“Samuel Eto është më i fortë se Ibrahimoviç”
Zhoze Murinjo nuk zhgënjen kurrë. Edhe nga Kina trajneri i zikaltërve është shprehur pa doreza dhe me ironinë që e karakterizon ka bërë një koment për gjithçka: Ibrën, Eto, Superkupën, Juventusin dhe merkaton. Natyrisht batuta e parë ka lidhje me blerjen e bujshme të sulmuesit kamerunas, i cili prej disa javësh është duke u stërvitur me skuadrën. “Eto më i mirë se Ibra? Është më mirë të presim pak përpara se të bëjmë të tilla gjykime”.
Superkupa – “A është gati Interi për Superkupën? Dihet që po të kishim më shumë kohë në dispozicion mund të ishim përgatitur edhe më mirë. Jemi një skuadër e re, sidomos në krahasim me sezonin e kaluar, duke pasur 4 titullarë të rinj. Jemi stërvitur shumë dhe jemi të aftë ta përballojmë më së miri këtë ndeshje. Kemi shumë cilësi dhe mund të fitojmë”.
Lojtarët – Trajneri portugez i Interit ka bërë një koment edhe për gjendjen fizike të lojtarëve të tij: “Si është Eto? Ai do të luajë që nga fillimi i ndeshjes. Nuk mendoj se mund të luajë gjatë 90 minutave, por me siguri do të qëndrojë përgjatë pjesës më të madhe të sfidës. Përsa i përket të tjerëve mund të them që janë në gjendje të mirë, por do t’i shoh në fushë se çdo të jenë të aftë të bëjnë kundër bardhekaltërve të Balardinit”.
Kundërshtarët – “Lacio ka ndryshuar trajner dhe është e vështirë të përgatitesh për një ndeshje të tillë. Ata nuk kanë luajtur kundër ndonjë skuadre të madhe, prandaj nuk di ç’të them. Megjithatë, unë i kam idetë e qarta dhe dua ta përmirësoj skuadrën time gjithmonë e më shumë. Do të luajmë ose me modulin 4-4-2 dhe rombin në mesfushë ose me 4-3-3 me Balotelin”.
Ibra – “Ju thoni që trashëgimia e Ibrës është e rëndë për Eto. Nëse krahason karrierën e kamerunasit me atë të suedezit, nën presion duhet të jetë Ibra... Megjithatë, unë mendoj se nuk duhet harruar një lojtar i rëndësishëm dhe unë si trajner nuk i harroj kurrë ata futbollistë që kanë diçka të rëndësishme. Unë nuk jam i trishtuar për këtë shkëmbim dhe as tifozët s’duhet të jenë”.
Arnautoviç – “Në këtë moment ai nuk mund të japë asgjë për skuadrën. Nuk stërvitet me grupin dhe nuk mendoj për të si një lojtar i skuadrës sime, por si një lojtar i stafit mjekësor”, është shprehur Murinjo lidhur me zyrtarizimin e tratativës me Tuneten, për huazimin e Arnautoviç.
Merkato – “Më duhet një organizator që të luajë pas sulmuesve, një futbolist që të krijojë, të ketë fantazi. Deko? Nuk besoj se ndonjë lojtar i Çelsit mund të vijë tek Interi, kjo është një gjë shumë e vështirë”.
Juve – “Bardhezinjtë? Nuk dua të mendoj tani për kampionatin e për pasojë as për Juven. Kam finalen e Superkupës për të fituar, prandaj jam përqëndruar vetëm aty”, ka përfunduar Zhoze Murinjo.