për të. Më 20 prill të vitit 2001 Dajti arrestohet dhe dërgohet në qelitë e komisariatit numër dy të kryeqytetit. Aty i komunikohen akuzat: “vrasje e biznesmenit Beqja”, “tentativë vrasjeje e Adnand Derraj dhe Ergys Ferhatit”, “grabitje me armë e Eurollotos” dhe “armëmbajtje pa leje”, për të cilat Dajti mban qëndrim mohues. Gjatë gjykimit ai mbajti qëndrim mohues për këto akuza, ndërsa pohoi se ishte dhunuar në mënyrë barbare nga policët që e kishin marrë në pyetje. Më 13 janar 2003 nisi gjykimi për Dajtin në Gjykatën e Tiranës. Kjo vazhdoi deri më 17 nëntor 2003, ora 10:00, kur Dajti u arratis nga gjykata sipas një plani të mirorganizuar dhe të koordinuar me shokët e tij, që ndodheshin në zonën rreth gjykatës. Para se të dilte nga qelia dhe të nisej për në gjykatë Dajti lyen trupin me vaj ulliri për t’u bërë i rrëshqitshëm. Vesh një kostum sportiv dhe atlete. Sapo mbërrin në gjykatë u kërkon policëve ta shoqëronin për në banjë, ku merr një pistoletë, e cila ishte lënë pak minuta më parë në shkarkuesin ujit në banjë. Mendohet se ai mund ta ketë pasur armën në burg dhe e ka sjellë të lidhur me llastik mes këmbëve. Kjo ka mbetur hipotezë, ndërsa ai pasi e vendos armën në brez, hyn në sallën numër dy të gjyqeve në katin e dytë të Gjykatës së Tiranës dhe në momentin që policët po i hiqnin prangat nxjerr pistoletën dhe nën kërcënimin e saj i shtrin përtokë të tre. Hap derën dhe del në paradhomën e sallës së gjyqit, ku has përballë prokurorin e çështjes. Pasi e kërcënon atë kalon në korridorin mes sallave të gjyqeve, pastaj para derës së gjykatësit të çështjes, ku qëllon me pistoletë në tavan. Duke u përplasur me njerëzit e shumtë dhe duke u penguar e rrëzuar disa herë nëpër shkallë zbret në katin e parë dhe brenda pak çastesh gjendet në oborrin e gjykatës ku nis të qëllojë në ajër. Nga të gjitha anët, shokët e tij qëllojnë me armë katin e katërt të gjykatës, ndërsa Dajti largohet me të shpejtë me një motoçikletë, që e priste para derës së gjykatës. Për ironi dhe karshillëk të policisë motori kalon para derës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe zhduket mes rrugicave midis rrugës së Kavajës dhe “Myslym Shyrit”. Gjashtë muaj më vonë do të dënohej me 20 vjet burg.
Kush është Ledion Mara, besniku i Dajtit që u ekzekutua dje
TIRANE - Viktimë e shkëmbimit të zjarrit të armëve automatike në ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme ishte edhe një nga besnikët e Dritan Dajtit, Ledion Mara. Sipas njoftimit zyrtar të policisë rreth ngjarjes, të shpërndarë për mediat, Mara, i lindur në vitin 1986 në qytetin e Lushnjës, cilësohej si “person me precedentë kriminale”. Bëhet e ditur se Ledion Mara është arrestuar nga policia në 8 prill të vitit 2008 në qytetin e tij të lindjes për akuzën e “mbajtjes së lëndëve narkotike”. Sipas policisë, ai është arrestuar pasi gjatë një kontrolli i janë gjetur në një sasi prej 0.2 gramësh lëndë narkotike e llojit marijuanë. Ndërkohë që pas ndalimit, Mara ka pohuar përpara oficerëve të policisë se sasia narkotike ishte e tij, pasi ishte përdorues, ndërkohë që kishte mohuar kategorikisht të ishte shpërndarës. Sasia e vogël e narkotikut dhe fakti që ai ishte përdorues i drogave të lehta është bërë shkak që të lirohej, ndërsa gjatë kësaj kohe i ishte bashkëngjitur shokut të vet, i cili jetonte në arrati, që prej 17 nëntorit 2003. Edhe gjatë ditës së djeshme sipas policisë Mara ka qenë më aktivi në ekzekutimin e policëve. Pas vrasjes së tre efektivëve specialë nga Dajti, i katërti është vrarë nga Mara, ndërsa i ishte afruar këtij me makinë.
