E Shtunë, 31 Tetor 2026

90 minuta “black out” për Shqipërinë në shtypin botëror

Reali i Madridit përjetoi në 210 minutat e tij më të çuditshme në impiantin ndërkombëtar shqiptar, me një kontrast të fortë “bardh e zi”, nga ultramoderni “Santiago Bernabeu” i Madridit (61 vjet si stadium, i hapur në vitin 1947, 228 milionë euro kostoja e ndërtimit, 80 mijë vende), i caktuar për të luajtur finalen e Ligës së Kampioneve, te i rrënuari i Tiranës, “Qemal Stafa” (64 vjet si stadium, i hapur më në vitin 1946, rreth 20 milionë euro kostoja, 16 mijë vende), teksa gjatë ndeshjes Gramozi-Real Madrid, të vlefshëm për edicionin e tretë të trofeut “Taçi Oil Cup” shijoi 90 minuta në terr të plotë.

Mediat ndërkombëtare, përmes gazetarëve të shumtë të akredituar në “Qemal Stafa” dhe të paktën gjashtë rrjeteve televizive që e transmetuan direkt përballjen e klubit më të shtrenjtë të planetit, i benë jehonë “errësirës” shqiptare, madje në disa raste edhe duke e tepruar me shkrimet e tyre. Këto janë disa komente në mediat botërore për incidentin që ndodhi në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, në ndeshjen e Realit te Madridit me Gramozin e Ersekës.

“Real Madrid mund Gramozin në një ndeshje të çuditshme të mesjavës. Real Madrid mundi 2-1 Gramozin e Ersekës, në edicionin e vitit 2010 të “Taçi Oil Cup”. Ndeshja e organizuar nga manjati Rezart Taçi, pa një ndërprejrje të energjisë që ndërpreu ndeshje për të paktën dy orë e gjysmë. Real Madrid futi ftohtësisht në xhep 2.5 milionë euro nga ndeshje, ndërsa të ardhurat nga ndeshja shkuan për viktimat në incidentet e përmbytjeve në verit të Shqiperisë”, - shkruan Feras Saad, i një prej faqeve me popullore sportive në internet Goal.com.

Nga mediat spanjolle më ironike ishte gazeta sportive “As”, që nga ana e saj shkruante se “golat e Kakasë dhe Benzemasë ndriçuan Tiranën”. “As”, një gazetë e afërt me klubin madrilen shkraun se futbollistët e Realit të Madridit menduan edhe largimin nga stadiumi, por ishte urdhri i presidentit Florentino Perez, ai që vendosi për vazhdimin e lojës deri në përfundimin zyrtar të takimit të fituar nga Reali.

Gazeta britanike “Indipedent” e hapte shkrimin e saj rreth miqësores me titullin: “Dritat shkojnë e vijnë për Ronaldon dhe Realin”. “Kur Kristiano Ronaldo nënshkroi për Realin e Madridit verën e kaluar për nëntë herë kampionët e Europës, nuk do ta kishte menduar kurrë se dotë priste në qendër të Tiranës për më tepër se një orë sa të ndizeshin dritat e stadiumit në ndeshjen miqësore kundër Gramozit”, - shkruante gazeta në fjalë.

“E keqja e transferimit rekord të Ronaldos prej 80 milionë sterlinash, është se Reali është futur fuqishëm në treg për të kompensuar këtë shumë të jashtëzakonshme, kështu që nuk mund të hidhte poshtë ofertën prej 2 milionë eurosh të milionerit të naftës, Rezart Taçi, për të luajtur kundër klubit të tij, Gramzoi, që sapo është promovuar në Kategorinë Superiore në Shqipëri. Momenti krenar në historinë e Gramozit u shndërrua në hidhërim të pafund, kur stadiumi u kredh në terr”, - vazhdon “Indipedent”.

Agjencia “Reuters” shkruante se “stadiumi i Tiranës u zhyt në errësirë pas ndërprerjes së energjisë me fillimin e pjesës së dytë dhe lojtarët e Realit, përfshirë Kakanë dhe Kristiano Ronaldon, iu deshën të prisnin për një orë e njëzet minuta derisa energjia të rikthehej”. Në të njëjtën linjë ishte edhe agjencia franceze e lajmeve, AFP, që shton edhe faktin se opozita shqiptar në deklaratën e saj tha se “Shqipëria është bërë qesharake”.

