Berisha injoron krizën politike, diversion e luftë kundërshtarëve Nga “Faktori Plus”Kriza politike në vend po injorohet nga kryeministri Berisha, i cili po përpiqet ta thjeshtëzojë atë në një betejë për të gjunjëzuar opozitën. Dhe duket qartë se ajo
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha injoron krizën politike, diversion e luftë kundërshtarëve Nga “Faktori Plus”Kriza politike në vend po injorohet nga kryeministri Berisha, i cili po përpiqet ta thjeshtëzojë atë në një betejë për të gjunjëzuar opozitën. Dhe duket qartë se ajo po zhvillohet në shumë plane.
Objektivi i parë i shefit të ekzekutivit është futja e opozitës në parlament ose përçarja e saj. Kështu, Berisha u investua fuqishëm në rritjen e dramacitetit në zonat e përmbytura dhe në prodhimin e një ngjarjeje, përmes së cilës ai mendonte të tërhiqte opozitën në Kuvend. Gjatë fjalimit të djeshëm në grupin parlamentar, ai e shprehu qartë, se kjo seancë ishte e kërkuar prej opozitës, çka reflektonte bisedimet e tij me njerëz informalë në opozitë, për të shkuar ditën e djeshme në sallën e parlamentit.
Në mbështetje të qeverisë për këtë çështje është qëndrimi i pesë deputeteve të vetë-pagëzuar si “Lëvizja për Mendim Ndryshe”, të cilët kanë vendosur të hyjnë në Kuvend javën e parë të marsit.
Lideri i këtij grupi, Ben Blushi, e tha dje qartë, se ai do të hyjë në parlament në fillim të marsit, dhe debatoi me gazetarët për qëndrimet e tij të vakëta opozitare. Një tjetër drejtim, ku Berisha po investohet fort, është gjithashtu gjunjëzimi i të gjithë faktorëve opozitarë në Shqipëri dhe sulmi ndaj medies kritike e bizneseve, që qëndrojnë pas saj.
Kryeministri Berisha ka urdhëruar njerëz informalë brenda sistemit të tatim-taksave, që të fillojnë kontrolle financiare paragjykuese, vetëm mbi mediet dhe bizneset e lidhura me medien kritike ndaj tij. Kështu, tatimorët kanë vërshuar në dyert e gazetës “TemA” dhe gazetës “Albania”, si dhe në bizneset e lidhura me pronarët e kompanisë Vizion Plus. Grupet e kontrollit orientohen direkt nga njerëz informalë, që nuk janë zyrtarisht dhe ligjërisht në postin e duhur për të komanduar kontrolle. Në krye të tyre qëndron ish-gjeneral Agim Shehu, i arratisur pas vitit 1997, dhe i ri-kthyer në vitin 2007, tashmë si njeriu më i rëndësishëm i task forcës në sistemin e tatimeve. Rrotull dhe nën komandën e tij janë një sërë kontingjentesh të larguara pas vitit 1997, në Bruksel, Gjermani dhe Zvicër, të cilët vënë gjoba mbi medien dhe bizneset e lidhura me të, përdoren nga Policia Ndërtimore si drejtues fadromash dhe ekipesh ndërhyrjeje, pa llogaritur fare autoritetin e zyrtarëve formalë, që Berisha ka emëruar në këto institucione.
Një tjetër aspekt, ku Berisha po investon për injorimin e krizës dhe zgjidhjen e saj në rrugë informale duke gjunjëzuar opozitën, është përdorimi i diplomatëve perëndimorë, që kanë detyrim të shprehen pro kthimit të opozitës në Kuvend. Në këtë pikë më i keq-përdorur duket Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, vendi i të cilit ka dhe kryesinë e radhës së BE. Mënyra e artikulimit të diplomatit spanjoll krijon përshtypjen se problemi i vetëm që ai ka, është se si të kthejë opozitën në Kuvend. Në të njëjtën mënyrë u keqpërdor zoti ambasador në fjalë edhe pas takimit me zonjën Topalli, kur problemi që i citoi media, ishte hyrja e opozitës në parlament. Dje, dy ambasadorët perëndimorë, ai spanjoll dhe i BE, ishin dhe te presidenti Topi, ku bie në sy se spektri i bisedës ishte shumë më i gjerë. Selia e Presidencës njoftoi për medien se diplomatët e lartë i prezantuan kryetarit të shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për përpjekjet madhore dhe sfidat, që duhet të përballin për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Kreu i shtetit u shpreh i bindur për bashkëpunim të plotë me presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE në Tiranë, në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Gjatë bisedës, personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht te situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi.
Pra, shihet qartë se beteja e pushtetit për të gjunjëzuar opozitën, pa zgjidhur problemet opozitare në vend, pa respektuar standardin e zgjedhjeve dhe standardin e lirive njerëzore, lirinë e shprehjes dhe lirinë ekonomike, është objektiv kryesor i kryeministrit Berisha. Duke qenë se ka arritur të grumbullojë rreth vetes gjithë pushtetin, ai po i harxhon të tëra energjitë për të kontrolluar opozitën dhe medien kritike. Dhe ky është alarmi që duhet të shqetësojë së pari shqiptarët dhe normalisht edhe ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri.