E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-investitoreve Shqiperia ka taksa te uleta investoni

Kryeministri Sali Berisha në pritjen zyrtare dhënë në pallatin e Brigadave, para fillimit të konferencës së Bankës Islamike për Zhvillim që do të mbahet nesër në Tiranë, prezantoi potencialet reale të Shqipërisë për investimet e huaja.

Duke e cilësuar konferencën, e cila mbahet për të dytin vit radhazi, të rëndësishme për kombin dhe vendin, pasi pas asaj që u mbajt kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme, kryeministri theksoi se kjo konferencë fokusohet më së shumti në sektorin privat dhe në 25 projektet konkrete, të cilat janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe një mundësi e madhe për investitorët nga më shumë se 30 vende.
Kryeministri falënderoi gjatë fjalës së tij edhe mbretin Abdullha për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë, ndërsa vijoi me arritjet ekonomike të Shqipërisë në një kohë që Europa përballet me krizën e borxheve dhe të euros. Sipas tij Shqipëria ia doli të tërheqë investimet e huaj dhe të ketë rritje ekonomike, falë modelit të saj ekonomik.

“Koha në Europë është kohë krize, kjo është krizë multideminesionale, është krizë e borxheve, kriza e euros është rritur gjithashtu me globalizmin si të tillë. Ndërkohë Shqipëria ia doli që ta mbajë rritjen ekonomike, pavarësisht viteve të vështira, Shqipëria ia doli që në 4 vitet e fundit të ketë rritje tepër të lartë se mesatarja e rajonit, arriti të tërheqë investimet e huaja falë një modeli qëkemi implementuar në Shqipëri, taksa të ulëta në një treg , në burime natyrore të shumta dhe zhvillim i shpejtë i infrastrukturës, modernizimi i sistemit shëndetësor, zhvillimi i teknologjisë së informacionit”- deklaroi shefi i qeverisë, 8i cili theksoi gjithashtu se si pasojë e anëtarësimti të Shqipërisë në NATO, u rrit besimi i investitorëve të huaj, ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë për taksa të ulëta ndaj biznesit dhe kontrollit të borxhit publik.
“Qeveria është e bindur se e vetmja mënyrë dhe më e mira për të dalë nga kjo krizë është t’i adresohesh biznesit për t’u mbështetur, të përpiqemi të shtojmë eksesin tuaj. Ne mbetemi të angazhuar kundër taksave të larta. Ne nuk shohim të ardhme me taksa të larta, ne jemi të vendosur për të kontrolluar borxhin, por që nga 2005 huamarrjet janë bërë vetëm për investime. Mbetemi brenda vijës së kuqe prej 60% të borxhit publik”- shtoi më tej ai, ndërsa tha se qeveria e tij do të bëjë çdo përpjekje për të rritur partnershipin me sektorin privat dhe për të krijuar zona të lira ekonomike, pasi Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme, duke iu referuar burimeve energjetike, infrastrukturës dhe turizmit.

Potencialet energjetike
“Kemi potenciale për t’u shndërruar në fuqi energjetike për rajonin, për të vijuar rrugën e koncesioneve duke ruajtur fort partneritetin publik-privat. Shqipëria e pasur me burime ujore. Në Shqipëri po ndërtohen 100 hidrocentrale”- theksoi Berisha.

Turizmi
Përsa i përket turizmit ai tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike si bregdeti dhe malet që presin të zhvillohen.
“Kemi potenciale të mëdha turizmi. Numri i vizitorëve e turistëve që nga 2004 është rritur 13 herë. Më shumë se 92% e bregdetit pret që të zhvillohet. Shqipëria ka më shumë male,malet janë të virgjëra me pamje të jashtëzakonshme”- shtoi më tej ai.

Berisha: Shqipëria ka fusha të mëdha naftëmbajtëse
Kryeministri prezantoi më tej edhe potencialet në fushën e naftës dhe të mineraleve, për të cilat mund të investohet në Shqipëri.
“Shqipëria ka fusha të mëdha naftëmabjtëse, shumë kompani të naftës kanë ardhur në Shqipëri përfshirë edhe SHELL-in, të cilat kanë të dhëna për naftën- u shpreh Berisha, i cili gjatë fjalës së tij foli edhe për vizitën në Itali ku prezantoi përballë investitorëve të huaj potencialet e vendit tonë, të cilat u pasqyruan në mediat italiane dhe me të drejtë sipas tij e quajtën Shqipërinë Kina e vogël.

Në fund të fjalës së tij kryeministri shprehu bindjen se çdo sipërmarrës ka shumë arsye për të investuar në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›