Faqja sportive italiane “Calcioneës24.com”, shkruante se “Reali fitoi një ndeshje të ndërprerë nga errësira”. Një lojë futbolli e turpshme në Shqipëri. Gjigandët e futbollit spanjoll u zhyten në errësirë teksa luanin një miqësore në Shqipëri me një ekip te baronit të naftës Rezart Taçi”.

Kronika në faqen e Realit të Madridit nis me fjalët: “Dhe me në fund dritat erdhën”. Kishte dhe komente te tilla humoristike si Reali mezi sheh ditën dhe jo natën. Gjithsesi është konsideruar një incident qe nuk është i pazakonshëm në botën e futbollit.

Mes lojtarëve të Realit të Madridit ka pasur jo pak tension në momentin e ikjes së dritave, madje ata kanë bërë gati valixhet për tu larguar kur panë se dritat u vonuan mbi 85 minuta. Duket se ka qenë presidenti Perez që u ka kërkuar të qëndrojnë.

Futbollisti i Tiranës Bledar Devolli që të mërkurën ishte në fushë me fanellën e Gramozit tregon momentet e kaosit në dhomat e zhveshjes. “Në errësirë u bë një kaos i vërtetë. Edhe vetë ne u çuditëm jo ata që nu janë mësuar me të tilla gjera. Me sa pashë unë ata po bënin gati valixhet, por me sa duket u dha urdhër presidenti i tyre” u shpreh Devolli për “Neës 24”. Ndërkohë kapiteni i Tiranës Devi Muka pranon se gjera të tilla kanë ndodhur edhe më parë por sipas tij tensioni ka qenë i madh në dhomat e zhveshjes. “Ishte një atmosferë e mirë, sa i përket pjesës së parë se pas asaj që ndodhi...Dihet se në Shqipëri nuk është hera e parë që ndodhin gjera të tilla. Në dhomat e zhveshjes pati tension. Të tilla gjera kanë ndodhur edhe jashtë shtetit, normale që nuk është mirë”, u shpreh Muka për “Neës 24”.
Zyrtare të FSHF-së deklarojnë se defekti në stadiumin Qemal Stafa mund të ishte shmangur nëse do të zbatohej rregullorja dhe do të vihej në punë gjeneratori për të shmangur cdo lloj të parpiture.
“Për sa i përket ndeshjeve ndërkombëtare që organizon FSHF në kuadër të eliminatorit europian apo të kampionatit botëror, hartohet një plan pune i detajuar përpara se të vijë ndeshja. I dërgohet një kërkesë OSSH-së që të sigurojnë dhe të kemi të garantuar ndriçimin e stadiumit. Një shkresë zyrtare i dërgohet dhe linjës së dytë që është e lidhur me Pallatin e Kongreseve, që të kemi të garantuar ndriçimin gjatë gjithë ndeshjes sipas rregullores. Njëkohësisht sigurojmë dhe gjenerator rezervë i vili gjatë gjithë kohës duhet të jetë i ndezur dhe i gatshme në rast se ndodh ndonjë avari”, - tregon Besnik Cela përgjegjës për stadiumet ne FSHF. Ndërsa Eduard Prodani sekretar i përgjithshëm në FSHF deklaron se Stadiumi “Qemal Stafa” është i amortizuar dhe mbart një sërë problemesh. Ne kemi pasur vazhdimisht shqetësimin me standardet si operon ky stadium. Nuk mendoj se kjo është përgjegjësi e një apo dy personave, por është forma e menaxhimit. Ka ardhur koha që ti besohet një forme private menaxhimi, ose të paktën një forme jo shtetërore menaxhimi”.- deklaron Prodani për “Neës 24”, duke shtuar: “Për fat ajo që ndodhi, ndodhi në një ndeshje miqësore por nëse do të ndodhte në një ndeshje zyrtare konsekuencat do të ishin shumë më të rënda dhe imazhi do dëmtohej më shumë”.

