KiE: Hetim zgjedhjeve, kriza të zgjidhet sa më shpejt, Topi negociatorNga Tema Asambleja e Këshillit të Evropës do të diskutojë një rezolutë, ku thuhet se kriza politike rrezikon stabilitetin e vendit, ndaj duhet zgjidhur sa më shpejt
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
KiE: Hetim zgjedhjeve, kriza të zgjidhet sa më shpejt, Topi negociatorNga Tema
Asambleja e Këshillit të Evropës do të diskutojë një rezolutë, ku thuhet se kriza politike rrezikon stabilitetin e vendit, ndaj duhet zgjidhur sa më shpejt
Dy të dërguarit e Këshillit të Evropës, Jaakko Laakso dhe David Wilshire, kanë përgatitur një rezolutë për Shqipërinë, që pritet të diskutohet gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli, në fund të këtij muaji.
Në rezolutë thuhet se vendi është i përfshirë në një krizë politike, e cila po dëmton integrimin e vendit. Raportuesit thonë se është koha për t’i dhënë fund kësaj krize. Ata sugjerojnë se duhet të ketë një komision të përbashkët parlamentar, që duhet të hetojë shkeljet në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Raportuesit thonë se rolin në këtë proces ndërmjetësimi duhet ta ketë Presidenti i Republikës, që do të asistohet dhe nga Këshilli i Evropës.
Rezoluta
Draft-rezoluta me dhjetë pika thekson që në fillim se vendi ndodhet në krizë, për shkak të bojkotit që po i bën opozita parlamentit. Raportuesit thonë se kjo po dëmton reformat në vend. Sipas tyre, bojkoti që po i bëhet parlamentit ka dëmtuar dhe marrëdhëniet mes Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe Shqipërisë, pasi nuk janë zgjedhur anëtarët e delegacionit të parlamentit shqiptar, që merr pjesë në punimet e kësaj Asambleje. Mungesa e dialogut, thuhet në rezolutë, ka nxitur retorikën e ashpër mes palëve, çka mund të destabilizojë vendin. Më poshtë në rezolutë thuhet se tashmë Shqipëria duhet të përgatisë opinionin për në Komisionin Evropian, që do i hapë rrugë marrjes së statusit të kandidatit, por situata në vend po e bën shumë të vështirë progresin. Rezoluta thotë se dështimi i Shqipërisë për të liberalizuar vizat, ndryshe nga tri vendet fqinje, është një tregues domethënës. Asambleja, thuhet në rezolutë, është e gatshme të ofrojë mbështetje për zgjidhjen e krizës. Asambleja vlerëson hapat e presidentit Topi për krizën dhe thotë se një tryezë e rrumbullakët është e nevojshme. Asambleja kërkon që kriza të zgjidhet sa më shpejt, duke i kërkuar qeverisë në veçanti që të ngrejë sa më shpejt një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, ndërsa opozita duhet të kthehet në Kuvend për të marrë pjesë në punimet e tij.
Në rezolutë thuhet se Shqipëria duhet të marrë parasysh rekomandimet që janë bërë për procesin zgjedhor, duke bërë përmirësimet e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kryesisht shqetësuese është çështja e regjistrit zgjedhor, e medieve, e komisionarëve të niveleve të dyta dhe të treta etj.
Asambleja i kërkon gjithashtu partive politike dhe shoqërisë civile që të ngrenë një grup të përbashkët për të shqyrtuar rastet e presioneve të bëra gjatë fushatës dhe për të nxjerrë përgjegjësit para ligjit.
Në përfundim rezoluta thekson se do kërkojë nga presidenti Topi, nëse ka nevojë për asistencë. I kërkohet trupit diplomatik në Shqipëri që të japin sugjerime të mëtejshme dhe theksohet se së shpejti raportuesit do jenë sërish në Shqipëri.