Më 6 gusht 2003 në durrës u vra shefi i komisariatit, gani malushi
Plot gjashtë vjet më parë, më 6 gusht të vitit 2003, rreth orës 10:55, para derës së spitalit të Durrësit do të vritej në një atentat Gani Malushi, ish-shefi i komisariatit të Krujës. Atentatori Agim Pepa, u hakmor për vrasjen e të atit, duke ekzekutuar shoferin e Malushit, Gjovalin Ndreu, ndërsa njëri nga plumbat goditi me rikoshet komisarin e Krujës duke i marrë jetën.
Dajti kërcënon policët: Do t’ju vras të gjithëve!
DURRES- “Do t’ju vras të gjithëve! Unë i vdekur që i vdekur jam dhe ju do t’ju vras pa përjashtim, se e keni hak!”. Me tre plumba në trup, Dritan Dajti ka mbërritur i gjakosur në urgjencën e spitalit të Durrësit. Por, pavarësisht asaj që kishte ndodhur, ai nuk ka reshtur së kërcënuari forcat e shumta të policisë, që e shoqëronin dhe e mbanin të survejuar rreptësisht, si edhe mjekët, të cilët u angazhuan për t’i dhënë ndihmën e shpejtë. Në gjendje koshiente, Dajti nuk ka ngurruar që të kërcënonte gjakftohtë. “Kjo nuk është asgjë për mua, para asaj që ju pret ju! Do t’ju vras të gjithëve!”, ka thërritur ai, para se t’i nënshtrohej operacionit që zgjati për më shumë se 2 orë. Prej këtyre kërcënimeve janë stepur dhe mjekët e mbledhur me urgjencë për atë që kishte ndodhur. Megjithatë e gjithë zona përreth spitalit Rajonal të Durrësit është vënë në shtetrrethim të plotë. Mjekët dhe infermierët kanë punuar nën presion, pavarësisht rrethimit të uniformave blu. Me dhjetëra efektivë të policisë kanë mbërritur brenda pak minutash në ambientet e spitalit, por situata është përjetuar shumë keq për shumë prej tyre, teksa kanë mësuar se 4 prej kolegëve të tyre u transportuan për në morgun e spitalit, pasi nuk kishin asnjë shenjë jete.
I pari që ka marrë dëshminë e Dajtit, teksa mjekët bënin gati sallën e operacionin për të, ka qenë shefi i komisariatit të Durrësit, Gjelosh Prendi. Ai ka hyrë brenda për të folur me Dajtin, për të dalë disa minuta më vonë, por asnjë detaj nuk bëhet e ditur nga kjo dëshmi. Mjeku i urgjencës së spitalit, Gazmir Demiri, në një prononcim për gazetën saktësoi se 4 efektivat e policisë, bashkë me të afërmin e Dritan Dajtit, mbërritën pa jetë në urgjencë. Sipas tij, menjëherë i është dhënë ndihma e parë të plagosurit 19-vjeçar, me një plumb në këmbë dhe Dritan Dajtit, i cili iu nënshtrua operacionit për nxjerrjen e tre plumbave: në kofshë, një në krah dhe tjetri afër legenit. Asnjë prej tyre nuk i rrezikonte jetën, duke bërë që Dajti të mos ngurronte të jepte paralajmërimin dhe para bisturisë dhe në një gjendje komplet të gozhduar prej policisë. Të alarmuar, të gjithë pacientët e urgjencës kryesore janë larguar për në urgjencën e pediatrisë. Rreth orës 16:00, pak minuta pasi kishte dalë nga operacioni, Dritan Dajti nën masa të shumta sigurie është transportuar me një ambulancë të spitalit të Durrësit dhe furgon të forcave speciale “Renea” drejt spitalit të burgut, ku do të merret në pyetje për ngjarjen. Minutë pas minute e gjithë ngjarja është përjetuar rëndë dhe nga forcat e policisë së
Durrësit. Telefonat e të afërmve të tyre kanë rënë pa pushim, derisa Drejtoria e Përgjithshme e policisë së shtetit, nëpërmjet një deklarate për shtyp bëri të ditur dhe emrat e viktimave.
Vrasja e policëve, ekspertët: Faji i drejtuesve të operacionit
Ferdinand Dervishi
Mënyra e vrasjes së katër oficerëve të lartë të policisë dje në Durrës ka detyruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që veç hetimit të ngjarjes, të nisë edhe një tjetër hetim special për mënyrën se si ishte organizuar operacioni që rezultoi katastrofik.
Por jashtë këtij veprimi të Krimeve të Rënda, pohuar zyrtarisht për “Panorama”, edhe njohës të ndryshëm të policisë dhe mënyrës se si ajo funksionon, kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me këtë operacion. Ish-oficerë të lartë të policisë, por edhe aktualë, qoftë edhe jo oficerë, por specialistë të fushave të ndryshme, vinin dje me opinionet e tyre në një përfundim të përbashkët: Drejtuesit e operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit kanë gabuar. Gabimi ka qenë fatal dhe për rrjedhojë është edhe i ndëshkueshëm.
Argumenti i parë që sillet është gabimi në arrestimin e një të kërkuari të kalibrit të Dritan Dajtit. Sipas opinioneve të dhëna, në rastin e Dajtit, që konsiderohet si një ndër të kërkuarit më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi ka provuar në disa raste se është një hap më i shpejtë se policia, duhet të impenjoheshin forcat më të specializuara, që në rastin e vendit tonë janë ato të RENEA. Madje opinionistë, që të gjithë nga radhët apo profesioni i policisë, thonë se në rastin e Dritan Dajtit, për arrestimin duhet të përdoreshin mjete të blinduara, mundësisht edhe ndonjë tank.
Një moment tjetër i diskutueshëm është bërë edhe shfaqja e policëve të maskuar me kokore të zeza për arrestimin e Dajtit. Dihet që Dajti ka armiq të deklaruar, të cilëve u ruhet. Sipas opinioneve, ai krejt natyrshëm do të reagonte pa paralajmërim duke qëlluar në drejtim të civilëve të maskuar, pasi do t’i ngatërronte me kundërshtarët e vet. Po kështu në pikëpyetje vihet nga të njëjtët edhe momenti i prezantimit të policëve civilë. Pra, nuk dihet nëse ata janë paraqitur si njerëz të policisë apo jo. Nëse jo, ata i kanë dhënë një mundësi më shumë të kërkuarit për të qëlluar në drejtim të tyre.
Katër oficerët, 11 vite kundër krimit
Fatos Mahmutaj
“Gjatë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të hetimit të krimit, janë karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e dety-rave, kanë marrë pjesë në aktive në vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe janë dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët”. Me kaq, Policia e Shtetit ka përmbledhur “nekrologjinë” zyrtare për katër policët “Drejtues”, Fatos Xhani dhe kryeinspektorët Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari e Altin Dizdari, të vrarë dje në krye të detyrës në qytetin e Durrësit gjatë shkëmbimit të zjarrit me të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Policia e Shtetit njoftoi dje se homazhet për katër policët, të cilët u shpallën “Dëshmorë”, do të zhvillohen gjatë mesditës së sotme në Pallatin e Kongreseve nga ora 11:30 deri në orën 13:00, ndërkohë që homazhet do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët. Policia e Shtetit pohoi dje se dëshmori Fatos Haqir Xhani, mbante gradën “Drejtues”. Ai ka lindur më 7 maj 1978, i martuar me dy fëmijë, me arsim të lartë policor, titulluar punonjës policie në vitin 2000, në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku ka punuar deri në vitin 2003, derisa u transferua në Durrës, me detyrën e shefit të antidrogës në këtë qark. Në vitin 2007, deri ditën e djeshme kur u vra në krye të detyrës, mbante postin e kreut të Sektorit të Operacioneve Speciale, në Drejtorinë Kundër krimit të Organizuar, në Departamentin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Dëshmori Kastriot Çlirim Feskaj, 41 vjeç, mbante gradën “Kryeinspektor”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ka lënë pas bashkëshorten dhe një fëmijë, me arsim të mesëm, titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1998, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Që nga ajo kohë deri ditën e djeshme ishte polic i nivelit zbatues në të njëjtin institucion. Viktima e tretë e ditës së djeshme ishte Dëshmori Saimir Islam Duçkollari, me gradën “Kryeinspektor”, 32 vjeç, i martuar me dy fëmijë, me arsim të mesëm, titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1998, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Që nga ajo kohe kishte mbetur në të njëjtën strukturë policore. Dëshmori Altin Idriz Dizdari, 32 vjeç, mbante të njëjtën gradë si kolegët Duçkollari dhe Feskaj. I martuar katër vite më parë, ai ka lënë pas bashkëshorten dhe një fëmijë, me arsim të mesëm, ndërsa ishte titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1999, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku ka mbetur në të njëjtën detyre deri ditën e djeshme, në strukturat e hetimit të krimit.
Si u krijua reparti GOS për ndërhyrjet tepër të rrezikshme
TIRANE – Sektori i Operacioneve Speciale, i njohur edhe si GOS, është një prej strukturave, pjesë përbërëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Si një strukturë me punonjës pothuajse sekretë, informacioni rreth saj është i kufizuar. Burime pranë këtij grupi operacional sqaruan se fillesat e saj kjo strukturë i ka pasur rreth 4 vite më parë, mbi një strukturë të mëparshme të vitit 1998. Që prej fillimit, Sektori Operacional Special është ideuar për të qenë “pjesë aktive” e radhëve të policisë, vetëm në operacione të posaçme. Gjithashtu pjesë dominuese e filozofisë së saj është vëzhgimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale. Ndryshe nga efektivët e Shërbimit Informativ Shtetëror, efektivët e GOS kanë në kompetencën e tyre ndërhyrjen dhe deri në arrestimin e personave të inkriminuar në veprimtari të jashtëligjshme. Në hierarkinë e kompetencave në organigramën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, agjentët e GOS qëndrojnë mbi efektivët e tjerë të policisë, si edhe ato të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Varësia e tyre është nga Drejtoria, pjesë e së cilës janë strukturë. Ata angazhohen në luftën kundër krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe të antidrogës. Bëhet e ditur se kjo strukturë ka rreth 40 efektivë. Të gjithë efektivët janë persona që kanë mbaruar Shkollën e Policisë dhe gëzojnë gradën inspektor. “Rutina” e përditshme punonjësve të kësaj strukturë është vëzhgimi. Në vijim ata dokumentojnë veprimtarinë kriminale, duke realizuar përgjime ambientale, fotografime dhe filmime. Pas dokumentimit, ata mund edhe të ekzekutojnë arrestimin e personave të inkriminuar. Agjentët e GOS, punojnë nën koperturë, duke u veshur me rroba civile dhe duke i mbajtur armët e zjarri në vende jo të dukshme. ar.ba
Berisha: Ranë dëshmorë me kriminelin më të rrezikshëm
ADI SHKEMBI
Krerët e shtetit reagojnë ashpër pas vrasjes së katër policëve mesditën e djeshme në qytetin e Durrësit. Kryeministri Sali Berisha është kthyer menjëherë në Tiranë nga Dhërmiu, ku kishte shkuar pas disa aktiviteteve që ka pasur në Kurbin. Gjatë një konference për shtyp, kreu i ekzekutivit tha se “për Policinë e Shtetit dhe mbarë vendin kjo është një e premte e zezë. Policët ranë në krye të detyrës në një operacion që ata ndërmorën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar, Dritan Dajtin dhe bandën e tij”. Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se katër efektivët e policisë do të shpallen “Dëshmorë të Atdheut” dhe dita e sotme do të shpallet ditë zie. Paraditen e sotme, në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve. Sipas ceremonialit, varrimi i tyre do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Presidenti Topi u dërgoi dje mesazhe ngushëllimi familjeve të punonjësve të forcave të rendit të rënë në krye të detyrës, duke vlerësuar aktin e tyre, ndërkohë që ka dënuar ashpërsisht krimin makabër, si dhe duke kërkuar ndëshkimin e autorit të kësaj ngjarjeje të paprecedent. “Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt, do jetë përgjigja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan me vetëmohim, teksa e kryenin këtë detyrë fisnike”, thuhet në mesazhin e Topit.
LSI
“LSI bashkohet me dhimbjen e familjarëve, duke u shprehur ngushëllimet më të ndjera dhe të sinqerta për humbjen e jetëve të familjarëve të tyre. LSI duke u solidarizuar me familjarët e viktimave, kolegët e të rëndëve, shpreh mbështetjen e saj pa ekuivok për Policinë e Shtetit në përmbushjen e misionit të tyre, për të luftuar krimin e organizuar, si dhe kërkojmë dënimin maksimal për kriminelët. LSI kërkon hetim të thelluar dhe të shpejtë nga ana e Prokurorisë së kësaj veprimtarie kriminale shumë të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e LSI.
Rama: Ngjarja, si pasojë e një pushteti të kalbur nga korrupsioni
Partia Socialiste ka reaguar ashpër pak orë pas vrasjes së katër punonjësve të policisë në qytetin e Durrësit. Përmes një mesazhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i PS-së Edi Rama theksoi se kjo ngjarje vjen si pasojë e një pushteti të kalbur nga korrupsioni i familjes së Kryeministrit Berisha. Rama ngushëlloi familjarët e katër efektivave të forcave të rendit. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për ngjarjen tragjike që mori jetën e katër policëve shqiptarë në krye të detyrës. Duke ngushëlluar megjithë zemër familjet e viktimave të kësaj barbarie, Edi Rama shpreh të gjithë solidaritetin e tij dhe të Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit në këtë orë kaq të vështirë”, thuhet në njoftimin e selisë rozë. Kreu i Partisë Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha dhe familjen e tij, teksa shtoi se vendi po qeveriset nga një ekzekutiv që nuk ka dalë nga vullneti i lirë i popullit. “Kryetari i Partisë Socialiste thekson se ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion i qëllimeve dhe i nevojave të oborrit familjar e klanor që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar”, thuhet më tej në njoftimin e PS-së.