Fortuzi: “Përgjegjësit, OSSH-ja dhe Dhalesi”

Këshilli Mbikëqyrës i Fushave pranë Ministrisë së Sporteve analizoi skandalin pas incidenteve në “Qemal Stafa”, gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madrid, ku për 90 minuta u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Sipas Fortuzit, këshilltari i ministrit të Sporteve dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, përgjegjës kryesor është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH. “Me urdhër të Ministrit (Xhaferri) sot (dje) është ngritur një grup punë me përfaqësues të ministrisë sonë, Ekonomisë, për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë në drejtimin e ambienteve sportive, përfshirë stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe pallatit të sportit (“Asllan Rusi”), për të ndryshuar formën e administrimit të këtyre objekteve sportive”, - tha Fortuzi në konferencën për shtyp. Fortuzi theksoi se përgjegjës është edhe ish-drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, madje duke shtuar se ka dyshime të forta dhe për sabotim. “Shkarkimi i drejtorit Perikli Dhales u bë pasi ai lejoi zhvillimin e ndeshjes, edhe pse nuk kishte marrë masat e parashikuara nga rregullorja dhe masat e vendosura nga UEFA dhe FIFA, të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji të stadiumit. Fortuzi, një ish-futbollist i shquar i Tiranës, pohoi se nuk u zbatuan rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve me ndriçim, ndërkohë që OSSH-ja, tashmë e administruar nga një kompani çeke, nuk siguroi furnizim alternativ me energji. Këshilltari i ministrit Xhaferri, tha se ndeshja nuk duhet të fillonte pa qenë i pranishëm gjeneratori në stadiumin “Qemal Stafa”. “Përgjegjësia është e OSSH-së, pasi ajo ka bërë një kontratë me firmën “Taçi Oil” për ta marrë në mbikëqyrje stadiumin e ndeshjes, Nuk e ka respektuar, pasi nuk ka pasur gjenerator në stadium”. Në lidhje me idenë e hedhur nga ministri Ferdinand Xhaferri për një sabotim të mundshëm, Fortuzi tha se prokuroria ka pyetur rreth 25 veta në lidhje me incidentin në stadium dhe se organi i akuzës po interesohet për informacione të mëtejshme. Në fakt, energjia u ndërpre vetëm në linjën që furnizonte kullat e ndriçimit të stadiumit.

Shkarkohet Dhales, vjen Sollaku

Gazmend Sollaku është drejtori i ri shoqërisë aksionere që administron stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Lajmin e bëri të ditur këshilltari i ministrit të Sporteve, Indrit Fortuzi, njëherësh edhe Kryetari i Këshillit Mbikqyrës të Fushave pranë kësaj ministrie. Sallaku, një ish-futbollist i Dinamos, do të zëvendësojë ish-futbollistin e Tiranës, Perikli Dhales, të shkarkuar pas incidentit të ndodhur të mërkurën në impiantin ndërkombëtar gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madrid, ku për 90 minuta u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Drejtori i ri i stadiumit “Qemal Stafa” pohoi se ka ardhur koha të ristrukturohet stadiumi dhe se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit.

REAGIMI
OSSH-ja: “Nuk mbajmë përgjegjësi”

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, OSSH, reagoi në lidhje me skandalin e ndodhur në stadiumin “Qemal Stafa”, ku për 90 minuta u ndërpre ndeshja gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madrid (1-2, 20 janar), për shkak të mospasjes energji elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. “Na vjen keq për atë që ndodhi në stadium, por ne nuk kemi përgjegjësi për ngjarjen”, - thuhet në deklaratën për shtyp të OSSH-së. “Nuk kontrollojmë shpërndarjen e brendshme të energjisë në stadium. Nuk kemi kontratë për shërbim me gjenerator me stadiumin. Defekti ndodhi nën nënstacionin elektrik të stadiumit. Nënstacioni është përgjegjësi e menaxherëve të stadiumit. Dje dërguam kërkesë për gjenerator. Nuk morëm përgjigje nga stadiumi. Përtej detyrimeve riparuam defektin”

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›