Berisha iu heq makinat deputetëve dhe zyrtarëve: Shpenzime korruptive
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se do t'iu hiqen makinat dhe shoferët një pjesë të mirë të zyrtarëve në institucionet qendrore dhe në rrethe, përfshirë edhe deputetët. Ai tha se për lëvizjen e tyre harxhohen miliona dollarë dhe shpesh duke bërë korrupsion me paratë e buxhetit te shtetit.
"Nga një përllogaritje, çdo automjet zyrtar u kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 19 mijë dollarë në vit dhe ka variacione që duhet të jenë objekt kontrolli në të gjitha institucionet", tha Berisha në mbledhjen e sotme të Qeverisë, duke vijuar se "taksapaguesit tanë nuk mundet që të paguajnë për transportin e një zyrtari 19 mijë dollarë, që përfshin shoferin, karburantin, mirëmbajtjen e automjetit etj..".
Ai i ka kërkuar ministrit të Financave që të sjellë sa më parë projektligjin për shpenzimet e administratës, duke thënë se ligji do të marrë si model praktikën suedeze, ku një deputet i merr buxhetit të shtetit vetëm 600 euro në vit. Pritet që sipas kategorisë së zyrtareve te vendoset bonuse të caktuara për transportin.
Kreu i ekzekutivit ka pranuar se administrata shpërdoron shumë me shërbimet operative dhe për këtë do të nisë krasitja. " Do të shkurtohen 2/3 e shpenzimeve për transportin e zyrtarëve të administratës shtetërore. Aktualisht këto shpenzime shkojnë në rreth 2 miliardë lekë për të gjitha entet në të gjithë vendin", tha Berisha.