E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja “bllokon” tituj e pronësisë

19/08/2009  Avokati i Popullit kërkesë për shfuqizimin e ligjit për verifikimin e kufijve

Dobjani: Shkelen gjashtë nene të Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese do të diskutojë së shpejti me kërkesë të Avokatit të Popullit kushtetutshmërinë e ligjit që parashikon verifikimin e titujve të pronësisë për tokat e marra me ligjin 7501 ose të tokave ish fermave. Në 22 shtator kushtetuesja ka përcaktuar në rendin e saj të punimeve, shqyrtimin e kërkesës për “shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Po ashtu, ky subjekt ka kërkuar edhe shfuqizimin e VKM-së nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Si kërkesë të dytë Avokati i Popullit Emir Dobjani parashtron pezullimin e veprimit të ligjit dhe vendimit deri në vendimmarrjen nga Gjykata Kushtetuese. Në kërkesë, të shoqëruara edhe me analizë, Avokati i Popullit përmend se ligji shkel gjashtë nene të Kushtetutës së Shqipërisë. “Ligji është në kundërshtim parimin e sigurisë juridike; ligji është në kundërshtim edhe me nenin 7 të Kushtetutës, normë që parashikon një nga parimet bazë mbi të cilin organizohet dhe funksionon një shtet me tipare demokratike, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve; ligji është në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës në të cilin parashikohet mbrojtja dhe garantimi i një prej të drejtave themelore të njeriut, ajo e pronës private; ligji është në kundërshtim edhe me nenin 42/2 të Kushtetutës; nenin 15/1, 17 dhe 5 i Kushtetutës”, - thuhet në kërkesë. Po ashtu, sipas mendimit të Avokatit të Popullit, ky ligj lë shteg të gjerë për abuzime, subjektivizëm dhe selektivitet gjatë zbatimit të tij. “Ligji në tërësinë e tij, përveç të tjerave, paralelizon dhe zëvendëson dispozitat e Kushtetutës dhe të Kodit Civil me ato të Kodit të Procedurave Administrative. Ligji nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” krijon struktura shtetërore, paralele me gjykatat. Komisioni Qeveritar i Tokave dhe Komisionet Vendore pranë prefektit në qarqe, ushtrojnë kompetenca që janë ekskluzive për pushtetin gjyqësor”, - vijon më tej paraqitja e fakteve. Kërkesa e Dobjanit drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka marrë shkas nga ankesat e personave fizikë dhe juridikë për këtë ligj si: shtetasi Nazmi Drizi, banues në Kastriot të Dibrës që ka pretendime ndaj mënyrës së funksionimit të Komisionit Vendor pranë Prefekturës; dhe nga administratori i shoqërisë “Dudaj Construction”sh.p.k. Kjo shoqëri ka blerë një sipërfaqe toke 59.000 m2 në Gjirin e Lalzit, Durrës, por zbatimi i projektit po pengohen nga miratimi i ligjit nr. 9948.

Ligji

Objekti i vlefshmërisë ligjore të tokës në pronësi

1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te:

a) sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar;

b) sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”;

c) sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

2. Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.

Legjislatura e re

Kuvendi i Shqipërisë ndez motorët

Kuvendi i Shqipërisë pas një sezoni të ethshëm pritet të risinë punimet e tij që nesër. Administrata e këtij institucioni e lajmëruar të mbyllë pushimet vjetore do të rinisë përgatitjet për nisjen e një legjislature të re kuvendore. Lëvizjet e para brenda këtij dikasteri tepër të rëndësishëm në një shtet demokratik, që nuk mbeti asnjëherë bosh, kanë nisur të ndihen jo vetëm në ecejaket e korridoreve, por edhe për sa i takon ritmeve të punës parapërgatitore për seancën e parë parlamentare. Kjo seancë, sipas përcaktimeve ligjore, do të mbahet në ditët e para të shtatorit. Në këtë mënyrë Kuvendit të Shqipërisë i kanë mbetur më pak se dy javë që të ingranojë motorët e tij për një rifillim të ri, ku përveç deputetëve të rinj që do të mbushin sallën e Kuvendit dhe komisionet parlamentare do të pësojë ndryshime edhe në administratën mbështetëse. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare që u mbajtën në 28 qershor kjo legjislaturë do të përfaqësohet nga 140 deputetë, nga të cilët rreth 60 për qind gëzojnë për herë të parë mandatin e deputetit, ndërsa pjesa tjetër janë të rizgjedhur nga qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›